Rrajca është një zonë turistike, e cila sa vjen dhe frekuentohet nga turistët vendas dhe të huaj. Me një pozitë të veçantë gjeografike, ajo të ofron mundësinë për të shijuar një fundjavë fantastike. Anisa Halili është rritur në këtë zonë dhe tregon për Radio Ejani kujtimet nga ky fshat që për të është unik. Ajo bën një thirrje për të gjithë të rinjtë t’i kthehen vendlindjes duke e vizituar dhe investuar në të.
CMG: Anisa, Rrajca është një zonë shumë e bukur e Shqipërisë, si mund ta përshkruani lidhjen tuaj me këtë zonë ?
Anisa Halili:Unë jam lindur, rritur dhe edukuar në Rrajcë. Në atë vend të vogël dhe piktoresk kam hedhur hapat e para të jetës sime dhe do të flas gjithmonë për një zonë të bukur, e cila më fali vetëm harmoni dhe dashuri. Kam një lidhje shumë të ngushtë me atë zonë dhe më takon të jem unë ajo për të cilën do flas pasi e ndaj jetën mes Rrajcës dhe Tiranës. Shkoj aq shpesh sa mezi pres të kem një ditë pushimi për të qëndruar në atë zonë.
CMG: A është Rrajca një vend i bukur ?
Anisa Halili: Këdo që do të mund të pyesësh për zonën e tij të lindjes do të përgjigjej njësoj, pasi nuk ka si vendlindja. Vendlindja është vatra e kujtimeve më të bukura që ne zotërojmë. Nëse vjen në Rrajcë çdo banor i kësaj zone të mirëpret me shumë dashuri dhe të bën pjesë të familjes së tij lehtësisht, sepse kanë një dashuri të madhe për njerëzit në tërësi. Rrajca ka tradita dhe zakone të cilat kurrë nuk janë zhdukur, nëse qytete të tjera kanë humbur shumë nga traditat e tyre Rrajca vijon ende t’i ruajë ato tradita.
CMG: A do të mundje Anisa të na dërgoje një ditë në Rrajcë?
Anisa Halili: Rrajca ka bukuri të shumta natyrore. Ka liqene të bukura akullnajore, rreth 14-të të tillë. Gjithashtu ka një pozitë shumë të favorshme gjeografike. Ne e cilësojmë atë si një mozaik ngjyrash. Pyjet në Rrajcë janë të mbrojtur nga trashëgimia botërore e UNESCO, aq të rëndësishme dhe me vlera janë ato.
CMG: Çfarë është vënë re kohët e fundit në këtë zonë?
Anisa Halili: Kam vënë re shtimin e numrit të turistëve, të cilët i kanë dhënë kësaj zone sërish jetë. Kanë një kuriozitet të lartë për të kuptuar si organizohet jeta në fshatra të vogla, por me rëndësi të madhe historike.
CMG: Si e organizojnë jetën banorët ?
Anisa Halili: Çfarë është më e bukur dhe që unë e them me shumë kënaqësi është fakti që banorët e kësaj zone pavarësisht që është zone rurale kanë ndërtuar aty jetën e tyre dhe ndryshe nga shumë banorë të zonave të tjera, ata nuk duan të ikin. Proriteti i tyre është të jetojnë dhe veprojnë në Rrajcë jo të ikin prej vendlindjes.
CMG: Ju sot jeni 20 vjeç, por keni jetuar në Rrajcë përreth 18 vite. Si i kujton vitet në shkollë ?
Anisa Halili: Kur njeriu shkon pas në kujtime bëhet tepër i ndjeshëm, e tillë ndihem edhe unë. Kam një zemër të mbushur plot me emocione nga fëmijëria ime. Mbaj mend çdo detaj qe më dërgon atje, përshembull, mbaj mend mësuesen e klasës së parë dhe mënyrën se si ajo na rriti dhe edukoi. Ajo meriton një mirënjohje te lartë që na qëndronte aq afër. Në një moshë delikate si mosha ndërmjet viteve 6-10 vjeç nxënësi ka nevojë për suport dhe këtë gjë ma ka dhënë mua mësuesja ime.
Anisa Halili me vellain e saj
CMG: Cila është shoqja juaj ë fëmijërisë për të cilën mund të keni e një mesazh?
Anisa Halili: Ajo është Anileta, një vajzë e bukur dhe ëndërrimtare. Me shoqen time të fëmijërisë unë ndaj shume kujtime te bukura dhe te vyera, të cilat nuk kanë çmim, por nëse do të kërkohej një çmim unë do t’i jepja atë më të vlefshmin, pasi shoqëria është vetë jeta jonë. Njeriu është i lidhur ngushtë me kujtimet dhe janë këto të fundit që e rrisin atë të shëndetshëm. Unë kam pasur fatin që ta kem të mbushur jetën me kujtime të veçanta bashkë me shoqet e mia.
CMG: Cila është pika jote e dobët?
Anisa Halili: Pika ime e dobët është vëllai im dhe ata që më njohin mua e dinë shumë mirë që lidhja me vëllain është shumë e ngushtë. E kam dritën time të syve dhe ndaj me të cdo gjë. Për mua ai është njeriu më i shtrenjtë dhe personi më i bukur i jetës sime. Ka ndryshuar të gjithë konceptin për jetën time edhe për mënyrën se si unë kam zgjedhur ta jetoj atë. Ka qenë në çdo vendim timin i cili më ka marrë kohë për të vendosur se çfarë dua të bëj dhe më ka bërë të ndihem motra më me fat në botë .
CMG: Në këtë bisedë zbuluam dashurinë tuaj për vendlindjen, a mund të jepni një mesazh për ata persona që duan ta vizitojnë Rrajcën?
Anisa Halili: Ne duhet të jemi të hapur ndaj vendeve të vogla, t’i shënojmë ato në agjendën tonë për t’i vizituar qoftë dhe njëherë, megjithëse kush shkoi në Rrajcë u kthye sërish.
Intervistoi Megi Latifi