Erolind Sokoli, artisti i ri i talentuar nga Kaçaniku i Kosovës që i vogël ka pasur pasion muzikën, Ai ka marrë pjesë në disa evente muzikore, ndër të cilat në kompeticionin muzikor “Raisings Stars” në Gjilan, ku interpretoi këngën “Faleminderit “ të grupit Elita 5. Tashmë ai ka nisur të bëjë ëndrrën e tij realitet, duke realizuar këngën e parë me titull “Malli”, e cila ka pak javë që është sjellë edhe me videoklip.
Erolindi e dashuron shumë muzikën rrok dhe dëshiron të vijojë këtë rrugëtim artistik, edhe pse studimet i ka kryer për Fizioterapi, por ka dëshirë që të vijojë së shpejti studimet edhe për muzikë. Sipas këngëtarit, ngjashmëria mes muzikës dhe mjekësisë është se, të dyja i shërbejnë shpirtit, trupit dhe mendjes së njeriut, pasi muzika është ilaç për shpirtin. Në intervistë për radio Ejani ai tregon rreth realizimit të këngës “Malli”, si dhe për dëshirat dhe planet për të ardhmen.
CMG: Përshëndetje Erolind! Urimet e mia për këngën tënde më të re!
Erolind Sokoli: Përshëndetje dhe faleminderit për vlerësimin tuaj ndaj këngës time dhe faleminderit për ftesën në formatin tuaj artistik. Është kënaqësi të ndaj çaste me ju sot.
CMG: Për çfarë flet kënga “Malli”, cila është fabula e saj?
Erolind Sokoli: Kënga ashtu si edhe vetë tituli “Malli”, flet për mallin në përgjithësi, malli për prindërit, motrën, vëllain, të dashurën apo të dashurin, por varet se në cilin prej këtyre personave e gjen veten më shumë dëgjuesi i këngës.
CMG: Sa kohë u desh për ta realizuar këngën dhe videoklipin “Malli”?
Erolind Sokoli: Realizimi i kësaj kënge zgjati më shumë se e kishim planifikuar. Është nisur realizimi që në fillimin e vitit 2021 dhe pas një viti e gjysmë u realizua e plotë, ashtu si kemi dashur. Ky ka qenë rrugëtimi im i parë, në realizimin e një këngë profesionale dhe kaq të bukur. Për këtë arsye na është dashur të presim gjatë, por ka pasur edhe sfida të tjera siç janë financat, koordinimi me kohën etj. Kënga është punuar nga studio “Alb Sound”, nga kompozitori Bekim Malsia dhe teksti nga Dritan Ismajli të cilët i përshëndes dhe i falenderoj për kontributin e dhënë. Gjithashtu kontribut shumë i madh ka qenë edhe nga familja, e cila më ka mbështetur e përkrahur gjithmonë me të gjitha mundësitë, në lidhje me artin, që është sa i bukur aq edhe sfidues.
CMG: Çfarë mesazhi dëshiron t'i japësh publikut nëpërmjet kësaj kënge?
Erolind Sokoli: Po, me këtë këngë i jap një mesazh publikut të cilët e kanë dëgjuar këngën, që ta kuptojnë rëndësinë e tematikës së këngës dhe ta ndjejnë në një farë mënyre këngën si në tekst, muzikë, por dhe në çdo pikë tjetër. Ju them që kjo këngë do të jetë pasqyra e shumë këngëve të tjera që do të sjell në vazhdim, të cilat do të jenë me po të njëjtin timber.
CMG: Ti ke interpretuar shumë covera të njohura. Cila është kënga jote e preferuar që e këndon shpesh?
Erolind Sokoli: Kam shumë këngë të preferuara, të cilat nuk mund t’i ndaj nga njëra-tjetra, por njëra të cilën e ndjej dhe e interpretoj më së shumti është kënga “Faleminderit” e grupit ikonë Elita 5, i cili është një grup fantastik dhe pasuri e artit tonë.
CMG: Po artisti i preferuar që do doje t’i ngjasoje?
