Laura dhe Rezear Xhaxhiu janë shpesh në udhëtim. Ata zgjedhin të zbulojnë kultura, tradita, vende dhe njerëz, pas takimit me të cilët njohin nga afër shpirtin e vërtetë të destinacionit të tyre. Në hartën e pushimeve të tyre verore këtë vit ishte Kina, tashmë lehtësisht e arritshme për turistët shqiptarë, falë heqjes së vizave nga të dy vendet. Me emocione dhe plot energji ata janë kthyer nga Kina dhe rrëfejnë këtë udhëtim për Grupin Mediatik të Kinës.
Laura dhe Rezear Xhaxhiu në intervistë për CMG
CMG: Ndër vite ne shqiptarët, duke e konsideruar shumë larg Kinën, kemi përdorur në të folurën e përditëshme shprehjen “A ke qenë ndonjëherë në Kinë?”. Madje për dikë që nuk fliste drejt dhe hapur themi “Mos i bjer nga Kina”, pra mos shko aq larg. Na dukej kaq larg Kina, apo ndoshta si destinacioni më i largët që dikush mund të arrijë. Çifti Xhaxhiu është kthyer pas vizitës njëmujore në Kinë.
Laura Xhaxhiu: Ne vajtëm në Kinë dhe prekëm një dimension totalisht tjetër. Vërtet rruga ishte e largët, por do ta bëja sërish me shumë dashuri, sepse dëshira për të shkuar dhe për të zbuluar një vend aq të madh, që për mua ishte prekja e një ëndrre. Unë jam lindur në vitet 70-të dhe mbaj mend marrëdhëniet tona me Kinën, veprimtaritë kulturore dhe sportive që bëheshin dikur.
CMG: Vizita juaj u bë pasi u hoqën vizat për qytetarët shqiptarë që duan të vizitojnë Kinën. Ndërkohë vizita juaj përkoi dhe me ditëlindjen e Rezearit. Cilat ishin motivet e para të ndërmarrjes së kësaj vizite?
Rezear Xhaxhiu: Për ne Kina ishte vendi i fundit që kishte mbetur pa u vizituar nga Azia. Ne një herë në 5 vjet bëjmë udhëtime të tilla të jetës. Kemi qenë në Vietnam, Bali, Singapor, Hong Kong dhe Kore. Kina na kishte mbetur si destinacion për t’u zbuluar, që na dukej i mistershëm dhe shumëdimensional. Laura tha meqë është ditëlindja jote le të përfitojmë nga rasti dhe ditëlindjen e festuam në Suzhou.
Laura Xhaxhiu: Nuk do ta bënim këtë udhëtim nëse do të kishte viza. Heqja e vizave ishte një lehtësi e madhe psikologjike për ne, dukej sikur një rrugë mëndafshi u hap për ne që të shkonim në Kinë.
CMG: E konsideroni një lehtësi të madhe heqjen e vizave, që ndikon në ndërmarrjen e një udhëtimi në Kinë të çdo shqiptari që e dëshiron këtë?
Laura Xhaxhiu: Mendoj se është jo vetëm një lehtësi, por një luks i madh sepse nëse do ta vizitosh Kinën duhet vetëm të kesh dëshirën dhe të shkosh të blesh biletën. Sigurisht që do disa parapërgatitje udhëtimi, si kudo që do të shkosh, kryesisht për udhëtime të largëta dhe të gjata, sepse ne qëndruam në Kinë rreth 4 javë. Nëse do ta bësh vizitën jo thjesht si një turist, por si një udhëtar që kërkon të marrësh dhe përjetosh eksperienca të mrekullueshme që do të të ngelen brenda vetes dhe të pasurojnë. Lehtësia e vizave është me rëndësi, sepse nuk mund të rrimë prapa dyerve të zyrave për të pritur një vizë. Kina është një superdimension dhe këtë radhë i dedikuam të gjitha pushimet tona.
Çifti Xhaxhiu në Suzhou
CMG: Si kaloi ditëlindja e Rezearit në Suxhou?
Rezear Xhaxhiu: Dolëm me idenë që do të gjenim një restorant për të festuar ditëlindjen. Duke kërkuar gjetëm një restorant buzë lumit, na u duk shumë romantik për një çift që ndodhej larg dhe do të festonte një eveniment. Ishim në dilemën ku do të uleshim dhe pak më tutje ishte një çift kinez me të cilët u përshëndetëm me Ni hao.
