Mark Gjoka me bashkeshorten Tone Gjoka
Mark Gjoka me artiste te tjere
Mark Gjoka ka një karrierë muzikore gati 50 vjeçare, duke interpretuar me mjeshtëri të lartë artistike këngën folklorike dhe atë popullore të trevës së veriut. Ai ka bërë një punë të madhe në ruajtjen dhe kultivimin ndër breza të muzikës folklorike, duke përcjellë te brezat vlerat e vërteta të folklorit tonë. Numëron mbi 300 krijime muzikore, të cilat edhe sot interpretohen nga të gjithë në evente muzikore dhe festa familjare. Ai së bashku me bashkëshorten e tij, këngëtaren Tone Gjoka janë të pranishëm në çdo koncert apo event familjar brenda dhe jashtë vendit, për të kënaqur dëshirat e publikut. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) artisti Gjoka tregon për karrierën e tij muzikore, aktivitetet ku ka marrë pjesë si dhe projektet në vazhdim.
CMG: Keni një jetë në skenë me muzikën folklorike, por si kanë qenë fillimet tuaja me këtë zhanër muzikor?
Mark Gjoka: Mirdita njihet si një ndër trevat e zhvillimit të trashëgimisë kulturore kombëtare. Kushdo që ka kaluar nëpër Mirditë ka dëgjuar disa tinguj që janë krejt të veçanta në oazin e këngës shqipe, sepse vetë Mirdita përbëhet nga tinguj, të cilët kanë shoqëruar banorët e saj për mijëra vite. Në këta tinguj dhe oaz muzikor u rrit edhe familja ime, babai dhe nëna, në këtë oaz muzikor u rrita dhe unë. Ka rreth 50 vite që unë e lëvroj këngën mirditore folklorike dhe popullore dhe jam i lumtur që audienca preferon krijimtarinë time.
CMG: Kur ishte hera e parë që u ngjitët në skenë?
Mark Gjoka: Në vitin 1977 ishte hera e parë që unë bija në kontakt me një prej emrave më të shquar të këngës mirditore, poetin Gjok Beci. Në atë kohë isha mësues në Kurbnesh të Mirditës dhe regjisori i pallatit të kulturës të Mirditës më sjell një poezi, duke më thënë që të përpiqesha për ta muzikuar për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Fati im e solli që në vitin 1978 së bashku me Gjokën e punuam për Festivalin Folklorik kombëtar të Gjirokastrës dhe kënga të cilën unë e kisha punuar me shumë emocion “Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola” u bë një ndër këngët hit të atij festivali. Që prej atij viti bashkëpunimi me Gjok Becin ka vazhduar sepse ai ishte dhe themeluesi i grupit emblematik të burrave të Mirditës.
CMG: Përveç instrumentit të çiftelisë, a luani dhe në instrumenta të tjerë muzikorë?
Mark Gjoka: Kulla ime kishte fatin se ishte pothuajse në kapërcyell të kthellës së Oroshit dhe ishte dhe një qendër e zhvillimit të një lloj konkurimi folklorik të atyre njerëzve që vinin të banonin qoftë edhe për një natë në kullën tonë. Kështu që ne në kullë mbaj mend që fëmijët kishin edhe lahutën, fyellin, çiftelinë, kavallin dhe bilbilin, por çiftelia është ai instrument që u ngjiz tek unë sepse ishte dhe më e thjeshtë për ta mësuar, por e lëvronin pothuajse të gjithë pjesëtarët e familjes sime, babai, xhaxhallarët, më vonë dhe vëllai. Kështu që me çiftelinë nuk u ndava dhe vazhdoj të jem dhe sot.
Mark Gjoka gjate nje performance
Mark Gjoka pas nje aktiviteti
CMG: Në çdo performancë vishni kostumin popullor të Mirditës. Cili është emocioni që përjetoni me kostumin popullor?
