Termocentrali i Sahiwal-it në provincën Punjab të Pakistanit, është vepra e parë i ndërtuar në kuadër të Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan dhe është edhe një ndër projektet kryesore në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”.
Një tren i Linjës së Portokallit të metros të ndërtuar me ndihmën e Kinës, Pakistan(Foto:VCG)
Që nga funksionimi i tij në vitin 2017, termocentrali është bërë një burim i madh energjie dhe punësimi në Pakistan, dhe konsiderohet si "një mrekulli në historinë e ndërtimit të rrjetit elektrik në Pakistan".
"Kina jo vetëm që siguroi fondin, por gjithashtu ndihmoi në ndërtimin e zonave industriale, në mënyrë që Pakistani 'të qëndrojë me këmbët e veta'," tha për CGTN-in Muhammad Sohaib Zahoor, përgjegjës ndërrese në departamentin e operimit të termocentralit.
Gjatë dekadës së fundit, bashkëpunimi në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” ka sjellë përfitime reale për vendet pjesëmarrëse dhe ka hapur një rrugë të re për të realizuar modernizimin për të gjithë njerëzimin.
Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës publikoi të martën një libër të bardhë të titulluar "Nisma 'Një brez, një rrugë': Shtyllë kyçe e bashkësisë globale me të ardhme të përbashkët", ku paraqiten arritjet e “Një brez, një rrugë” dhe i ofrohet bashkësisë ndërkombëtare një mundësi për të njohur më mirë vlerat e kësaj nisme.
Nisma “Një brez, një rrugë” i jep përparësi ndërlidhshmërisë infrastrukturore. Tashmë është krijuar ndërlidhja bazë tokësore, detare, ajrore dhe kibernetike, duke hedhur themele të forta për bashkëpunim më të thellë në kapacitetet tregtare dhe industriale, si edhe duke forcuar shkëmbimet kulturore dhe njerëzore.
Një nga pikat kryesore është ndërtimi i korridoreve ekonomike dhe rrugëve ndërkombëtare, i cili po bën përparim të ndjeshëm.
Korridori Ekonomik Kinë-Pakistan, një projekt pilot i rëndësishëm në kuadër të “Një brez, një rrugë”, ka hedhur një themel të fortë për ndërlidhjen infrastrukturore dhe industrializimin e Pakistanit, duke promovuar në mënyrë efektive zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror të këtij vendi.
Deri në vitin 2022, Korridori Ekonomik Kinë-Pakistan kishte sjellë 25.4 miliardë dollarë investime direkte në Pakistan, duke krijuar aty rreth 236 000 vende pune. Ky projekt e ka ndihmuar Pakistanin të prodhojë 8 000 megavatë energji elektrike dhe të ndërtojë 886 km të rrjetit kombëtar të transmetimit bazë.
Hidrocentrali Neelum-Jhelum i Pakistanit, një projekt bashkëpunimi brenda kornizës "Një brez, një rrugë"(Foto:VCG)
Edhe kanalet ndërkombëtare të transportit ndërmodal vazhdojnë të gëzojnë zhvillim të qëndrueshëm. Kështu, trenat Kinë-Evropë tani arrijnë në më shumë se 200 qytete në 25 vende evropiane, duke përfshirë 86 linja që kalojnë nëpër rajonet kryesore të brendësisë euroaziatike me një shpejtësi prej 120 km në orë.
Deri në fund të qershorit 2023, trenat e mallrave kryen mbi 74 000 udhëtime, duke transportuar afro 7 milionë kontejnerë standardë e mbi 50 000 lloje mallrash të 53 kategorive, si automjete, pajisje mekanike e produkte elektronike, me një vlerë të përgjithshme mbi 300 miliardë dollarë, sipas librit të bardhë.
"Kina ka qenë e qartë për rëndësinë e ndarjes së begatisë së përbashkët, jo vetëm brenda Kinës, por në të gjithë ekonominë globale," tha për CGTN Michael Spence, laureat i "Nobelit" në Ekonomi.
