Rruga e lashtë e Mëndafshit / CFP
Nisma “Një brez, një rrugë” shfrytëzon konceptin e Rrugës së Mëndafshit. Në fakt, kjo nismë trashëgon jo vetëm një koncept, një emër të lashtë, por edhe veçoritë e qytetërimit kinez, që janë përfshirja, larmia, ndërlidhja, hapja, harmonia dhe novacioni.
Në kornizën e nismës “Një brez, një rrugë”, këto veçori përfaqësohen nga katër personalitete të famshme në historinë kineze, si Zhang Qian, Zheng He, Konfuci dhe Lu Ban, që kanë ushtruar ndikime për mijëra vjet dhe kanë prestigj botëror, ndërsa në epokën e re ata mbajnë edhe misione të reja.
Statuja e Zhang Qian-it në qytetin Hanzhong të provincës Shaanxi të Kinës Perëndimore / CFP
Zhang Qian që udhëtoi në zonat perëndimore
Mbi 2000 vjet më parë, gjatë kohës së dinastisë Han Perëndimore (206 para erës së re-220 të erës së re), diplomati kinez Zhang Qian (164 - 114 para erës sonë) udhëtoi dy herë për në zonat perëndimore si i dërguari i perandorit, duke themeluar rrugën tregtare drejt këtyre zonave. Më vonë, gjeografi gjerman Ferdinand von Richthofen e emërtoi këtë kanal tregtie si "Rruga e Mëndafshit".
Kur përmendim “zonat perëndimore” të asaj kohe, kemi parasysh zonat në anën perëndimore të kështjellës Yumenguan, përfshirë Azinë Qendrore, Azinë Perëndimore, Gadishullin Indian dhe disa zona të Evropës Lindore e të Afrikës Veriore. Asokohe ekzistonin andej dhjetëra vende, por para kohës së perandorit Han Vu Di, populli i fushave qendrore kineze nuk kishte asnjë lidhje me to. Meqenëse dinastia Han trazohej vazhdimisht nga hunët, që ishin një kombësi shtegtuese e Veriut, perandori Han Vu Di deshi të bënte një luftë me përmasa të mëdha kundër hunëve. Ai kishte marrë vesh se mbretëria Rouzi i Madh ishte mposhtur nga hunët dhe populli i saj kishte ikur në zonat më në perëndim e po priste rastin për hakmarrje. Kështu, perandori Han Vu Di vendosi të dërgonte Zhang Qian-in të udhëtonte në ato zona, që të lidhte aleancë me mbretërinë Rouzi i Madh, për të goditur hunët nga të dy krahët.
Në vitin 139 para erës së re, Zhang Qian, duke prirë një grup diplomatësh të përbërë nga 100 veta dhe duke marrë si udhërrëfyes një ushtar hun të zënë rob, u nis nga Longsi, provinca Gansu e sotme. Kur ata po kalonin në zonat e banuara nga hunët, kreu i hunëve, që kuptoi qëllimin e udhëtimit të tyre, i mbajti ata dhe i dha Zhang Qian-it një vajzë hune për grua, që ta mbikëqyrte. Pas 11 vjetëve, duke përfituar nga rasti i dobësimit të vigjilencës së hunëve, Zhang Qian iku fshehurazi dhe, pas një udhëtimi të vështirë, arriti në tokat e Rouzit të Madh, por mbreti i atij vendi e kishte ndryshuar mendjen dhe nuk dëshironte më të luftonte për hakmarrje kundër hunëve. Kështu, pasi jetoi për një vit në Rouzin e Madh, Zhang Qian u nis për t'u kthyer në atdhe, mirëpo, gjatë rrugës së kthimit u kap prapë nga hunët dhe u mbajt atje.
Murali për vizitën e Zhang Qian-it në zonat perëndimore/ foto nga CFP
Në vitin 126 para erës së re, Zhang Qian u kthye në kryeqytetin Çang-an dhe i paraqiti perandorit Han Vu Di një raport për udhëtimin e tij, ku flitej për doket dhe zakonet, kushtet gjeografike dhe gjendjen politiko-ekonomike të pellgut Tarim dhe të vendeve të Azisë Qendrore. Në saje të udhëtimit të Zhang Qian-it në zonat perëndimore, dinastia Han filloi të njihte botën e jashtme dhe forcoi më tej vendosmërinë për të kundërgoditur hunët.