Laura Xhaxhiu: Qëlloi që burri kinez kishte qenë mësues anglishteje, për fat sepse dhe gjuha e komunikimit në Kinë ka vështirësitë e veta. Ai na pyeti nëse po kërkonim tavolinë dhe na ftoi që të bashkoheshim në tavolinën e tyre. Ne jemi njerëz që e vlerësojmë shumë kontaktin me vendësit dhe ka qenë një nga netët më të bukura që kemi kaluar në Kinë. Biseduam me zotërinë dhe kishim shumë tema të përbashkëta për të diskutuar dhe ai u mrekullua nga dy njerëz që kishin ardhur në Kinë dhe dëshironin të kalonin një natë të shenjtë për ta me dy njerëz që nuk i njihnin. Ne na u duk sikur miqtë kinezë i njihnim prej kohësh dhe madje tani jemi dhe miq në wechat. Ishte një mbrëmje shumë e bukur ku zotëria kinez na foli për Suzhoun dhe Hangzhoun, të cilat për mua janë një perlë
CMG: Rezeari si një gazetar i njohur ndër vite me siguri ka patur kontakte me Kinën gjatë punës së tij dhe kjo vizitë ishte prekje nga afër e saj. Laura me cilin motiv u nisët për në Kinë?
Laura Xhaxhiu: Profesioni që po ushtroj 5 vitet e fundit ka shumë lidhje me Kinën. Unë jam trajnere e jogës së fytyrës, një praktikë që e ka origjinën nga Kina e lashtë. Me këtë vizitë doja të merrja informacion, por dhe të njihja njerëz të tjerë që punojnë në këtë drejtim. Edhe kjo ishte një arsye e fortë që ne të udhëtojmë për në Kinë.
CMG: Gjatë udhëtimit të tij në Kinë Rezeari ka mbajtur një ditar. Çdo ditë lexoja në Facebook ditarin e Rezearit ku në çdo stacion që jeni ndalur në Kinë, ai si një gazetar ka shkruar përshtypjet e tij. Një ndër komentet e Rezearit i kushtohet Murit të Madh Kinez, ku ai shkruan “ Na u shfaq gjigant, i mistershëm, impozant e deri diku mistik. Mbërritëm nën këmbët e Murit të Madh Kinez mëngjesin e së shtunës së 12 gushtit. Kontaktet tona me Murin ishin të hershme, që nga koha e pullave kineze e më pas librave e filmave ...” Më tregoni takimin tuaj me Murin e Madh Kinez
Laura Xhaxhiu: Muri mbetet te ëndrrat. Po të ma thoje para disa vitesh nuk do të arrija ta artikuloja as me veten time se një ditë do të shkoja ta prekja Murin e Madh Kinez. Atë ditë që e vizituam i gjithë mjedisi ishte i rrethuar nga një re e madhe e bardhë, që të bënte të shijoje panoramën dhe për mua ishte shumë emocionale. Të prekësh diçka kaq madhështore, një nga 7 mrekullitë e botës, më vinte të bërtisja nga lumturia. Është realisht momenti për të thënë “Unë kam qenë”.
Certifikata ngjitjes së Murit të Madh Kinez e çiftit
CMG: I keni shoqëruar stacionet tuaja të udhëtimit, Laura me video të shkurtëra, kurse Rezeari me video dhe shkrime, por dhe shumë fotografi. Njëra nga këto foto na tregon që keni marrë dhe certifikatë
Rezear Xhaxhiu: Ne nuk e dinim që mund të merrej certifikatë, por kur mbaruam vizitën te pika e informacionit na ofruan marrjen e një certifikate.
Laura Xhaxhiu; Është diçka e bukur marrja e certifikatës dhe unë e kam vendosur me kornizë në mjedisin e ndenjes në shtëpi. Sa herë e shikoj ndjej kënaqësi dhe nostalgji dhe mendoj se është një arritje personale për të realizuar dëshirat, ëndrrat, që ke pasur që fëmijë. Këto ëndrra jo çdokush i realizon, jo se nuk ka dëshirë por ndonjëherë nuk ka informacion. Më pëlqen dhe kur shoh foton tonë që rrezaton emocionin e atij momenti.
Laura dhe Rezeari në Murin e Madh Kinez
CMG: Ndër videot që keni publikuar ngjall interes dhe video e kërcimit tuaj me zonjat kineze në një park. Nga ditari i Rezearit në Facebook po shkëpus një fragment “Gjyshet kërcimtare i hasëm në një pjesë të madhe të parqeve në Shangai, Pekin, Hangzhou, Xi’an dhe qytete të tjera”. Si u ndjetë me këtë eksperiencë të provuar për herë të parë në jetë?