Vendet pjesëmarrëse kanë punuar së bashku për të përmirësuar mjedisin e biznesit, ndërtimin e zonave të tregtisë së lirë dhe zgjerimin e zonave tregtare për të krijuar një sistem tregtar më të balancuar, të barabartë dhe të qëndrueshëm dhe për të zhvilluar marrëdhënie ekonomike e tregtare me dobi të ndërsjellë, në mënyrë që përfitimet nga bashkëpunimi të jenë më të mëdha.
Nga viti 2013 deri në vitin 2022, vlera e përgjithshme e importeve dhe eksporteve ndërmjet Kinës dhe vendeve partnere të nismës “Një brez, një rrugë” arriti në 19.1 trilion dollarë, me një normë mesatare vjetore rritjeje prej 6.4 për qind, vihet në dukje prej librit të bardhë.
Në vitin 2022, vlera e importeve dhe eksporteve ndërmjet Kinës dhe vendeve partnere arriti në afro 2.9 trilionë dollarë, duke zënë 45.4 për qind të tregtisë së jashtme të përgjithshme të Kinës gjatë së njëjtës periudhë, që përbën një rritje prej 6.2 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2013.
Përurimi i hekurudhës Mombasa-Najrobi, 30 maj 2017, Kenia(Foto:VCG)
Megjithatë, bashkëpunimi industrial vazhdon të thellohet, ndërsa vendet pjesëmarrëse të nismës “Një brez, një rrugë” po nxisin një model bashkëpunimi të bazuar në zhvillimin e koordinuar dhe përfitimin e ndërsjellë, gjë që i ka dhënë një shtysë të fortë përmirësimit të strukturave industriale dhe optimizimit të zinxhirëve industrialë në vendet e përfshira.
Vendet pjesëmarrëse kanë zgjeruar bashkëpunimin në industritë tradicionale, duke përfshirë çelikun, metalet me ngjyra, materialet e ndërtimit, automobilat, makineritë inxhinierike e bujqësinë, dhe kanë eksploruar bashkëpunimin në industritë në zhvillim, si ekonomia digjitale, automjetet me energji të reja dhe 5G.
“Një brez, një rrugë” është fokusuar në çështjet themelore të zhvillimit dhe i ka dhënë shtysa të reja zhvillimit ekonomik të vendeve pjesëmarrëse, duke forcuar besimin dhe kapacitetin e tyre për zhvillim dhe duke përmirësuar jetën e njerëzve.
Ndërsa vendet në zhvillim ende përballen me sfidën e problemeve lidhur me ushqimin, Kina ka marrë një pjesë aktive në qeverisjen globale të ushqimit dhe bujqësisë.
Kina ka nënshkruar më shumë se 100 dokumente bashkëpunimi në sektorët e bujqësisë dhe peshkimit me pothuajse 90 vende dhe organizata ndërkombëtare partnere, ka dërguar më shumë se 2000 ekspertë e teknikë bujqësorë në mbi 70 vende e rajone dhe ka ofruar më shumë se 1500 teknologji bujqësore, si orizi hibrid, në shumë prej këtyre vendeve.
Në procesin e bashkëpunimit të nismës “Një brez, një rrugë”, Kina ka ndihmuar në ndërtimin e parqeve industriale me vendet pjesëmarrëse dhe i ka udhëzuar ndërmarrjet kineze të krijojnë vende pune për banorët vendas nëpërmjet bashkëpunimit industrial të nivelit të lartë.
Ura Peljesac e ndërtuar në bashkëpunimin me Kinën, Kroaci, 26 korrik 2022(Foto:VCG)
Fishekzjarrë të ndezur me rastin e përurimit të urës Peljesac, Kroaci, 26 korrik 2022(Foto:VCG)
Firmat kineze kanë vënë në zbatim më shumë se 300 projekte për zbutjen e varfërisë, kujdesin shëndetësor dhe rehabilitimin, si edhe projekte "Vatra e lumtur" në vendet pjesëmarrëse, duke sjellë rezultate të dukshme në përpjekjet për përmirësimin e jetës së njerëzve.(Zhang Yan/Artan)