Pas 10 vjetëve të tjerë, Zhang Qian udhëtoi për herë të dytë në zonat perëndimore. Meqenëse hunët, që pësuan goditjen e fuqishme të dinastisë Han, ishin shpërngulur nga vatrat e tyre, udhëtimi i Zhang Qian-it këtë herë shkoi mbarë. Si rezultat i këtij udhëtimi, u hap një rrugë transporti midis Azisë, Evropës dhe Afrikës, që u quajt “Rruga e Mëndafshit”. Nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit, produktet kineze, si pëlhura e mëndafshtë, enët e lyera me bojë, enët e porcelanit dhe enët prej metali, si dhe teknika e mbarështimit të krimbave të mëndafshit, u përhapën në Perëndim. Anasjelltas, disa gjëra të zonave perëndimore, si kuajt e racave të mira, jonxha, rrushi, piperi, bajamet dhe produktet e tekstileve të leshta, filluan të silleshin në Kinë.
Me udhëtimet e Zhang Qian-it në zonat perëndimore, u hap një epokë e madhe dhe e paparë e shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.
Si simboli i shkëmbimeve e bashkëpunimit midis Lindjes e Perëndimit, Rruga e lashtë e Mëndafshit na tregon se, duke këmbëngulur në solidaritetin me besim të ndërsjellë, barazinë me leverdi reciproke, përfshirjen duke mësuar nga njëri-tjetri dhe bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta, kombe të ndryshme, besime të ndryshme dhe vende me kultura të ndryshme kanë plot mundësi për paqe dhe zhvillim të përbashkët.
Nyja hekurudhore në Duisburg të Gjermanisë / foto nga CFP
Sot, Kina ka trashëguar shpirtin e Zhang Qian-it. Nisma “Një brez, një rrugë” ka tërhequr pjesëmarrjen e mbi tre të katërtave të vendeve të botës dhe të mbi 30 organizatave ndërkombëtare. Sipas raportit të publikuar nga Banka Botërore “Ekonomia e nismës ‘Një brez, një rrugë’”, zbatimi i gjithanshëm i kësaj nisme do të shtojë vëllimin e tregtisë midis pjesëmarrësve me 4.1 për qind dhe deri në vitin 2030, kjo nismë do t’i sjellë botës të ardhura prej 1.6 trilionë dollarësh amerikanë në vit.
Në vend të deveve të dikurshme në Rrugën e Mëndafshit në shkretëtirë, trenat e mallrave funksionojnë në mënyrë të rregullt midis Kinës dhe Evropës dhe quhen si “karvani i deveve të çelikta”. Sipas të dhënave statistikore, deri në shtator 2023, 77 mijë trena mallrash Kinë-Evropë kanë transportuar 7.31 milionë kontejnerë standardë me vlerë prej 340 miliardë dollarësh amerikanë për në 217 qytete të 25 vendeve evropiane. Trenat e mallrave Kinë-Evropë janë bërë ura e rëndësishme e bashkëpunimit tregtar ndërkombëtar.
Statuja e Zheng He-së në qytetin Nankin të provincës Jiangsu të Kinës Lindore/ foto nga CFP
Zheng He, lundruesi kinez që bëri udhëtime oqeanike
Në fillim të shekullit të 15-të, kur në Kinë sundonte dinastia Ming (1368 - 1644), Zheng He (1371 - 1433) bëri me radhë 7 lundrime në Paqësorin Perëndimor dhe në Oqeanin Indian, duke arritur në vendet e Azisë Jugore dhe në bregun lindor të Afrikës, si në Somalinë e sotme. Këto udhëtime oqeanike të Zheng He-së ishin gjysmë shekulli më herët se ato të Kristofor Kolombit.
