Kryeministri Rama kritikon ndërtuesit për mosdeklarimin e çmimeve reale të shitjes së apartamenteve
2023-10-09 11:23:28

Ndërtimet në Tiranë (Foto Gazeta bulevard)

Ndërtimet në Tiranë (Foto Gazeta bulevard)

Shoqata e Ndërtuesve ka përsëritur sërish shqetësimin se rritja e çmimeve të referencës mbi të cilat llogaritet taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe taksa 3% e strehimit social ka rritur mesatarisht 40% kostot për ndërtimin në Tiranë. Në takimin me Kryeministrin Edi Rama, Erjon Harizi kryetari i bordit drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve i kërkoi atij rishikimin e tyre, pasi ndryshimet e kryera në mes të vitit për kosto shtesë nuk janë llogaritur nga ndërtuesit.

“Ne shtator të këtij viti ju kemi dërguar një letër ju zoti kryeministër, ministrave të linjës dhe ministres që është këtu sot në lidhje me disa problematika, që na e kanë bërë të pamundur aktivitetin këtë vit. Më kryesorja është miratimi i VKM 457 në 27 korrik 2023 e cila ka të bëjë me rritjen e çmimit të referencës në masën 40% mesatarisht dhe në përgjithësi nuk kemi kundërshtim me reference, por pasojat që na jep në taksat e ndikimit në infrastrukturë në taksat e 3% dhe gjithë zinxhirin e taksave të Bashkisë së Tiranës, e ka rritur taksën e ndërtimi në 40% koston e ndërtimit. Ne kemi kundërshtuar me ministren në takim në qershor, pasi i kemi thënë që nuk mund të bëhen ndërhyrje të tjera në mes të vitit fiskal pasi nuk është llogaritur nga ndërtuesi kjo pagesë.”-tha Harizi.

Kryeministri Edi Rama  (Foto gazeta dita

Kryeministri Edi Rama  (Foto gazeta dita

Sipas Harizit ndërtimi po ndjen barrën e taksave më shumë se sektorët e tjerë.

“Ne si sektor jemi më të penalizuarit pasi i përket kontributit social 3% që vetëm ndërtuesi e paguan në Shqipëri. Kryesisht vetëm ndërtuesi në Tiranë, pasi janë këtu ndërtimet më të mëdha. Deri në fund të vitit 2022 si kontribut nga ndërtuesi në Tiranë ka paguar po themi nga biznesi rreth 100 milionë euro për të pastrehët. Kjo taksë që ishte e përkohshme duhet të shfuqizohet dhe  nuk mund të jetë taksë e pafund dhe nuk mund të bëhet lekë vetëm me sektorin e ndërtimit. Gjithashtu kemi edhe disa probleme të tjera që kërkojmë përgjigje, që është taksa e dheut, e cila nuk është mbetje, por është mall dhe ne për këtë paguajmë goxha para në landfill. Kemi dhe një VKM tjetër që ndërtuesi duhet të bëjë sigurimin e detyrueshëm apartamentit për 10 vite, pasi ndërtuesi ndërton një apartament dhe e shet dhe nuk mund të paguajë për 10 vjet apo 20 vjet. Një kosto tjetër është eficenca teknike, një taksë që në varësi të metrave nuk mbaron asnjëherë, tarifa duhet të rishikohet në varësi të metrave që ndërtuesi ndërton. Por dy më kryesoret janë taksa 3% dhe VKM e mesit të këtij vit dhe e kemi të pamundur t’ ia dalim.”

Në përgjigjen e dhënë Kryeministri Rama ka qënë kritik për ndërtuesit teksa lë të kuptohet se nuk do të ketë tërheqje apo rishikim të ndonjë takse në ndërtim.

“Çfarë nuk kishit parashikuar ju, që shteti do t’ju thoshte që nuk mund të vazhdoni të deklaroni shitje shumë nën faktin? Këtë nuk kishit parashikuar ju? Ju kishit bërë një plan biznesi që do gënjenit shtetin pa mbarim dhe do shisnit apartamente me 2 000 euro dhe do t’i deklaroni të shitura me 850 euro? Në plan biznesi e keni ju dhe evazionin? Nuk kishit parashikuar që shteti do vinte momenti do thoshte “Stop” sepse në ndërkohë ju ndërtoni, bëni shumë mirë që ndërtoni, kontribuoni në ekonomi padiskutim, por paralelisht, bashkitë duhet të ndërtojnë infrastrukturë, duhet të rindërtojnë hapësirat rreth e rrotull për të cilat ju nuk merrni përsipër të bëni gjë dhe nuk keni çfarë merrni përsipër, e kështu me radhë shumë gjëra që kanë nevojë qytetet, duke filluar nga Tirana. Ju të shisni apartamente me 2000, 3000, 4000, 5000, 6000 euro, të shisni hapësira biznesi me 7000 apo 8000 euro dhe të deklaroni atje çmime që janë larg të vërtetës, kjo nuk mund të vazhdojë dhe çmimet e referencës nuk janë vënë në mënyrë arbitrare, janë vënë mbi bazën e tregut. “- tha Rama.

Sipas Kryeministrit barra fiskale është në bazë të çmimeve të tregut.

