BSH: Tregu valutor do të mbetet subjekt i luhatjeve afatshkurtëra
2023-10-12 15:27:06

Luhatja e monedhës (Foto Sot)

Luhatja e monedhës (Foto Sot)

 “Pas një forcimi të shpejtë në periudhën maj-korrik, kursi i këmbimit të lekut është stabilizuar në periudhën gusht-shtator, duke gjetur një ekuilibër të ri rreth niveleve aktuale.Kështu është shprehur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko për mediat lidhur me vendimmarrjen e politikës monetare.

“Kjo ecuri sugjeron se ndërsa përmirësimi i bilanceve të huaja të ekonomisë shqiptare dikton një sjellje të kahut forcues të lekut në periudha afatmesme e afatgjata, tregu valutor ka qenë dhe do të mbetet subjekt i luhatjeve afatshkurtra. Për këtë arsye, të gjithë operatorët e tregut valutor duhet të jenë të kujdesshëm në aktivitetin e tyre, duke shmangur marrjen e ekspozimeve të panevojshme ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.”- tha Sejko.

Guvernatori i BSH Sejko(albeu.com)

Guvernatori i BSH Sejko(albeu.com)

Sipas Guvernatorit, aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet në tremujorin e dytë e të tretë të vitit, ndërsa inflacioni ka ardhur në rënie. Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare ka dhënë një kontribut pozitiv në trendin rënës të inflacionit dhe në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë të vendit dhe projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive.

“Inflacioni vijoi të shënojë rënie në tremujorin e tretë të vitit, duke regjistruar vlerat respektive prej 4.2% dhe 4% në muajt korrik e gusht. Reduktimi i inflacionit kishte një bazë relativisht të gjerë ndër artikujt e ndryshëm të shportës së konsumit. Megjithatë, ritmi i rënies erdhi në ngadalësim gjatë tremujorit të tretë, ndërkohë që inflacioni i çmimeve të shërbimeve, të qirave dhe të mallrave të konsumit afatgjatë, u shfaq përgjithësisht i qëndrueshëm, duke ilustruar si kërkesën e lartë ashtu dhe rritjen e kostove të prodhimit në vend.”- theksoi Sejko.

Sipas Guvernatorit të Bankës Qëndrore, në aspektin makroekonomik, rënia e inflacionit u diktua nga rënia e inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste ndonëse në rënie shfaqen më të qëndrueshme.

“ Në një këndvështrim më të detajuar, rënia e inflacionit të importuar pasqyroi stabilizimin e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe forcimin e kursit të këmbimit të lekut gjatë viteve të fundit. Në të kundërt, qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste diktohet nga rritja e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit. Në gjykimin tonë, stabilizimi në nivele të ulta i inflacionit të importuar, një ecuri më e balancuar e kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime në vend, si dhe konvergjenca graduale e pritjeve për inflacionin në objektiv, do të diktojnë reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në tremujorët në vijim.”

Pritshmëri pozitive ka edhe për rritjen ekonomike në vijim, ndërsa në shifrat e deritanishme rritja ekonomike ka pasqyruar zgjerimin e aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe degë të caktuara të sektorit të shërbimeve, ndërkohë që sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë shënuan rënie. 

Banka e Shqipërisë (shqiptarja.com)

Banka e Shqipërisë (shqiptarja.com)

“Kjo ecuri është diktuar nga zgjerimi i kërkesës së brendshme për mallra e shërbime, si pasojë e rritjes së konsumit familjar dhe të investimeve të sektorit privat, si dhe nga rritja e eksportit të shërbimeve. Nga ana tjetër, politika fiskale ka mbetur në kahun konsolidues, ndërsa eksporti i mallrave ka ardhur në rënie.”

Sipas analizës së bërë nga Banka e Shqipërisë, rritja relativisht e shpejtë e kërkesës për mallra e shërbime gjatë tre viteve të fundit është pasqyruar në një pozicion ciklik pozitiv të ekonomisë shqiptare. 

“Ky pozicion ka sjellë përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve shqiptare, e kryesisht të atyre të industrisë së shërbimeve, dhe – përballë mungesave të vëna re në tregun e punës, – është pasqyruar në rritje të shpejtë të pagave në sektorin privat. Në veçanti, punësimi shënoi një rritje vjetore prej 2.7% në tremujorin e dytë të vitit ndërsa paga mesatare në sektorin privat u zgjerua me rreth 15%, duke rritur të ardhurat e familjeve shqiptare por duke mbajtur të larta edhe kostot e prodhimit dhe presionet e brendshme inflacioniste.”- tha Sejko.

Bizneset janë optimiste për zhvillimin ekonomik dhe po ashtu konsumatorët.

“Në aspektin makroekonomik, zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime vijon të ushqehet nga kushtet ende stimuluese financiare në vend, nga përmirësimi gradual i besimit të biznesit dhe të konsumatorit gjatë vitit 2023, si dhe nga rritja e shpejtë e sektorit të turizmit.Tregjet financiare shqiptare kanë qenë relativisht të qeta gjatë tremujorit të shkuar. Në veçanti, luhatjet e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros po vijnë drejt reduktimit, ndërsa raporti i shkëmbimit të lekut ndaj euros duket se është stabilizuar rreth niveleve aktuale.”- tha Sejko

cmimet (albanian construction portal)jpg

cmimet (albanian construction portal)jpg

Sipas Bankës Qëndrore normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare ka sjellë një rritje të përgjithshme të nivelit të normave të interesit në vend. 

“Megjithatë, kushtet e brendshme financiare mbeten ende stimuluese. Po ashtu, kostot e financimit të sektorit privat dhe publik pasqyrojnë prime të kontrolluara rreziku të likuiditetit dhe të kreditit, duke sugjeruar një ambient relativisht të qetë financiar dhe një perceptim përgjithësisht pozitiv të sektorit bankar mbi zhvillimet e ardhshme ekonomike. Ritmi i rritjes së kredisë për sektorin privat ka ardhur në ngadalësim gjatë tremujorëve të fundit, në pasqyrim të reduktimit të nevojave të bizneseve për kapital qarkullues, si dhe të një përqasjeje më të kujdesshme të sektorit bankar në kredidhënie.”

Inflacioni pritet të kthehet në objektiv rreth mesit të vitit 2024. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në këtë mënyrë të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00% dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%. Këshilli Mbikëqyrës thekson se kjo vendimmarrje ndihmon në krijimin e kushteve të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm.