Koreografi Julind Dervishi rrëfehet pas premierës së tij “UNI”, e vënë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Në baletin e tij, që përçohet përmes trupës së Teatrit të Operas, ku artisti bën pjesë prej 15 vitesh, përshkruhen pengesat e shkaktuara nga jeta dhe njerëzit, si dhe rezistenca për të mos hequr dorë nga ëndrrat. Prej pasionit ai e hodhi në letër edhe këtë vepër, ku jetësoi ndjenjat e përjetimet e tij, ku 15 balerinët me të cilët ka ndarë vështirësitë në përditshmëri e bëjnë të tyren dhe ia komunikojnë publikut.
Balerinet duke performuar ne shfaqjen e baletit UNI (Foto personale)
Julind Dervishi: Pasioni më i madh tani është krijimtaria
Koreografi Julind Dervishi ka 15 vite që është pjesë e trupës së baletit të TOB-së. Para pak kohësh me baletin premierë “UNI” ai riktheu vëmendjen te brendia jonë, një udhërrëfim i sfidave që hasim e egot që përkëdhelim, duke na e bërë më të thjeshtë përballjen me vetveten për ndërtimin e një uni të denjë për këtë shoqëri. Kjo shfaqje u soll premierë nga artistët e trupës së baletit të TKOB-së, nën koreografinë e Julind Dervishit. Baleti kontemporan “UNI” përcolli mesazhe sensibilizuese mbi luftën me vetveten e me botën përreth. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) koreografi Dervishi rrëfen për eksperiencën si koreograf me dy shfaqjet e tij si dhe projektet në vazhdim.
CMG: Si erdhi shfaqja e baletit “UNI” dhe pritshmëritë për këtë shfaqje?
Balerinet e TOB-se gjate baletit UNI (Foto personale)
Balerinet gjate shfaqjes UNI (Foto personale)
Julind Dervishi: Puna ishte goxha e madhe, pasi kam punuar rreth dy muaj me balerinët, por kam punuar dhe dy muaj vetëm sepse të krijosh nuk është e thjeshtë. Fundi është që pret gjithmonë të kënaqesh ose mos të kënaqesh, por unë gjithmonë jam kënaqur me performancën time dhe të balerinëve.
CMG: Sa balerinë morën pjesë në këtë shfaqje baleti?
Julind Dervishi: Këtë herë kisha 15 balerinë, kërceva dhe vetë natën e dytë të shfaqjes.
CMG: Keni 15 vite si balerin në TKOB-në dhe vini kohët e fundit me dy shfaqje premierë si koreograf, ku dhe përgjegjësia dhe puna është më e madhe. Si është të punosh me kolegë që njihesh prej vitesh?
Julind Dervishi: Unë me balerinët njihem prej shumë vitesh dhe jemi rritur bashkë. Ata më njohin shumë mirë dhe e dinë se çfarë kërkoj, dinë se sa shpejt nxehem apo mërzitem, pra arrijnë të më kuptojnë. Kjo është një gjë pozitive, pasi në fund produkti duhet të dalë shumë i mirë.
CMG: Si u prit kjo shfaqje nga spektatorët në sallë?
Julind Dervishi; Spektatori e priti mirë shfaqjen, por unë nuk kënaqem asnjëherë me punë time sepse duhet gjithmonë të jetë në perfeksion. Patjetër që premierat kanë uljet dhe ngritjet e veta, por përgjithësisht përshtypjet e spektatorit ishin shumë të mira.
CMG: Cili ishte meszhi që përcolli te publiku kjo shfaqje?
Julind Dervishi (Foto personale)
Julind Dervishi (Foto Shqiptarja.com)
Koreografi Julind Dervishi (Foto personale)
Julind Dervishi: “UNI” lindi nga brrylat që çdo artist i has në jetë, jo vetëm artistët, por edhe sportistët, gazetarët e të tjerë. Ideja ishte që unë të sillja përjetimet e mia, atë që unë kisha kaluar në jetën time si balerin. Pastaj si koreograf asnjëherë nuk është e thjeshtë të ecësh përpara. Ideja ime ishte që duhet të ecja përpara, sepse kur e kam ndarë mendjen për ta bërë një gjë, duhet ta bëj patjetër. Kështu që mendova të krijoja një shfaqje me përjetimet e mia, me mërzitjet e mia, me nervin tim, por edhe të balerinëve. Balerinët të gjithë kanë kaluar atë stadin e vet të keq apo të mirë, sepse bërrylat janë edhe kur je mirë, jo vetëm kur je keq. Mendova që të krijoja këtë shfaqje baleti.
CMG: Cilat ishin vështirësitë që hasët nga ana financiare për të realizuar këtë shfaqje?
Julind Dervishi: Patjetër që ka vështirësi nga ana financiare, por është dhe ndihmë e madhe e Teatrit të Operas, pasi më lejuan të bëja çfarë unë doja dhe kjo është ndihmë e madhe. Mendoj se ne ja arritëm qëllimit edhe pse ishte e vështirë.