Laura Xhaxhiu: Për herë të parë u ndesha me to në Hangzhou. Ishte një mbrëmje kur kisha dalë vetëm dhe nuk doja të më ikte asnjë çast nga Kina pa e shijuar dhe pashë buzë lumit një grup njerëzish që kërcenin. Mendova të ulesha dhe të shikoja gratë dhe burrat në moshë që kërcenin dhe i pata zili dhe më mrekulluan lëvizjet e tyre trupore, xhestikulacioni i duarve, këmbëve dhe trupit në tërësi. Mua më pëlqen kërcimi dhe po i admiroja dhe ndoshta ky qëndrim i imi ishte aq i dukshëm sa njera prej zonjave më ftoi në vallëzim. Nisa të kërceja dhe muzika kineze që na shoqëronte më dukej sikur kishte paksa ritme latine. Ky ka qenë një nga momentet më të bukura! Edhe në Xi’an në lagjen ku kishim hotelin teksa po ktheheshim nga udhëtimi i lodhshëm një ditë pamë të njejtin fenomen.
Rezear Xhaxhiu: Ne të dy jemi njerëz që na pëlqen muzika dhe kemi bërë dhe kurse vallëzimi. I thashë Laurës pse të mos futemi në grup dhe ne. Kështu vallëzuar të gjithë së bashku dhe ishte e magjishme
Laura Xhaxhiu: Ne u kënaqëm shumë, por dhe ata u kënaqën me ne sepse shikonin dy të huaj që e vlerësonin kulturën e tyre.
CMG: Cili ishte itinerari i udhëtimit tuaj në Kinë?
Laura Xhaxhiu: Unë jam marrë me përgatitjet e këtij udhëtimi dhe më duket sikur kam lexuar një libër me 300 faqe para se të shkoja në Kinë. Unë do të doja ta vizitoja të tërë Kinën, por 4 javë mu dukën shumë pak.Stacioni ynë i parë ishte Shangai, ku qëndruam 3 ditë dhe në fakt ishin pak ditë, më pas me trenin e shpejtë “bullit train” që ishte një eksperiencë më vete dhe ata trena më bënë të kupton se ka ca trena të tjerë në botë. Mbërritëm në Suzhou ku qëndruam 3 ditë për të vazhduar me Xitang “city water”, ku qëndruam te pjesa skenike brenda qytetit të vjetër dhe na u duk sikur jetuam në Kinën e vitete 1700-1800. Ishte një mrekulli ky qytet dhe më pas shkuam në Hangzhou, një qytet që e dashurova dhe qëndruam 5 ditë Vijuam udhëtimin tonë në Pekin ku qëndruam një javë dhe nga aty shkuam në Xi’an dhe Chengdu për t’u rikthyer në Shangai.
Laura në Shangai
CMG: Secili nga këto qytete ka specifikën e vet. Rezear çfarë të ka bërë më shumë përshtypje nga këto qytete kineze?
Rezear Xhaxhiu: Më ka ngelur peng që nuk arritëm të futeshim në Kinën rurale apo në destinacione si Yellow Mountain (Hangshan), por ishte larg dhe koha nuk n a premtonte. Për nga zhvillimi, ritmi dhe adrenalina më ka mbetur në mendje Shangai, ku mund të them se preka pak Paris, pak Manhatan, kultura, teknologji, jetë nate e dite.
Laura Xhaxhiu: Në Xitang kultura kineze, por dhe kopshtet ishin një mrekulli.Kurse te Shangai pashë botën e pas 50 viteve. Shangai është qyteti i së ardhmes dhe e dashurova e u ndjeva si në shtëpi. Pekini të ofronte shumë me destinacionet e veta kulturore dhe historike dhe modernia gërshetohet bukur me tradicionalen.
CMG: Ju jeni nga ata që pandat nuk i keni parë vetëm prej pellushi por në të gjitha dimensionet në habitatin e tyre në Chengdu
Laura Xhaxhiu: I kemi parë që kur lindin në maternitetin e pandave dhe nuk arrija të konceptoja një qendër të tillë të mrekullueshme vendosur në një kodër. Aty kryheshin kërkime për pandat dhe flitej për to sikur të ishin qenie njerëzore dhe u kushtohej aq shumë vemendje. Miliona vizitorë donin të shikonin pandat e vogla apo të mëdha dhe të dukej paksa surreale.
Nuk e ndjemë fare se si kaluan ditët dhe gjëja më e bukur ishte se ne nuk u lodhëm që kemi bërë kaq shumë lëvizje dhe në një periudhë të nxehtë të vitit. Mendoj se kjo ndodhi për shkak të facilitetit shumë të madh të udhëtimit. Transporti publik në Kinë ishte shumë i avancuar, miqësor e social.
Laura dhe Rezeari duke shijuar ushqimin kinez
CMG: Një nga momentet e rëndësishme të një udhëtimi është ushqimi. Ku do të ndaleshit ju në kuzhinën kineze?
Rezear Xhaxhiu: Ne do të ndaleshim tek restorantet popullore, sepse si udhëtarë këtë praktikojmë kudo. Në këto restorante familjare provon gatimet e gjyshes dhe është njësoj sikur të vish në Tiranë dhe të hash në një gjelltore lagjeje.
