Durrësi, si qytet port pranë detit, ka qënë gjithmonë një pikë strategjike e, për këtë arsye, ai ruan plot histori brenda tij. Ndërsa kalon nga qendra e qytetit, vizitori ka mundësi të vizitojë njëri pas tjetrit një varg monumentesh madhështore si takim konkret me lashtësinë si dhe një varg muzeumesh ku artefaktet plotësojnë historinë. Ndiqni udhëtimin tonë në Amfiteatrin Romak, në Torrën veneciane, Muzeun Arkeologjik, apo Muzeun Etnografik, ku do të mësoni historinë e pasur të këtij qyteti antik.
Muzeu Arkeologjik
Nëse doni të njihni më tepër mbi të shkuarën e qytetit, Muzeu Arkeologjik është ideali. I konsideruar si më i madhi në vend, në të janë të ekspozuara objekte të rëndësishme, përmes të cilave rrëfehen etapat e ndryshme historike që ka kaluar qyteti.
Muzeu Arkeologjik - foto kultura. gov.al
Sa hyni në këtë muze në pjesën ballore të tij do të gjeni xhevairet e tij, skulpturat e mëdha që janë dëshmitare të këtyre periudhave. Që nga statuja e Geas perëndeshës së tokës e pjellorisë, tek Artemisa, hyjnia që mbron qytetin dhe u jep fuqi grave e e deri tek skulptura e perandorit romak. Në këtë muze ju do të udhëtoni në tre periudha të rëndësishme: prehistorike, helenistike dhe romake.
Duke qenë një vend bregdetar ka bërë që muzeu të pasurohet jo vetëm nga zbulimet e nëntokës, por edhe nga zbulimet nënujore. Aty mund të gjeni spirancat e anijeve dhe amforat e nxjerra nga fundi i detit, të cilat dëshmojnë për tregtinë e zhvilluar gjatë asaj periudhe. Veprat e shumta monumentale të këtij muzeu janë një dëshmi e gjallë e historisë sonë, të cilat prej vitesh e kanë kthyer Muzeun Arkeologjik ndër më të vizituarit.
Amfiteatri i Durrësit
Amfiteatri i Durrësit mbetet një prej më të mëdhenjve të botës së lashtë dhe një ndër dhjetë amfiteatret më të bukur romakë. I zbuluar në vitin 1966, është konsideruar si një perlë e Ballkanit.
Amfiteatri i Durresit - foto Obserber Kult
I ndërtuar gjatë shekullit të dytë të erës sonë, amfiteatri u ndërtua gjatë kohës së perandorit Trajan, i dyti prej Perandorëve të Mirë Romakë me të cilin në krye perandoria lulëzoi e, bashkë me të, edhe ndërtimet e asaj kohe. Një pjesë e Amfiteatrit të Durrësit mbetet ende e pazbuluar, duke i shtuar këtij vendi sharmin e misterin e një vepre jo të plotë. Arena, aty ku një herë e një kohë zhvilloheshin ndeshjet e gladiatorëve rrethohet nga shkallaret ku mendohet se shijonin spektaklin rreth 20 000 spektatorë. I ndërtuar nga mjeshtërit vendas, me arenën, shkallaret, galeritë dhe dy menianume (llozha), në atë kohë amfiteatri vlerësohej si kolos i arkitekturës së lashtë. I përbërë prej gurësh dhe tullash, amfiteatri vishet nga një fasadë dy katëshe, me harqe e kolonadha të dekoruara me dritare të cilat shohin drejt qendrës së qytetit. Në perëndim të ditës, nga amfiteatri që ndodhet vetëm pak metra larg bregut të Adriatikut, mund të shihet qyteti i lashtë i Barit në Itali.
Amfiteatri i Durresot - foto Monumnets of Art
Me ndalimin e ndeshjeve mes gladiatorëve nga perandor Honori, amfiteatri e humbi funksionin e tij dhe nisi të përdorej si varrezë. Muret e galerive të tij janë të mbushur me afreske dhe mozaikë mbresëlënës. Në çdo hap që hidhni mbi këto rrënoja, do ta ndieni veten pjesë të një historie shumë të lashtë e të një vendi perandorak që ju fton të udhëtoni përmes shekujve.
