Kina do të nxisë zhvillimin e qytetërimit nëpërmjet vetëbesimit kulturor dhe hapjes
2023-10-09 15:08:21

Nga mësimi vetë i gjuhës kineze deri në bërjen nxënëse e një mjeshtri të trashëgimisë kulturore kineze, Amiris Rodrigues Barros, një vajzë braziliane që po studion për gradën "master" në Universitetin Nankai në qytetin Tianjin të Kinës Veriore, është e dashuruar me kulturën tradicionale kineze.

Foto:Xinhua

Amiris Rodrigues Barros mëson "Jingdong Dagu" nga mësuesi Wang Wenlei(Foto:Xinhua)

Si nxënëse dhe partnere interpretimi e artistit të "Jingdong Dagu", Wang Wenlei, Amiris e ka kuptuar vërtet hijeshinë e kulturës tradicionale kineze dhe shpreson se do të bëhet një nxitëse e shkëmbimeve kulturore midis Kinës dhe Brazilit.

"Mendoj se kjo gjë është shkëmbim dhe trashëgimi kulturore. Ne e vlerësojmë njëri-tjetrin dhe përparojmë së bashku. Kjo është ajo që populli kinez e quan mësim të ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve," i tha ajo Grupit Mediatik të Kinës.

Në një veprimtari të organizuar në Pekin fundjavën e kaluar, presidenti kinez Xi Jinping dha një udhëzim mbi punën e komunikimit publik dhe kulturës, duke theksuar nevojën për forcimin e besimit kulturor nëpërmjet hapjes dhe përfshirjes.

Kina ka shfaqur karakterin dhe vetëbesimin e saj kulturor, duke vijuar të promovojë shkëmbimet dhe mësimin ndërmjet qytetërimit kinez dhe qytetërimeve të huaja.

Në Shangai, për shembull, gjithsej 3075 ndërtesa historike, 397 rrugë e 250 lagje të mbrojtura dhe 44 zona historiko-kulturore ofrojnë një hapësirë të re dhe të gjallë kulturore.

Kultura urbane gjithashtu fuqizon rritjen ekonomike. Në vitin 2022, të ardhurat e përgjithshme të industrive kulturore dhe krijuese të Shangait përbënin rreth 13 për qind të PBB-së së qytetit.

Në vitet 2022 dhe 2023, një sërë ekspozitash të huaja u zhvilluan në muzetë dhe galeritë vendore, duke ofruar koleksione të ndryshme e të shkëlqyera arti për banorët dhe duke promovuar mësimin e ndërsjellë dhe shkëmbimet ndërmjet qytetërimeve të ndryshme.

Vizitorë të rinj në muze gjatë pushimit të Ditës Kombëtare, 5 tetor 2023, qytet Yuncheng, provincë Shanxi(Foto:VCG)

Vizitorë të rinj në muze gjatë pushimit të Ditës Kombëtare, 5 tetor 2023, qytet Yuncheng, provincë Shanxi(Foto:VCG)

Këtë verë, popullariteti në rritje i udhëtimeve studimore me kulturën tradicionale në fokus ka tërhequr një fluks vizitorësh në muzetë në Kinë.

Në përgjigje ndaj "etheve muzeale gjatë pushimeve verore", 46 muze të Pekinit anuluan përkohësisht mbylljen e tyre javore të së hënës në gusht, duke hapur dyert e tyre çdo ditë për vizitorët.

Për shkaqet që qëndrojnë pas këtyre "etheve muzeale", Guo Sike, drejtori i Muzeut të Konfucit në qytetin Qufu të provincës Shandong të Kinës Lindore, theksoi "ethet për kulturën tradicionale", sidomos mes të rinjve kinezë.

"Brezat e rinj kanë vetëbesim kulturor dhe e duan kulturën e shkëlqyer tradicionale kineze," tha Guo.

Për të krijuar një qytetërim modern kinez në këtë pikënisje të re historike, Kina duhet të mbetet e sigurt në kulturën e saj dhe të vazhdojë të ndjekë rrugën e vet, duke e shndërruar përvojën kineze në teori kineze, për të realizuar pavarësinë dhe vetëmbështetjen intelektuale, tha kreu i shtetit i Kinës gjatë një mbledhjeje mbi trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin të mbajtur në qershor.

Sipas tij, puna përkatëse duhet bërë me fokus në misionin e ri kulturor, i cili është zhvillimi i mëtejshëm i lulëzimit kulturor, shndërrimi i Kinës në një fuqi kulturore dhe nxitja e zhvillimit të qytetërimit modern kinez në një pikënisje të re historike.

Xi ka thënë më parë se vetëm një qytetërim me vetëbesim mund të jetë tolerant, të mësojë nga qytetërime të ndryshme dhe të përthithë prej tyre, duke ruajtur karakteristikat e veta kombëtare.

Një shfaqje artistike në rrugë për ritet e dasmës tradicionale kineze, 22 gusht 2023, qytet Linyi, provincë Shandong(Foto:VCG)

Një shfaqje artistike në rrugë për ritet e dasmës tradicionale kineze, 22 gusht 2023, qytet Linyi, provincë Shandong(Foto:VCG)

"Qytetërimet marrin forma të ndryshme, duke e bërë botën plot ngjyra dhe të larmishme," tha ai, duke bërë thirrje për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të njerëzimit dhe për të shkruar një kapitull të ri në ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit.

Kina ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore me më shumë se 20 vende dhe ka kryer mbrojtjen dhe restaurimin e relikteve kulturore, si edhe bashkëpunim arkeologjik me vendet pjesëmarrëse në nismën “Një brez, një rrugë”.

Gjatë organizimit të Konferencës mbi Dialogun e Qytetërimeve Aziatike, Kina zhvilloi një ekspozitë të qytetërimeve aziatike, duke mbledhur së bashku më shumë se 400 thesare kulturore nga 49 vende, duke paraqitur hijeshinë unike të trashëgimisë kulturore njerëzore të Azisë dhe duke promovuar mësimin e ndërsjellë dhe zhvillimin e përbashkët të qytetërimeve.(Zhang Yan/Artan)