Zheng He lindi në një familje të kombësisë hui në provincën Yunnan të Kinës Jugperëndimore. Gjyshi dhe babai i tij ishin besimtarë të devotshëm islamë dhe kishin qenë për pelegrinazh në Mekë. Ata i njihnin mirë vendet e largëta dhe kishin guxim për të bërë ekspeditë.
Në epokën kur jetoi Zheng He, kinezët besonin se Kina ishe qendra e botës dhe e konsideronin perandorin kinez si udhëheqës edhe për vendet e tjera. Kur Zheng He ishte 34 vjeç, perandori Zhu Di vendosi që Zheng He të bënte udhëtime oqeanike drejt perëndimit duke prirë një flotë anijesh, me qëllim që të demonstronte potencialin e vendit të tij.
Vendnisja e flotës së Zheng He-së ishte qyteti Nankin në bregun e lumit Jance, lumi më i madh në Kinë. Ndërtimi i anijeve kishte qenë industria tradicionale e asaj zone. Anija më e madhe në flotën e tij ishte njëmijëtonëshe dhe ishte anija më e madhe oqeanike në botë.
Harta e udhëtimeve oqeanike të flotës së Zheng He-së / foto nga CFP
Flota e Zheng He-së përbëhej nga dhjetëra anije dhe ekuipazhi i tyre arrinte në 20 mijë veta gjithsej. Anijet ngarkoheshin me produkte karakteristike kineze, si mëndafsh, enë porcelani dhe punime artistike. Sa herë që flota e tij mbërrinte në një vend, Zheng He lexonte para publikut mesazhin e perandorit kinez drejtuar atij vendi mikpritës, i dorëzonte mbretit të tij dhurata të ndryshme dhe u propozonte zyrtarëve vendas që të bënin vizitë në Kinë. Brenda 28 vjetëve, ai bëri 7 herë udhëtime oqeanike drejt perëndimit.
Flota e Zheng He-së shkoi në mbi 30 vende dhe rajone të Azisë dhe të Afrikës, duke mbërritur në Detin e Kuq dhe në bregun lindor të Afrikës. Me udhëtimet e tij oqeanike, kinezët thyen izolimin gjeografik me botën e jashtme, zgjeruan horizontin e tyre të shikimit dhe pasuruan njohuritë gjeografike.
Ashtu si udhëtimet oqeanike të Zheng He-së që ishin paqësore, miqësore dhe konstruktive, në kornizën e nismës “Një brez, një rrugë”, është ngritur pandërprerë niveli i ndërlidhshmërisë detare ndërmjet Kinës dhe vendeve aziatike, evropiane dhe afrikane. Për shembull, porti i Pireut i Greqisë e ka ngritur vëllimin vjetor të ngarkim-shkarkimit në mbi 5 milionë kontejnerë standardë, duke u radhitur në vendin e katërt ndër portet evropiane të kontejnerëve dhe u bërë një port i përparuar i kontejnerëve në Mesdhe. Ndërkohë, u fut në funksionim porti italian i kontejnerëve i Vado Ligures, i cili është bërë i pari port i gjysmë-autorizimit në Itali. Deri në fund të qershorit, linjat e Rrugës Detare të Mëndafshit përfshin 117 porte të 43 vendeve dhe mbi 300 kompani të famshme të transportit detar të vendeve të ndryshme kanë marrë pjesë në Aleancën e Transportit të Rrugës Detare të Mëndafshit.
Statuja e Konfucit në tempullin e Konfucit në Pekin / foto nga CFP
Konfuci, figura simbol e kulturës kineze
Në pjesën e sipërme të hyrjes së godinës së Gjykatës së Lartë Federale të ShBA-së është gdhendur një reliev me tre figura: Soloni i Greqisë së lashtë, Moisiu i Egjiptit të Lashtë dhe Konfuci (551- 479 para erës sonë) i Kinës. Pse është atje imazhi i Konficit? Projektuesi i relievit shpjegoi qëllimin e tij: “Ligji është një nga elementet kryesore të qytetërimit, ndërsa ligji i ShBA-së trashëgon ose vjen prej qytetërimeve të kaluara. Imazhi i Konfucit në hyrje nënkupton mësimin nga ligjet dhe disiplinat orientale”.