Tregu bizantin
Tregu Bizantin mbetet qendra e qytetit modern të Durrësit ashtu si, një herë e një kohë, ai ka qënë qendra romake bizantine e qytetit të vjetër në kohët e lashta. Falë strukturave të këtij kompleks të gjerë, ai ka një ngjashmëri të veçantë me Tregun Rrethor në Konstandinopojë, i cili nuk ekziston më që prej vitit 1204. Kur e sheh këtë treg nga afër ndjen edhe frymën e asaj kohe! Ndërtuar gjatë kohës së Perandorit Romak Anastas në fund të shekullit të 6-të, së bashku me fortifikimet e qytetit-port, ky konstruksion shquhej si një nga më të fortët në të gjithë zonën e Ballkanit.
Tregu bizantin - foto Monuments of Albania
I zbukuruar me kolona e me pllaka të mëdha prej mermeri, paraqitja arkitekturore e tij dëshmon funksionin e një shesh-tregu të hapur. Me një gjatësi 40 m ky treg nuk ishtë ideuar thjesht për tregëti e prandaj ai njihet edhe si Forumi Bizantin. Tregu ka edhe një zonë rrethore me një diametër pothuajse 6 m ku mund të ketë qenë vendosur monumentale apo një kolonë, ndëra në gjatësi të harkut ngriheshin ambiente shërbimi e tregëtie. Kolonat e këtij tregu tashmë janë edhe korniza të bukura përmes së cilave shihen grimcat e qytetit të ri.
Torra Veneciane
Torra Veneciane është një nga strukturat më interesante historike mbrojtëse të qytetit të Durrësit. Torra është pjesë e kalasë bizantine të Durrësit, e cila konsiderohej si një nga kështjellat më të fuqishme të bregut perëndimor të detit Adriatik. Kalaja që shohim sot e ka origjinën nga fushatat e para ndërtimore të Perandorit Bizantin Anastasius I, i cili ishte nga Durrësi. E ndërtuar në majë të kalasë bizantine, torra i përket shekullit XV dhe është e pajisur me topa që mbronin qytetin nga deti. Në fakt, ajo u ndërtua si një kullë e projektuar posaçërisht për artileri dhe shërbeu si një pikë kryesore vëzhgimi e zonës përreth.
Torra veneciane- foto euroculture
Torra sot është një vend mjaft atraktiv për turistët, të cilët eksplorojnë historinë e Durrësit përmes projeksionit multimedial që projektohet në kupolë si dhe marrin informacion për historinë e Durrësit përmes një aplikacioni, tabletave në vendosura në hyrje të torrës dhe nëpërmjet një udhëzuesi audio të disponueshëm në pesë gjuhë.
Shtëpia e Aleksandër Moisiut
Aleksandër Moisiu është një aktor me famë ndërkombëtare. Shtëpia e tij e shndërruar në muze ruan trashëgiminë e aktorit të madh shqiptar Aleksandër Moisiu, si dhe trashëgiminë etnografike të qytetit, duke luajtur edhe rolin e Muzeut Etnografik të qytetit. Është një shtëpi me arkitekturë mbresëlënëse ku spikat harmonia mes gurit dhe drurit. Kjo shtëpi u imponohet vizitorëve me modelin e saj qytetar dhe artefaktet që ruan në dhomat e saj. Dy dhoma i dedikohen Moisut ndërsa pjesa tjetër trashëgimisë etnografike të qytetit.
Muzeu etnografik- foto Muzeu etnografik fb
Pamje e brnedshme e Muzeut Etnografik- foto Muzeu etnografik fb
Aktori me baba shqiptar dhe nënë italiane ka kaluar në këtë shtëpi disa nga vitet e fëmijërisë së tij. Moisiu ka kryer studimet e hershme elementare në Durrës e më pas familja e tij u zhvendos në Trieste. Aleksandër Moisiu njihet për temperamentin e tij të fortë artistik që la gjurmë në skenat evropiane të artit skenik.
Neritana Kraja