Identifikohen sfidat e turizmit shqiptar në 9 mujor
2023-10-11 10:15:14

Turistë aziatikë në Tiranë (Foto Monitor)

Turistë aziatikë në Tiranë (Foto Monitor)

Pikat hyrëse, tokësore, detare apo ajrore në territorin shqiptar gjithnjë e më shumë po japin ndihmë në transportin e pasagjerëve për qëllime turistike. Për mediat Zv.Kryeministrja, njëherësh Ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku bëri një përmbledhje të shifrave për 9 mujorin e këtij viti. Ajo theksoi se numri i turistëve pritet të rritet në vijim pasi të tjera vepra infrastrukturore janë në ndërtim që do të rrisin kapacitetet pritëse të pasagjerëve. Sipas shifrave të bëra zyrtare nga përfaqësues të qeverisë, janë 8.3 milionë turistë nga e gjithë bota që zgjodhën  Shqipërinë për të pushuar.

Aeroporti i Vlores (Foto albania news)

Aeroporti i Vlores (Foto albania news)

“Duhet thënë që vetëm në 9 muajt e parë të vitit nga aeroporti i Rinasit kemi pasur një hyrje prej 5.4 milionë pasagjerë. Të gjitha këto shifra që ne referojmë herë pas here duhet të keni parasysh që minimalisht i përkasin previzioneve të vitit 2027. Ne sot po punojmë dhe po elaborojmë shifra të cilat ishim përgatitur për të pasur mbas 4 vitesh. Nga ana tjetër ky numër 5.4 milionë pasagjerë vetëm në 9 muaj e parë të vitit është një tregues i qartë që aeroporti ndërkombëtar i Vlorës nuk është thjesht një vepër e rëndësishme për Republikën e Shqipërisë, por padyshim është një vepër e domosdoshme. Është një vepër që ka nisur prej kohësh, është një vepër e cila do ta vendosë Shqipërinë në një nivel tjetër të transportit ajror, duke qenë se është një nga pistat më të gjata të Ballkanit pra me 3.2 kilometra gjatësi.”- tha Balluku.

Turistë të huaj në Gjirokastër (Foto European Newsroom)

Turistë të huaj në Gjirokastër (Foto European Newsroom)

Zv.Kryeministrja theksoi rëndësinë që do të ketë ndërtimi i Aeroportit të Vlorës jo vetëm për diasporën, por shumë më gjerë.

“Do t’i krijojë Shqipërisë një mundësi tjetër, jo vetëm për vizitorë europianë, por edhe për vizitorë nga kontinente të tjera, pasi aeroporti ndërkombëtar i Vlorës ka si synim fluturimet përtej oqeanit. Kur e kemi nisur këtë aeroport, nëse e mbani mend kemi folur gjithmonë për mundësinë që duhet t’i japim diasporës sonë që të aksesojë vendin dhe që të kthehet në vendlindje pa përdorur habet e tjera. Por, ndërkohë kjo nuk ka të bëjë vetëm me diasporën sot, ka të bëjë me vizitorë, të cilët ashtu siç erdhën nga Italia apo nga vende të tjera mund të vijnë nga Amerika, apo nga Kanadaja për të vizituar Shqipërinë dhe për të zbritur pikërisht në hyrjen më të rëndësishme turistike të vendit”, tha Balluku.

Edhe porti i Durrësit ka qënë një hyrje e rëndësishme për pasagjerët.

“Gjithashtu do të doja të theksoja se në portin e Durrësit nga janari deri në shtator 2023 janë përpunuar 700 mijë pasagjerë ose thënë ndryshe 31 mijë ose 5% më shumë pasagjerë krahasuar me 9 mujorin e 2. Ndaj të gjitha këto shifra dhe këto numra nuk na bëjnë entuziast, thjesht na vënë para një përgjegjësie për të punuar edhe më shumë përsa i përket vitit tjetër.”

Tursitë në Kalanë e Shkodrës (Foto Kapitali.al)

Tursitë në Kalanë e Shkodrës (Foto Kapitali.al)

Sa më shumë të shtohet numri i turistëve, aq më shumë dalin në pah edhe mangësitë në menaxhimin siç duhet të vizitorëve në të gjitha aspektet.

“A kemi identifikuar problematika?! Po, pafund. Sa më shumë rritet numri i vizitorëve aq më shumë ne përballemi me problematikat. Siç ishte rasti i menaxhimit të ujërave të ndotura, të cilat derdhen në ujërat larëse. Gjithçka që ne duhet të bëjmë për të mitiguar këtë problem, i cili ka lidhje me turizmin, ka lidhje me njësitë tregtare të lidhura me turizmin, ka lidhje me  hotelerinë, ka lidhje me restorantet, me baret, ka lidhje më fshatrat turistikë. Kështu që të gjithë sëbashku ne kemi arritur të identifikojmë problematikat dhe sot po i japim zgjidhje qoftë kjo ligjore apo financiare për të mos u përballur me të njëjtat probleme në të ardhmen.”- theksoi Balluku.

Porti i Durrësit (FotoKoha jone)

Porti i Durrësit (FotoKoha jone)

Nevojë e domosdoshme  është edhe krijimi i kushteve për qarkullimim me transport urban nga turistët në zona të ndryshme të Shqipërisë.

“Një nga problematikat që kemi identifikuar ne në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë është transporti urban. Varet dhe nga kultura e vizitorit. Të gjithë ata vizitorë të cilët vijnë nga veriu i Europës e kanë shumë të domosdoshme të përdorin transportin urban, gjë të cilën ne nuk e ofrojmë në të gjithë territorin e vendit. Është shumë e vështirë sot që t’i kërkosh Sarandës që të ketë një transport të rregullt urban ndërlidhës me Ksamilin”- shton Balluku.

Sipas ministres, 2024-ta do të jetë viti i certifikimit të Shqipërisë si një vend turistik për të treguar se sa jemi të aftë të presim në një nivel tjetër turistët që zgjedhin Shqipërinë.