Publikohet libri i bardhë "Një brez, një rrugë"
2023-10-10 18:51:34

Nisma "Një brez, një rrugë" është propozuar nga Kina, por ajo i përket botës dhe prej saj përfiton mbarë njerëzimi, thuhet në një libër të bardhë të publikuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës të martën.

Libri i bardhë, me titull "Nisma 'Një brez, një rrugë': Shtyllë kyçe e bashkësisë globale me të ardhme të përbashkët", thekson se Kina e propozoi këtë nismë në përgjigje të një situate globale në ndryshim dhe pritshmërive të bashkësisë ndërkombëtare dhe duke pasur në mendje të ardhmen dhe interesat e përgjithshëm të njerëzimit.

Nisma "Një brez, një rrugë", një hap i madh i ndërmarrë nga Kina, synon të promovojë zhvillimin me cilësi më të lartë përmes hapjes me standarde më të larta dhe të ndajë mundësitë e zhvillimit të Kinës me pjesën tjetër të botës, vihet në dukje në këtë dokument.

Një numër i madh projektesh infrastrukturore janë ndërtuar, duke shënuar përparim të konsiderueshëm për vendet pjesëmarrëse në ndërtimin e hekurudhave, autostradave, gazsjellësve, në sektorët e transportit detar, energjetikës, komunikacionit dhe objekteve të tjera bazë të shërbimit publik, sipas librit të bardhë.

Në krijimin e kapaciteteve për uljen e varfërisë në vendet pjesëmarrëse, Kina ka marrë një pjesë aktive në qeverisjen globale të ushqimit dhe bujqësisë, teksa vendet në zhvillim ende përballen me sfidën e problemeve që lidhen me ushqimin.

Më shumë se 2 000 ekspertë dhe teknikë bujqësorë janë dërguar në mbi 70 vende dhe rajone, dhe më shumë se 1 500 teknologji bujqësore, si orizi hibrid, janë paraqitur në shumë prej këtyre vendeve.

Sipas dokumentit, tregtia e Kinës në produktet bujqësore me partnerët e v"Një brez, një rrugë" ka arritur në 139.4 miliardë dollarë amerikanë.

Me qëllim rritjen e punësimit, Kina ka ndihmuar në ndërtimin e parqeve industriale me vendet pjesëmarrëse dhe ka dhënë udhëzime për ndërmarrjet kineze për të krijuar vende pune për banorët vendas nëpërmjet bashkëpunimit industrial të nivelit të lartë në procesin e bashkëpunimit.

Janë arritur rezultate të dukshme në projektet për përmirësimin e jetës së njerëzve. Gjatë 10 viteve të fundit, ndërmarrjet kineze kanë nisur më shumë se 300 projekte për zbutjen e varfërisë, kujdesin shëndetësor dhe rehabilitimin, dhe projektet "Vatra e lumtur" në vendet pjesëmarrëse.

Vendet pjesëmarrëse do të vazhdojnë të lehtësojnë tregtinë, investimet dhe integrimin financiar përmes bashkëpunimit të nismës "Një brez, një rrugë", thuhet në librin e bardhë.

Tregtia e investimet po zgjerohen në mënyrë të qëndrueshme. Nga viti 2013 deri vjet, vlera e importeve dhe eksporteve midis Kinës e vendeve të tjera të "Një brez, një rrugë" arriti në 19.1 trilion dollarë amerikanë, me një rritje mesatare vjetore 6.4 për qind. Investimi i dyanshëm midis Kinës e vendeve të tjera të nismës arriti në 380 miliardë dollarë, duke përfshirë 240 miliardë dollarë nga Kina.

Deri në fund të gushtit 2023, më shumë se 80 vende dhe organizata ndërkombëtare janë përfshirë në Nismën për Promovimin e Bashkëpunimit të Papenguar Tregtar përgjatë "Një brez, një rrugë", të propozuar nga Kina. Kina kishte nënshkruar 21 marrëveshje të tregtisë së lirë me 28 vende dhe rajone.