Konfuci, që lindi në vitin 551 para erës së re dhe vdiq në vitin 479 para erës së re, ka qenë një figurë që ka jetuar në të njëjtën epokë me filozofin e famshëm të Greqisë së lashtë Sokrati. Kur ishte 3 vjeç, Konfucit i vdiq babai dhe ai me të nënën u shpërngulën në Qyfu të provincës Shandong të sotme të Kinës Lindore. Emri i vërtetë i Konfucit ishte Kong Qiu, por brezat e mëvonshëm e quajtën atë Konfuci, që do të thoshte “Dijetari Fisnik Kong”.
Konfuci jetoi në Periudhën e Pranverës dhe Vjeshtës në historinë kineze, kur ishte thyer struktura unike shtetërore e mbretërisë së mëparshme kineze dhe principatat e dinastisë Zhou kishin filluar luftëra për shtrirjen e territoreve të veta. Konfuci jetoi në shtetin Lu, që ishte shteti me kulturën më të zhvilluar. Konfuci ishte shumë i edukuar dhe me dije të gjithanshme, por ai nuk kishte ndonjë pozitë zyrtare. Në Kinën e lashtë, vetëm aristokratët kishin privilegj për shkollim, por Konfuci, që u mor me arsim, e theu këtë privilegj të aristokratëve. Ai pranonte nxënës nga të gjitha shtresat shoqërore dhe nxënësit e tij nuk shpenzonin shumë në mësime, mjaftonte që të dorëzonin diçka si tarifë shkollore.
Në shekullin e 2-të para erës së re, Kina u shndërrua në një perandori unike dhe të fuqishme, me pushtet të centralizuar qendror. Sundimtarët e atëhershëm vunë re se doktrinat e Konfucit ishin shumë të përshtatshme për ruajtjen e qëndrueshmërisë të shoqërisë feudale, prandaj e përcaktuan konfucizmin si ide ortodokse drejtuese për të gjithë vendin. Një libër, ku ishin përmbledhur fjalët dhe dialogët e Konfucit me nxënësit e tij, mori titullin “Shënimet e Konfucit” dhe filloi të respektohej si një libër i shenjtë, ashtu si Bibla në Perëndim.
Doktrina e Konfucit ka përmbajtje të pasur dhe shumë gjëra në të kanë vlerë të lartë edhe sot. Shumë fjalë të Konfucit, që gjenden në librin “Shënimet e Konfucit”, përdoren edhe sot në Kinë si aforizma.
Instituti "Konfuci" në Universitetin e Tiranës/ foto nga ambasada e Kinës në Shqipëri
Ndër shumë thëniet e urta të Konfucit, njëra thotë kështu:
-Fisnikët harmonizohen pa bërë jehonë, ndërsa mendjengushtët jehojnë pa u harmonizuar.
Harmonizim nuk do të thotë unifikim, njëlloj, por respektim i ndryshmeve. Prandaj përfshirja është një nga veçoritë e qytetërimit kinez. Pikërisht falë kësaj veçorie, ky qytetërim ka mundur të zgjatë për mbi 5000 vjet, pandërprerje.
Për përhapjen e kulturës kineze dhe të gjuhës kineze, Kina filloi të krijonte Institutin “Konfuci” në vitin 2004 dhe në kornizën e nismës “Një brez, një rrugë”, deri më sot shkollat e larta të Kinës kanë krijuar gjithsej 313 institute “Konfuci” dhe 315 klasa “Konfuci” në 132 vende, përfshirë Institutin “Konfuci” në Universitetin e Tiranës, që u hap më 28 nëntor 2013. Kampi Veror “Ura e Gjuhës Kinës” ka ftuar afro 50 mijë të rinj nga mbi 100 vende të botës për vizitë në Kinë. Ndërkohë, 100 mijë dashamirës të gjuhës e të kulturës kineze në mbarë globin e kanë mësuar gjuhën kineze a shijuar kulturën kineze nëpërmjet internetit.
