“Babi” një krijim dramaturgjik i Naun Shundit, në cilësinë e aktorit protagonist dhe regjizorit të pjesës është një monokomedi, ku kufiri i komedisë me dramën janë fare pranë. Shfaqja flet për një zotëri të vetmuar në retrospektivën e absurdit shqiptar. Një individ që mënyra e tij e komunikimit dhe raportit me botën janë ndershëmria dhe respekti. Një individ që në kaosin e zhurmës urbane dhe kakofonisë së turmës, ja del t’u mbijetojë tranzicioneve, situatave dhe përplasjeve shoqërore.
Humori që buron nga rrëfimet e personazhit, shfaqet me të qeshura reflektimi, ku ky individ lartësohet deri në adhurim me mënyrën dinjitoze të përballjes me jetën. Bashkëregjizor i monokomedisë është Kristi Serani, muzika nga Endri Sina, skenografia dhe kostumografi nga Ersa Kana dhe as.regjisor Jurgen Dervishi. I ftuar në Radio Ejani për të folur më tepër për këtë shfaqje është regjisori, Kristi Serani.
CMG: Si është të realizosh regjinë e një monokomedie?
Kristi Serani: Të realizosh regjinë e një vepre në tërësi është aq sa e vështirë po edhe e bukur në të njëjtën kohë. Unë jam një regjisor i ri, “në tentativë për t’u bërë”, kam qejf të them sepse mendoj se për t’u bërë artist dhe regjisor duhet të kalosh me sukses provimin e publikut. Këto janë përpëlitjet e mia të para për të kuptuar veten në art.
Për të ardhur te pyetja, një monokomedi e punon me dëshirë kur ajo është e shkruar mirë. Shkrimi i mirë i materialit ta bën më të lehtë punën, të bën të ndezësh motorrët e ta çosh më tej, thënë shqip të jep një dorë të mirë. Ky është një material i zgjuar, me të cilin rashë në dashuri që në leximin e parë. Kjo nuk është limonatë. Është e vërteta thënë në një mënyrë të bukur.
Regjisori Kristi Serani
CMG: Më mirë kur punon me një artist apo kur interpretojnë më shumë artistë në skenë?
Kristi Serani: Nga ana teknike është më e thjeshtë të punosh me një aktor, por emocionet merren më mirë nga përplasjet e mendimeve dhe karaktereve që vijnë nga personazhe të ndryshëm. Kryesorja varet se me kë punon, e nëse punon me Naun Shundin, i merr emocionet sa të punosh me shumë artistë të tjerë në të njëjtën kohë. Me këtë rast dua ta përshëndes dhe ta falenderoj sepse është projekti i disatë që ne kemi bërë së bashku brenda një kohe të shkurtër. Ai është jo vetëm një mbështetës shumë i madh i imi, por edhe një profesor për mua. Siç e keni dëgjuar tashmë Nauni bashkë me Mondën, të zonjën e bujtinës, kanë bërë një mrekulli brenda një dhome. Teatri privat “Zonja e bujtinës”, është një teatër, shkollë, qendër arti, me pak fjalë një aset kulturor që i duhet çdo lagjeje të Tiranës. Mënyra më e mirë për të bërë art me përmbajtje, jo me formë dhe megalomanira.
CMG: Cili është mesazhi që jep shfaqja "Babi"?
Kristi Serani: Kjo shfaqje është e tejmbushur me mesazhe, por mesazhi kryesor është, “Njeriu duhet ta pranoj të keqen që e ka zënë dhe ta shohë të vërtetën në sy. Vetëm duke e parë të vërtetën në sy do të arrijmë ta mundim këtë të keqe që na ka zënë”
Teatri privat Zonja e Bujtinës (Foto Linkedin)
CMG: Për sa kohë do vijojë shfaqja "Babi"?
Kristi Serani: Shfaqja “Babi” do të jetë çdo të dielë në teatrin privat “Zonja e bujtinës”. Çdo informacion për aktivitetin e Teatrit do ta gjeni në rrjetet sociale me të njëjtin emër edhe rezervimet mund t’i bëni aty.
Monokomedia “Babi” përbëhet nga disa episode, ku personazhi tregon histori nga e shkuara dhe e sotmja. Sa i përket personazhit, është personaliteti i tij njerëzor që ka mbetur fëmijë e naiv, i pastër dhe pisllëku i madh shoqëror ende nuk ka mundur që ta prekë. Me shfaqjen“Babi”,artisti Naun Shundi sjell një tjetër vepër dramatike në vijim të kontributit të tij për pasurimin e dramaturgjisë shqiptare.
Veprat të tjera të shkruara të Naun Shundi janë, “ Të gjithë janë të çmëndur”,“Qeni”, “Misto”, “Çiftet”, “Tmerrnaja”, si dhe shfaqja e fundit “Babi”.
Intervistoi: Sava Lena