Foto nga CFP
Korriku i këtij viti shënon 1-vjetorin e vënies në përdorim të pjesës prioritare të autostradës Veri-Jug të Malit të Zi. Kjo është autostrada e parë në historinë malazeze dhe quhet “projekti i shekullit” në këtë vend. Gjatë vitit që është hapur për qarkullim, në këtë segment kanë kaluar mbi 2 milionë automjete, që është e barabartë me tre kalime për pothuajse çdo shtetas të Malit të Zi. Ky projekt ndërtohet nga Kina dhe është rezultat i realizimit të përbashkët kino-malazez të nismës “Një brez, një rrugë” përmes mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore.
Presidentja e Parlamentit të Malit të Zi Danijela Gjuroviç u shpreh: “Autostrada Veri-Jug e Malit të Zi e ndërtuar nga sipërmarrja kineze ka përmirësuar mjaft perspektivat e zhvillimit të vendit, ka lehtësuar ardhjen e investimeve dhe ka lidhur veriun me jugun. Kjo është një rrugë e begatë e Malit të Zi, e cila ndihmon lidhjen e vendit me Evropën dhe pjesën tjetër të botës”.
Nga ana e tij, presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviç tha: “Mendoj se nisma ‘Një brez, një rrugë’ e propozuar nga Kina ka arritur rezultate të jashtëzakonshme, veçanërisht siç dëshmohet nga disa projekte zhvillimi, duke përfshirë infrastrukturën e transportit dhe projektet energjetike”.
Në shtator dhe tetor të vitit 2013, Kina propozoi iniciativa bashkëpunimi për të ndërtuar përkatësisht “Rripin ekonomik të Rrugës së Mëndafshit” dhe “Rrugën Detare të Mëndafshit të Shekullin 21”, të referuara si nisma “Një brez, një rrugë”. Gjatë dekadës së fundit, kjo nismë ka marrë përgjigje pozitive nga bashkësia ndërkombëtare.
Hulumtuesi për çështjet kineze në Arabinë Saudite, Abdulaziz Alshabani u shpreh: “Nisma ‘Një brez, një rrugë’ synon ta lidhë botën nëpërmjet rrugëve, hekurudhave, transportit, naftësjellësve e rrjeteve të komunikimit. Rreth 150 vende dhe 32 organizata ndërkombëtare i janë bashkuar nismës. Iniciativa kineze po e befason botën me qëllimet e saj, duke e nxitur atë për nivele më të larta e më të mira në të ardhmen”.
Hekurudha Hungari-Serbi që lidh Budapestin me Beogradin është një projekt kryesor në ndërtimin e përbashkët të nismës “Një brez, një rrugë”. Kjo hekurudhë synon të ndërtojë një kanal të madh ndërlidhjeje për vendet e Evropës Qendrore e Lindore. Aktualisht pjesa e hekurudhës nga Beogradi deri në Novi Sad është vënë në përdorim dhe seksioni i mbetur deri në Budapest, është në ndërtim intensiv.
Ligjbërësi i Asamblesë Kombëtare të Serbisë Iroljub Arsiç tha: “Kjo është hera ime e parë që udhëtoj me këtë tren dhe jam shumë i kënaqur për këtë”.
Ndërsa presidenti i nderit i Shoqatës Kinë-Rumani Vicentiu Gheorghe vuri në dukje: “Hekurudha Beograd-Budapest është 350 kilometra e gjatë, njerëz e mallra mund të udhëtojnë mes dy kryeqyteteve brenda 2 orëve. Hungaria dhe Serbia presin me padurim zhvillimin e bashkëpunimit me Kinën, duke besuar se kjo është në favor të ngritjes së nivelit të jetesës së popujve të dy vendeve”.
Investimi në infrastrukturë është një fushë prioritare në ndërtimin e nismës “Një brez, një rrugë”. Një numër i madh projektesh infrastrukturore, duke përfshirë korridorin ekonomik Kinë-Pakistan, portin e Pireut në Greqi, hekurudhën me shpejtësi të lartë Xhakarta-Bandung në Indonezi, hekurudhën Hungari-Serbi dhe atë Mombasa-Nairobi në Kenia etj., kanë nxitur në mënyrë efektive zhvillimin ekonomik dhe punësimin lokal. Gjatë 10 viteve të fundit, linja e mallrave Kinë-Evropë ka operuar më shumë se 65 mijë trena, duke transportuar mbi 6 milionë kontejnerë me vlerë 300 miliardë dollarë. Ata janë bërë një arterie transporti që lidh Euroazinë dhe duke aktivizuar potencialin e zhvillimit ekonomik rajonal.
Kryetari i Shoqatës së Biznesit Austri-Kinë dhe avokati Georg Zanger tha: “Infrastruktura është gurthemeli i ndërlidhjes dhe një fushë prioritare për nismën ‘Një brez, një rrugë’. Shumë projekte infrastrukturore si autostrada, hekurudha, porte, tubacione, linja me fibra optike etj. janë vënë në përdorim. Më e rëndësishmja është se kjo nismë ka promovuar edhe shkëmbimet kulturore”.
Nisma “Një brez, një rrugë” nuk është një mjet gjeopolitik i Kinës. Gjatë 10 viteve të fundit, kjo nismë ka respektuar gjithmonë parimet e konsultimit të gjerë dhe kontributit të përbashkët. Nisma është një platformë bashkëpunimi e hapur e gjithëpërfshirëse, e cila jo vetëm u ka sjellë pjesëmarrësve përfitime, por edhe ka kontribuar në planin kinez për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në përballim të sfidave dhe për të përmirësuar qeverisjen globale.
Studiuesi brazilian për marrëdhëniet Brazil-Kinë Jose Nelson Bessa Maia u shpreh: “Kjo nismë e propozuar në vitin 2013 nga presidenti kinez Xi Jinping, është projekti më i madh i ndërtimit të infrastrukturës në historinë botërore, duke nxitur një investim prej rreth 1 trilion dollarësh. Nisma synon të promovojë ndërlidhjen mes vendeve e rajoneve pjesëmarrëse, lirinë tregtare e atë të investimeve, duke forcuar shkëmbimet mes qytetërimeve e popujve të ndryshëm ”.
Ndërsa Urusov Volodymyr, profesori i asociuar në Departamentin e Historisë në Universitetin Shtetëror të Kievit në Ukrainë “Taras Shevchenko”, tha: “Efektiviteti i ndërtimit të përbashkët të nismës ‘Një brez, një rrugë’ nuk reflektohet vetëm në fushën e transportit, të tregtisë etj., por edhe nëpër male e dete, duke promovuar shkëmbimet mes qytetërimeve të Kinës dhe vendeve përgjatë itenerarit”.