Wang De, dispeçer i trenave Kinë-Evropë
2023-10-11 09:32:38

Foto nga VCG

Lianyungang ndodhet në provincën Jiangsu të Kinës Lindore dhe është një port i rëndësishëm për nismën “Një brez, një rrugë”. Këtu gjendet Baza e Bashkëpunimit Logjistik  të Trenave Kinë-Evropë, që lidhet me shumë vende bashkëthemeluese të nismës “Një brez, një rrugë” dhe ofron energji të madhe për zhvillimin ekonomik.

Qarkullimi i çdo treni Kinë-Evropë mbështetet nga punonjësit e hekurudhës. 49-vjeçari Wang De është një nga këta punonjës. Ai është dispeçer i hekurudhës së portit Lianyungang.

Foto nga people.cn

Lianyungang është një port transporti hekurudhor-detar. Wang De përgjigjet për planifikimin dhe organizimin e trenave të mallrave në 6 stacione hekurudhore dhe zonën e portit, ndër të cilat më e rëndësishme është puna mbi qarkullimin e mirë të trenit Kinë- Evropë të Bazës së Logjistikës të Portit Lianyungang.

Megjithëse jashtë zyrës së tij ka pamje të bukura detare, Wang De nuk ka kohë të shijojë, sepse ai duhet të fokusohet gjithmonë në orën e hyrjes dhe të daljes së çdo treni, duke përmirësuar planifikimin e organizimin e trenave.

Në zyrën e Wang-ut ka dy telefona që përdoren për t'u lidhur me pika të ndryshme. Çdo dy ose tre minuta, zilja e telefonit bie. Kur është i zënë, ai ka mundësi që t'u përgjigjet njëkohësisht dy telefonave. Urdhrat e dispeçerisë përcillen prej tij te makinistët e trenave, dispeçerat e tjerë etj., duke garantuar logjistikën e lirshme.

Foto nga VCG

Sipas Wang De, organizimi i trenave të mallrave Kinë-Evropë është si një "garë me stafetë" e tensionuar dhe porti është pika e ngarkimit dhe nisjes për trenat e mallrave Kinë-Evropë. "Nëse fitojmë një sekondë më shumë në secilën lidhje, mund të jemi në gjendje të dërgojmë një tren më shumë," shprehet ai.

Vera është stina "e artë" për transportin e mallrave, që dyfishohen në krahasim me periudhën e zakonshme. Mesatarisht, dy trena Kinë-Evropë qarkullojnë në ditë në portin Lianyungang. Funksionimi i çdo treni Kinë-Evropë kërkon bashkëpunimin e ngushtë të stacioneve të shumta. Organizimi i punës së secilit stacion është i lidhur me planin e funksionimit të trenit të mallrave Kinë-Evropë.

"Shpejt, shpejt..." Wang De gjithmonë përpiqet të bashkojë lloje të ndryshme pune dhe të mbajë një funksionim me ritëm të shpejtë, duke siguruar që mallrat të grumbullohen shpejt dhe duke shkurtuar  kohën  e përgjithshme të transportit. “Për të bërë mirë punën, duhet të kem marrëdhënie të mira me të gjithë njerëzit,” thotë me të qeshur Wang De.

Ai, pasi merr detyrën e tij, është shumë i përqendruar dhe përdor "kapacitetet më të mëdha të trurit" për të siguruar dërgimin e mallrave në zonën e portit dhe organizimin e trenave të mallrave Kinë-Evropë.

Foto nga VCG

Wang De mund të kapë pikat kryesore  e hallkat e rëndësishme dhe rregullon menjëherë planin e funksionimit sipas situatës aktuale. Ai drejton organizimin e operacioneve të transportit të mallrave. Bën të paktën qindra telefonata në ditë dhe drejton më shumë se 30 punëtorë dhe mjete lëvizëse. Gjatësia e qarkullimit të lokomotivave dhe mjeteve të tjera që marrin pjesë arrin në qindra kilometra në ditë e ndonjëherë ai nuk ka kohë "as të marrë frymë".

Wang De ka krijuar shumë të para gjatë detyrës së tij. Ai organizoi trenin e parë të mallrave Kinë-Evropë nga Baza e Logjistikës në portin Lianyungang, dëshmoi nisjen e trenit të 5000-të të mallrave Kinë-Evropë dhe krijoi një rekord të dërgimit të 33 trenave mallrash gjatë një dite. Ai  njihet si "truri më i fuqishëm" që i shërben "kanalit të artë" të nismës "Një brez, një rrugë".

Vit pas viti, në sallën e dispeçerisë prej 160 metrash katrorë, Wang De dhe kolegët e tij i kthyen trenat Kinë-Evropë nga plan në realitet, duke dëshmuar rritjen e shpejtë të numrit dhe dendurisë së trenave Kinë-Evropë.

 "Trenat Kinë-Evropë lidhin së bashku njerëz nga vende të ndryshme dhe që flasin gjuhë të ndryshme. Të gjithë po punojnë për të arritur të njëjtën gjë. Kjo është një gjë shumë domethënëse."

Foto nga VCG

Pas 10 vitesh zhvillimi, në Lianyungang  janë hapur gjashtë linja të trenave Kinë-Evropë me cilësi të lartë, duke mbuluar 104 stacione ndërkombëtare të mallrave. Punonjësit e trenave të mallrave Kinë-Evropë, si Wang De, kanë dhënë me zell kontribut për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dhe shkëmbimet kulturore midis vendeve bashkëthemeluese të “Një brez, një rrugë”. (Çang Çuo)