Laura Xhaxhiu: Ne e kemi provuar ushqimin kinez në vende të tjera por kur vajtëm në Kinë nëse përdorim një shprehje shqiptare për shijimin e ushqimit mund të them se “kemi lëpirë gishtat”. Kaq shumë na ka shijuar ushqimi kinez dhe ishte një nga kënaqësitë e ditës dhe pjatat që kemi provuar ishin jo vetëm të shijshme por dhe shumë të shëndetshme. Shijuam erzat, aromat
Rezear Xhaxhiu: Unë mendoj se këtu qëndron sekreti i kësaj kuzhine tek miksimi i salcave, erzave dhe aromave dhe përveç të tjerave ishte shumë lirë.
CMG: Si i kryet pagesat në Kinë, sepse në këtë vend pothuajse po zhduket pagesa me lekë në dorë, krejt ndryshe nga ne, apo vende të tjera
Laura Xhaxhiu: Ky ishte një shqetësim i imi fillimisht duke patur parasysh se Kina ka paranë e saj elektronike, por aty kishte shumë mundësi. Ne një pjesë të parave i thyem që në Shqipëri dhe kjo na lehtësoi dhe kurseu kohë, por atje na ndihmuan shumë njerëzit, përshembull ata që punonin në hotele. Me ndihmën e tyre furnizonim portofolin tonë në Alipay dhe nuk kishte gjë më komode se sa të shkoje kudo dhe të paguaje me telefon . Ndoshta ne jemi mësuar me paranë fizike në Shqipëri, por paraja elektronike të lehtësonte shumë dhe të shtonte sigurinë. Doja të vlerësoja dhe faktin se Kina është një ndër vendet më të sigurta në botë dhe kjo për ne si udhëtarë ishte shumë e rëndësishme.
CMG: Çfarë suveniresh keni sjellë nga Kina, që me siguri do t’ua rikujtojnë këtë udhëtim?
Rezear Xhaxhiu: Morëm gjëra tipike kineze. Ndër to kashtore që varen në mur, por dhe suvenire të tjera
Laura Xhaxhiu: Kemi dhe një vepër tradicionale të kulturës kineze siç është prerja e letrës. Është dhuratë e mikeshave tona kineze dhe sa herë e shikoj më ngjall emocion.
Rezear Xhaxhiu: Ne takuam në Pekin dy kolege të miat që i përshëndes Verën dhe Zanën, që punojnë në seksionin shqip të Radios së Jashtme të Kinës dhe kjo është dhuratë e tyre. Për këtë respekt kjo dhuratë tani është vendosur në një vend të dukshëm të shtëpisë sonë.
CMG: Kjo tregon se përveç njerëzve të takuar rastësisht në udhëtimin tuaj në Kinë keni patur rastin të takoheni dhe me kolege kineze, që flasin gjuhën shqipe.
Laura ke ardhur nga atdheu i mëndafshit të rafinuar, pa ndonjë suvenir mëndafshi?
Laura Xhaxhiu: Atje mëndafshi ishte një dashuri. Kam marrë disa gjëra mëndafshi por dhe një shall më pëlqen shumë për finesën, butësinë dhe ngjyrat.
Laura Xhaxhiu me veshje tradicionale kineze
CMG: Sa do ta rekomandonit vizitën në Kinë për turistë nga Shqipëria?
Laura Xhaxhiu: Kinën e rekomandoj 100 për qind. Kina duhet parë për të pasuruar veten, eksperiencat në udhëtime, një vend ku ke shumë të mësosh. Këshilla ime është që të mos shkojnë në Kinë vetëm për një javë, sepse do të ishte shumë pak.
Rezear Xhaxhiu: Një këshillë tjetër do të ishte të hiqni disa pengesa që mund të keni për shkak të mosnjohjes së Kinës, të tilla që Kina është shumë larg, distancat, lëvizjet e të tjera si këto. Sepse Kina është shumë miqësore me turistët e huaj.
Laura Xhaxhiu: Infrastruktura është e mrekullueshme, siguria është 100 për qind, si rrallë mund të gjendet në vende të tjera. Njerëzit në Kinë edhe pse në shumicën e rasteve nuk dinin anglisht, ishin të gatshëm të të ndihmonin dhe kjo ta mbushte zemrën plot. Kinezët janë shumë të hapur, madje më shumë se ne shqiptarët. Nga 57 vende të botës që kam vizituar Kina është i vetmi vend ku ka parë njerëz optimistë për të ardhmen.
CMG: A do të riktheheni në Kinë, për të parë ato vende që nuk mundët të vizitoni gjatë udhëtimit tuaj të parë?
Rezear Xhaxhiu: Patjetër sepse duam të vizitojmë Kinën rurale dhe monumentet natyrore të saj.
Intervistoi Eda Merepeza