CMG: Gjatë viteve si balerin në TKOB keni mësuar nga koreografë të njohur. Cilat janë këshillat dhe mbështetja që keni marrë prej tyre?
Momente nga shfaqja (Foto personale)
Julind Dervishi: Ne kemi kaluar shumë koreografë shqiptarë dhe të huaj, ku koreografët e huaj na kanë hapur pak horizontin nga ana kontamporane. Nga ana e shtytjes apo strukturës që të krijosh koreografi, unë i jam mirënjohës koreografit Agron Aliaj sepse ishte nga të vetmit në atë kohë që i shtynte të rinjtë për të kërcyer dhe krijuar. Nuk e harroj që gjithmonë më thoshte që unë të krijoja. Ai ka ardhë dhe ka parë diplomën time në Akademinë e Arteve dhe i pëlqeu dhe më tha të vazhdoja të krijoja sa më shumë, për të pasur gjithë kohës pjesë të reja. Gjithashtu dhe Ilir Kerni ka qenë shtysë, duke më thënë gjithmonë që të vazhdoja me krijimtarinë time. Unë nuk i harroj këto fjalë kur krijoj një pjesë timen.
CMG: Pasioni që ke për kërcimin dhe koreografinë ka bërë që të arrish suksese në këtë fushë dhe besoj se je i kënaqur deri tani.
Julind Dervishi: Njeriu pa pasion vdes, kështu që pasioni më i madh tani është krijimtaria. Dikur me moshën ishte baleti, që të vazhdoja të kërceja ndërsa tani me moshën vjen vetëm krijimtaria. Unë nuk dua të bëj asgjë tjetër, vetëm të krijoj dhe të kem këtë pasionin, sado e vështirë të jetë unë do vazhdoj të krijoj sa të kem mundësi, imazhe në trurin tim apo lëvizje në trupin tim. Dua të bëj maksimunim, që të ndjehem i plotësuar te pasioni im.
CMG: Shfaqja juaj e parë si koreograf ka qenë “Humus”, e vënë në skenën e TOB-it. Si u prit shfaqja e parë si krijues?
Julind Dervishi; Kjo shfaqje kishte rreth 25-26 balerinë, dhe ishte pak më e vështirë sepse edhe balerinët ishin për herë të parë që fillonin të krijonin me mua. “Humus” ishte një pjesë që fliste për natyrën. Unë nuk jam ambientalist shumë i madh, por mendoj që duhet të bëj dhe pjesën time. Mendoj që duke krijuar një balet, duke dhënë disa imazhe te publiku, dhe ato mund të kuptojnë se mund të bëjnë diçka nga imazhet e mia. Ky ishte një mesazh i imi për natyrën dhe shpresoj që t’ja kem arritur qëllimit.
CMG: Je i kënaqur dhe i plotësuar me dy shfaqje të realizuara si koreograf?
Momente nga shfaqja e baletit UNI (Foto personale)
Julind Dervishi: Mendoj se jam shumë i kënaqur me dy premierat e mia, por e di që nuk jam akoma i plotësuar. Është si të luash në një skuadër të madhe futbolli, të bësh dy ndeshje dhe pastaj të zhdukesh. Kështu që unë mendoj se nuk jam akoma në atë nivel që të ndaloj me kaq. Nuk kënaqem kurrë dhe do vazhdoj të realizoj shfaqje të tjera në të ardhmen.
CMG: Ke menduar që këto dy shfaqje t’i japësh dhe në vende të tjera jashtë Shqipërisë?
Julind Dervishi: Dëshira është e madhe, thjesht më duhet të punoj që t’i japim shfaqjet edhe në vendet e tjera.
CMG: Dëshiron që një nga shfaqjet tuaja ta japësh dhe në Kinë?
Julind Dervishi: Patjetër që po, dhe “Humus” do ishte një shfaqje perfekte për Kinën, por dhe shfaqja tjetër “Uni” besoj se ndihmon njerëzit, ku mesazhi i fundit i kësaj shfaqje ishte që ne të ndjehemi të gjithë të plotësuar, duke anashkaluar të gjithë idenë për të qenë i pari. Patjetër që do të jem i pari, por pse mos të jemi të parët bashkë, duke bërë që të gjithë të ndjehen të plotësuar për ëndrrat e tyre.
CMG: Pas suksesit të kësaj premiere cilat janë projektet në vazhdim?
Julind Dervishi: Në fakt nuk e di sa e mundur do ishte për vitin tjetër, por unë kam menduar për dy projekte, një në Teatrin e Operas dhe një projekt tjetër me shumë gjasa jashtë Shqipërisë. Kështu që pres disa konfirmime sepse nuk është në dorën time kjo pjesë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Shfaqja e baletit UNI (Foto personale)
Julind Dervishi: Mesazhi im është që të jetojmë jetën, të mbajmë pasionet tona sa më fort.
Intervistoi: Gazmend Agaj