Xi dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut shkëmbejnë urime për 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike
2023-10-12 17:24:31

foto nga CFP

foto nga CFP

Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski shkëmbyen të enjten mesazhe urimi me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve.

Në mesazhin e tij, Xi vuri në dukje se gjatë 30 vjetëve që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Maqedonisë së Veriut, të dy palët kanë thelluar besimin reciprok, kanë përtëritur miqësinë tradicionale dhe kanë grumbulluar përvojë të vlefshme bashkëpunimi në infrastrukturë, mësimin e ndërsjellë midis qytetërimeve, shëndetësi e fusha të tjera, duke arritur rezultate frytdhënëse, të cilat ai i admiron thellësisht.

Kina i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut, theksoi Xi, duke shprehur dëshirën për të punuar bashkërisht me presidentin Pendarovski për forcimin e vazhdueshëm të udhëheqjes politike dhe për thellimin e mëtejshëm të besimit të ndërsjellë, miqësisë e bashkëpunimit, duke e shfrytëzuar 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike si një pikënisje të re për punën e përbashkët për një të ardhme të ndritur të marrëdhënieve Kinë-Maqedoni e Veriut, duke sjellë më shumë përfitime për të dy popujt.

Presidenti Pendarovski tha se gjatë 30 vjetëve të kaluar, të dyja palët kanë respektuar zgjedhjen strategjike të njëra-tjetrës për zhvillimin dhe kanë ruajtur thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Të dyja vendet kanë interesa të përbashkët dhe potencial të madh bashkëpunimi. Maqedonia e Veriut është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën për të nxitur zhvillimin e përbashkët në të mirë të të dy popujve, shtoi ai.

Po të enjten, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani i dërguan njëri-tjetrit mesazhe urimi me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve. (Wang Lei/ Artan)