Statuja e Lu Banit në Muzeun e Lu Banit në qytetin Zaozhuang të provincës Shangdong të Kinës Lindore / foto nga CFP
Në Periudhën e Pranverës dhe Vjeshtës në historinë kineze, domethënë, gjatë shekujve 8-5 para erës së re, ekonomia e shoqërisë skllavopronare kineze u zhvillua në një shkallë të lartë, ndërtimet urbanistike dhe punimet hidraulike u zhvilluan në përmasa të konsiderueshme dhe veglat prej hekuri filluan të përdoreshin në të gjithë lëmenjtë e prodhimit, gjë që i dha shkas zhvillimit të prodhimit shoqëror. Në atë periudhë dolën një numër mjeshtrish të talentuar dhe njëri prej më të shquarve prej tyre në fushën e ndërtimit ishte Lu Ban (507-444 para erës sonë).
Lu Ban lindi në të njëjtin vend me Konfucin, shtetin Lu. Ai ishte nga një familje që merrej brez pas brezi me ndërtim, prandaj edhe ai u përfshi qysh në vogëli në punët e ndërtimeve.
Sipas gojëdhënave, sharra ka qenë një nga shpikjet e Lu Banit. Një herë, ai u ngarkua me detyrën e rëndësishme për ndërtimin e një pallati të madh, që donte shumë lëndë drusore. Ai dërgoi shegertët për të prerë dru në mal. Duke prerë dru me sëpata hekuri, shegertët u rraskapitën, ndërsa rendimenti i punës së tyre ishte shumë i ulët. Lu Ban u shqetësua dhe pati frikë se mos punimet e ndërtimit do të vonoheshin shumë, prandaj u nis vetë për në mal për të bërë një inspektim. Duke iu ngjitur malit, ai kapi padashur një tufë bar, por bari ia preu dorën. Ai u çudit dhe pyeti veten: “Pse? Edhe ky lloji bar mund të më lëndojë dorën?” E shkuli barin dhe vuri re se, në të dy anët e tij, kishte shumë dhëmbë të mprehtë. Lu Ban mendoi për një copë herë dhe i tha vetes: “Përderisa dhëmbët e barit mund të më plagosin dorën, atëherë një rrip metali me dhëmbë të mprehtë mund ta presë drurin”. Në bashkëpunim me të tjerët, Lu Ban bëri një rrip hekuri me shumë dhëmbë të mprehtë dhe doli që kjo vegël mund të priste me të vërtetë drurin". Ai e emërtoi këtë vegël “gjyzi”, që do të thotë “sharrë”.
Statuja e Lu Banit në Muzeun e Lu Banit në qytetin Zaozhuang të provincës Shangdong të Kinës Lindore / foto nga CFP
Në materialet historike thuhet se, një herë, mbreti i shtetit Çu e ftoi Lu Banin për të bërë disa mekanizma luftarakë, sepse shteti Çu po përgatitej të sulmonte shtetet fqinje. Kjo gjë shkaktoi një diskutim të zjarrtë midis Lu Banit dhe Mocit, themeluesi i moizmit. Moci mbështeste shpikjen e veglave prodhuese për të mirën e popullit dhe ishte kundër shpikjes së armëve dhe mekanizmave të luftës. Pas diskutimit, Lu Ban pranoi mendimet e Mocit dhe u dha pas shpikjes së veglave dhe mekanizmave të punës prodhuese.
Meqenëse shpikjet e Lu Banit kanë qenë shumë praktike dhe të përdorshme në jetën e përditshme të popullit, gjatë mbi 2600 vjetëve, mjeshtërit e brezave të mëvonshëm e quajtën atë me respekt “paraardhësin e mjeshtërve”.
Sot për nder të tij është krijuar Punishtja “Lu Ban", që është e ngjashme me Institutin “Konfuci”, ku bëhet mësimdhënia e gjuhës kineze, po në punishtet “Lu Ban” ofrohen përgatitje profesionale. Tani 20“Punishte Lu Ban” genden në kontinente të ndryshme, si në Bullgari, në Ganë, në Taxhikistan etj., ku punëtorët e vendeve në zhvillim marrin përgatitje profesionale dhe përshtaten me kërkesat për prodhimin modern industrial e bujqësor. (Wang Lei/ Artan)
Punishtja “Lu Ban" në Xhibuti / foto nga CFP