Onufri dhe fama e së kuqes së tij
2023-10-11 15:55:46

E kuqja është ndoshta ngjyra që lidhet më shumë me Ballkanin, qoftë për fushat me lulekuqe, apo për historinë dramatike të rajonit. E kuqja është gjithashtu simbolikë e identitetit tonë kombëtar. Megjithatë, ekziston një tjetër e kuqe, e cila e dallon Shqipërinë që në shekullin e XVI. Është  “E Kuqja e Onufrit.” 

Ikone e Onufrit - foto kultplus

Ikone e Onufrit - foto kultplus

Kur flitet për shekullin e XVI nënkuptojmë Onufrin, i cili shfaqet në trevat shqiptare si nje meteor i rrallë, duke u bërë figura e shquar e ikonografisë bizantine  e duke shënuar një kulminacion të vlerave artistike e fetare në të gjithë historinë e këtij vendi.

Onufri është një ikonograf shumë i famshëm shqiptar, që gdhendi emrin e tij në historinë dhe kulturën tonë, duke krijuar hijet e së kuqes që askush nuk kishte parë deri në atë kohë. 

Diku midis portokallisë të errët, fuchsia-s, koralit dhe të kuqes, qëndron “e kuqja e Onufrit”, një nga ngjyrat më të papërcaktueshme dhe marramendëse në historinë e artit. Onufri pikturonte kisha dhe ikona, figura dhe histori biblike. 

Ikonografia e tij e krishterë ishte jo vetëm inovative, por revolucionare dhe e hapur për kohën. Pamjet e Onufrit të Shën Mërisë, Krishtit dhe skenave të panumërta biblike janë zhytur në një nga ngjyrimet më të shkëlqyera të së kuqes që ka parë vendi dhe ndoshta i gjithë rajoni. 

Në të vërtetë, Onufri ishte një artist jo vetëm bashkëkohor, por një artist që shikonte përtej kohës së tij. Jo vetëm ngjyrat, por edhe kompozimet e tij, sinjalizuan një revolucion në stil në kohën e veprimtarisë së tij artistike dhe vazhduan të frymëzonin një shkollë të tërë ikonografësh. 

Onufri ishte piktori i parë mesjetar shqiptar që futi elementë etnografikë në pikturat e tij. Nuk mungojnë në pikturat e Onufrit as njerëzit e thjeshtë nga jeta reale, si fshatarë dhe barinj me kërraba dhe qeleshet e tyre karakteristike, nga ambientet e Shqipërisë së Mesme. 

Zbritja ne Ferr - Ikone nga Onufri -foto Muzeu i Artit Mesjetar (1)

Zbritja ne Ferr - Ikone nga Onufri -foto Muzeu i Artit Mesjetar (1)

Madhështia e Onufrit piktor lidhet edhe me faktin se ai nuk u çorientua në artin e tij, si shumë piktorë të tjerë mesjetarë, pas rënjes së Perandorisë Bizantine në vitin 1453. Për Onufrin nuk dihet saktësisht se ku dhe kur ka lindur dhe as se ku u formua si artist. 

Onufri mendohet të ketë qenë nga Elbasani.

Ai ka qenë klerik dhe nga të dhënat që japin mbishkrimet kishtare mësojmë se Onufri e ka ushtruar aktivitetin në shekullin XVI. Mbishkrimi më i hershëm ku Onufri nënshkruan emrin e tij daton në vitin 1535. Është gjetur në murin jugor ndërmjet skenës "Shën Kostandini dhe Elena" dhe strategëve “Shën Teodor Tironi dhe Teodor Stratilati" në kishën e “Shpërfytyrimit të Shpërimtarit” në manastirin e Zerzes në Prilep. Veprimtaria artistike e Onufrit përmblidhet në internerarin Berat, Prilep, Kostur, Shpat. 

Pikënisja është Berati, për t’u shfaqur më 1535 në Prilep, në vijim në Kostur më 1547 dhe pastaj në Shpat, më 1554. Mendohet se pas vitit 1554 të ketë ardhur përsëri në Berat. 

Onufri përveç pikturave murale ka realizuar edhe mjaft ikona të lëvizshme, nga të cilat mund të veçojmë ato të kishës "Vangjelistra", të "Shën Triadhës" dhe të "Shën Mitrit" në kalanë e Beratit. Në kompozimin e ikonave Onufri ruan me fanatizëm traditën bizantine dhe kanonet e kishës.

E veçanta e tij është se në modelimet dhe ansamblet e detajeve të skenave biblike hasim mjaft elementë jetësorë. Skenat e Onufrit janë të kompozuara në pozicione reale, me lëvizje e mimikë të gjallë. Kjo vihet re në skenat me shenjtorë si "Shën Kostandini dhe Elena", "Shën Dhimitër Mirovliti"etj. Ikonat e tij paraqesin pasazhe biblike, si "Lindja e Krishtit", "Ipapandia", "Hyrja e Shën Mërisë në Tempull", "Shpërfytyrimi" etj.

ikone - foto Kultplus

ikone - foto Kultplus

Ndryshe nga tradita e mëparshme me pikturën e zymtë kishtare, Onufri i dha ngazëllim dhe jetë reale pikturave të tij dhe e pasuroi ikonostasin me ikona të pikturuara me ngjyra të forta, ku përfshihet e kuqja e tij e famshme.  Ende sot quhet “e kuqja e veçantë dhe e paimitueshme e Onufrit”. Mendohet se për të përftuar këtë nuancë, piktori i madh ka përdorur rrënjët e një bime të cilën në Myzeqe e quajnë rojbëz, e përpunuar në uthull të shuar, kurse për të zezën është përdorur druri i frashërit.

Ikonat e Onufrit mund të soditen në disa nga muzetë e vendit toë. Përshembull, në Muzeun Kombëtar Ikonografik në Berat, i vendosur në Katedralen e Shën Mërisë, brenda Kalasë së Beratit. Koleksioni i muzeut, i cili arrin në gjithsej 173 sende të zgjedhura, gjithashtu përfshin pjesën më të madhe të punës së Onufri. Muzeu ka gjithashtu edhe sistemin më të madh dixhital të udhëzuesve audio në vend. 

Por veprat e Onufrit mund t’i gjeni edhe në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës, konkretisht në pavijonin kushtuar ikonografisë post Bizantine. Një nga veprat më mbresëlënëse, ku mbizotërohet nga “E kuqja e Onufrit” është “Hyrja e Shën Marisë në Tempull.”

Gjithashtu mund t’i sodisni edhe në Korçë, ku mund të vizitoni Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar për të parë edhe më shumë mbi “Të Kuqen e Onufrit”. 

Neritana Kraja