Erolind Sokoli: Artistë të preferuar kam gjithashtu shumë, por do të veçoja vokalistin e grupit “Elita 5” Arif Ziberi, i cili për mua ka një zë shumë të bukur, gjithashtu më pëlqen shumë timbri dhe ngjyra e zërit të artistit Eugent Bushpepa, i cili është i kompletuar si nga zëri ashtu edhe nga paraqitja skenike. Të dy këta artistë janë për mua vlera e krenaria e shqiptarisë.
CMG: Zhanri i preferuar që i përshtatet vokalit, por edhe dëshirës tënde, besoj se është muzika rrok?
Erolind Sokoli: Zhanri im i preferuar në muzikë kuptohet që është Rock, por edhe shumë nëndegë që vijnë nga ky zhanër si Pop-Rock, Rock- Alternativ, HardRock, Blues Rock, Rock&Roll, Folk Rock etj, por sigurisht që shpirt më fle më shumë dhe sigurisht që përshtaten zërit tim, është natyrisht muzika Pop-Rock.
CMG: Ti e ke pasur pasion muzikën që në moshë të vogël. Na trego akrivitetet ku ke marrë pjesë, cilat janë?
Erolind Sokoli: Muzikën e kam dashur që në fëmijëri, por më vonë kam filluar të merrem më shumë me muzikën. Tani jam në hapat e para të rrugëtimit tim muzikor. Kompeticione ku kam marrë pjesë ka qenë konkursi “Raisings Stars” në Gjilan, ku mora pjesë me këngën “Faleminderit “ të grupit Elita 5. Ishte kënaqësi pjesëmarrja ime aty, ishte një hap dhe një eksperiencë e bukur që kalova aty.
Mentor Haziri & Erolind Sokoli
CMG: Kush e zbuloi talentin tënd ?
Erolind Sokoli: Talentin e kam zbuluar vetë, por edhe familja ka qenë pjesë e zbulimit më të thellë dhe më kanë dhënë shtytje që të filloj këtë rrugë artistike. Më kanë përkrahur e më përkrahin gjithmonë dhe unë falë tyre mora guximin ta nxjerr në pah shpirtin tim dhe pasionin që kam për muzikën.
CMG: Ti ke studiuar për Fizioterapi, por çfarë të përbashkëte kanë këto dy profesione për ty?
Erolind Sokoli: Po, është e vërtetë që unë kam studiuar për Fizioterapi, e cila është degë e mjekësisë dhe komplet ndryshe nga muzika, por ngjashmëria midis tyre është se, të dyja këto drejtime i shërbejnë shpirtit, trupit dhe mendjes së njeriut. Muzika ndonjëherë është ilaç për njeriun sepse me muzikë qetësohet shpirti, mendja dhe trupi. Ngjashmëria e këtyre të dyjave është se të dyja janë një shkencë dhe inspirim për njeriun.
CMG: Cila është dëshira jote më e madhe për të realizuar në jetë?
Erolind Sokoli: Dëshira më e madhe për të realizuar në jetë është që të arrij synimet e mia në profesion, por edhe pasionet e mia dhe të jetoj i qetë me një jetë normale afër më të dashurve të mi të familjes.
CMG: Ku e sheh veten pas një dekade?
Erolind Sokoli: Ndoshta pas një dekade në emër të Zotit, besoj dhe e shoh veten si një artist më i suksesshëm, më me eksperiencë sigurisht, më i vullnetshëm e sfidues, më i pjekur e i fortë mentalisht.
CMG: Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Erolind Sokoli: Planet e mia janë që dëshirat t’i bëj realitet, të bëj një jetë normale, të kaloj çaste me familjarët e mi, e të jem i gatshëm të përballoj sfidat e jetës që na presin, të jem i gatshëm për t’i kaluar dhe dëshiroj që t’i kaloj me shumë lehtësi e pjekuri.
CMG: Faleminderit dhe suksese!
Erolind Sokoli: Faleminderit edhe një herë për ftesën! Ishte kënaqësi të ndaja me ju këto çaste të bukura, si dhe të bisedonim për artin e planet e mia. I uroj të gjithëve suksese në jetë, si dhe të luftojnë për ëndrrat e synimet e tyre.
Intervistoi: Sava Lena