“Nuk është e vështirë të marrësh vesh sa shitet një metër katror tek blloku, sa shitet një metër katror tek Liqeni, sa shitet një metër katror tek Astiri, e kështu me radhë. Është bërë një studim i thjeshtë i tregut, janë marrë çmimet reale dhe ju është vënë juve detyrimi që ju të përgjigjeni ndaj shtetit, ndaj shoqërisë, ndaj gjithë të tjerëve në bazë të çmimeve reale. Sa doni të fitoni ju në këtë histori? Ju doni të fitoni sa më shumë, është e drejta juaj. Nuk është detyra e biznesit që të sigurojë që 100% të ardhurave që janë detyrime ndaj shtetit, t’i mbledhë shteti, është detyra e shtetit. “

Sipas Kryeministrit Rama, në çmimet e apartamenteve ka luhatje çdo javë dhe kjo duhet të reflektohet edhe në buxhet me mbledhjen e taksave.

“Të mos ta dëgjoj më këtë historinë, ju mund ta vazhdoni, por kijeni parasysh që nuk e dëgjoj më fare historinë e vendosjes në një nivel të arsyeshëm sepse nuk është akoma maksimumi që duhej vendosur, por në një nivel të arsyeshëm të asaj që shteti kërkon kur ti deklaron shitje sepse kur ti gënjen, atëherë shteti ka detyrë të thotë, “këtu nuk është kaq” dhe është bërë kohë e gjatë që është qëndruar në çmime të vjetra, ndërkohë që çmimet rriten çdo javë. Rritja e çmimeve çdo javë është shenjë shumë e mirë në një aspekt për rritjen e vlerës së pasurisë, por nga ana tjetër është një rritje nga e cila duhet të përfundojnë të gjithë, jo vetëm ju. “

Erjon Harizi (Foto Shoqata e ndertuesve)

Erjon Harizi (Foto Shoqata e ndertuesve)

Sa i takon kontributit social, Rama bën një paralelizëm me New York-un.

“E dyta, të duket shumë 3% kontribut social për çdo ndërtim? E ke gabim. E ke shumë gabim sepse po të marr strofullën e kapitalizmit më ultra kapitalist, New York, ku nuk ndërton dot një godinë ku t’i shesësh të gjithë apartamentet sepse nuk të lë shteti i New York ta bësh këtë punë, por të thotë “Ti do shesësh kaq apartamente dhe kaq % do t’i japësh me qera”. Të vendos edhe se sa duhet t’i japësh me qera, nuk mund t’i japësh sa të duash ti. Pse? Në mënyrë që ata që kanë kapacitet për t’i blerë apartamentet dhe për t’i bërë pronë, që janë ata që kanë më shumë, të mos marrin gjithçka aty ku zhvillohet një pronë, por ta ndajnë këtë gjë, këtë hapësirë të përbashkët, ajrin e New York, me disa të tjerë që nuk kanë mundësi ta blejnë, por kanë mundësi që ta marrin me qera. Kështu vepron New York. “

Rama tha se shteti bën punë duke vjelur taksa sipas fitimeve që ka sekori i ndërtimit që janë të konsiderueshme.

“E fundit, askush nuk ju detyron të ndërtoni me zor. Ju ndërtoni sepse të ndërtosh ka shumë interes madje dhe sepse fitoni shumë dhe bravo ju qoftë, për këtë ndërtoni. Ne flasim këtu për procedura, ju më thoni “ju kemi çuar letër”. Çoni letër dhe kërkoni që shteti të mos marrë atë që i takon për njerëzit? Çfarë letre është ajo? Jo të mos marrë atë që i takon, por thoni “pse shteti na kap në mes të vitit ne duke gënjyer, pse nuk na lë të gënjejmë deri në fund të vitit se ne kështu jemi mësuar të gënjejmë”, por kjo nuk mund të ndodhë! :”- tha Rama.

Llogaritë janë të qarta sipas Ramës se sa fitojnë ndërtuesit.

“Unë e di që ju gënjeni nga halli, por vjen një moment që shtyhet më tutje kufiri dhe kështu harmonizojmë interesat më mirë që edhe ju të fitoni patjetër sepse edhe me këto referenca ju përsëri fitoni jo pak, se ne dimë tua bëjmë llogaritë se kemi gjithë atë Ministri Financash që merret me këtë punë. Nga ana tjetër, mos i hyni më kësaj “janë mbledhur 100 milionë për socialet në Tiranë”. Nga i nxirrni këto llogari? “

Rama tha se taksa 3% do të vazhdojë të jepet aty ku ndërtohet, duke përfituar nga programet sociale të pastrehët.

“Ato janë sipërfaqe të cilat unë mendoj që Bashkia e Tiranës nuk duhet t’ju tolerojë që t’i jepni në vend tjetër, si fillim dhe ky është një diskutim që e kam bërë me Bashkinë e Tiranës. Ju duhet t’i jepni ato 3% aty ku ndërtoni, jo ndërto ti këtu dhe ma jep 3% në fund të botës se disa njerëz do jetojnë në qendër dhe janë ca të tjerë që do rrinë në fund të botës që të kenë afër delet. Kjo nuk është e drejtë dhe ne do ta shikojmë këtë që 3% të jepet aty ku ju ndërtoni, aq sa i takon njerëzve në Tiranë të cilët duhet të përfitojnë nga ato programe”, u shpreh kreu i qeverisë në takimin me ndërtuesit.