Mark Gjoka: Kostumi folklorik sot ka marrë një peshë shumë të madhe jo vetëm ai mirditor, por kombëtar, sepse duke qenë në epokën e globalizmit është i vetmi artefakt që kurdo që në anën vizuale bie në kontakt me të, je në gjendje ta vlerësosh se i kujt është dhe kur është krijuar. Kostumi mirditor është ndër më të bukurit dhe ndër më të veçantit për mua. Të gjitha kostumet foklorike shqiptare janë të bukura, por ai mirditor tek unë ka lënë mbresën që edhe sot sa herë e vesh më emocionon, sepse më ngarkon me një histori të kësaj trashëgimie mijëracjeçare.
CMG: Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve gjatë karrierës muzikore?
Mark Gjoka: Kam një gamë të gjerë krijimtarie, më shumë se 300 këngë të cilat janë akoma dhe vazhdojnë të bëjnë jetën e tyre artistike në treg. Unë kam patur fatin të punoj që në fillesat e mia me kompozitorin e madh me përmasa botërore Çesk Zadeja, me Vladimir Kotanin, Aleko Korecon e shumë të tjerë. Gjithashtu kam patur fatin të punoj me Gjok Becin, Viktor Gjikolën, Bardhosh Sulejmanin, Frank Vorfin, Frank Laskën dhe në këtë vrull krijimtarie unë vazhdoj të marr urime nga miqtë e këngës time, duke filluar që nga trio lirike e Rubikut. Është një cikël këngësh që patëm krijuar së bashku me Gjok Becin dhe me këngëtarët e mrekullueshëm Anton Gjoka dhe Dodë Prendi me këngën “Del syzeza buzë Valmorit”, dhe shumë këngë të tjera të njohura. Këngën “I thashë zogut të bjeshkës” ja pata kushtuar këngëtares Tone Gjoka, që më vonë u bë bashkëshortja ime dhe ka 40 vjet që jemi bashkë në skenë.
CMG: Si kanë qenë këto 40 vite në skenë me këngën popullore bashkë me bashkëshorten tuaj artiste Tone Gjoka?
Mark Gjoka: Kjo është diçka që ndodhi, sepse ka problematikat e veta ky lloj kombinimi, ngaqë është shumë vështirë të punosh në art burrë dhe grua, por është shumë vështirë dhe sot sepse ne kemi detyrimet familjare dhe je i detyruar të jesh në radhë të parë familjar, pastaj të bësh aktin e qytetarisë në shërbim të komunitetit. Mua më ndodhi magjia, që vazhdoj ta përjetoj dhe sot një ndër mrekullitë e jetës time. Me Tonen ka rreth 40 vite që jemi në skenë, kemi rritur tre djem artistë që vazhdojnë jetën e bukur artistike, por kemi dhe tre nipa, të cilët po përpiqemi t’i afrojmë sa më shumë në udhën e bukur të këngës popullore dhe asaj folklorike.
CMG: Kënga është përcjellë ndër breza në familjen tuaj dhe kjo është diçka e mirë për ta trashëguar folklorit tone dhe në brezat që do të vijnë.
Mark Gjoka: Është domosdoshmëri dhe unë e kam si sensibilizim për të gjithë ata që na ndjekin, për arsye se kënga popullore ka nevojë për një mbështetje të gjithanshme, jo thjesht institucionale apo komunitare, por edhe individuale për arsye se shoqëria në përgjithësi po kalon një periudhë shumë të veçantë, dhe ky kalim pasqyrohet edhe në zhvillimin e artit, aq më tepër në zhvillimin e trashëgimisë kulturore. Unë personalisht ju them të gjithëve që duhet të rrisin ndjeshmërinë për edukimin e brezit të ri me frymën e kësaj trashëgimie kulturore artistike. Ne artistët duhet të jemi të parët që të japim kontributin tonë profesional në këtë drejtim.
Mark Gjoka gjate nje programi televiziv
CMG: Si jeni pritur në koncertet e zhvilluara jashtë vendit?
Mark Gjoka: Për herë të parë kam qenë në Zvicër në vitin 1990 si udhëheqës artistik i ansamblit Mirdita, dhe ishin emocione të jashtëzakonshme sepse ishte kontakti i parë që ne nga Shqipëria krijonim me shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Italisë. Unë kam punuar nga viti 1990 deri në vitin 2000 në Zvicër më shumë së bashku me Tonen. Pothuajse të gjitha koncertet hapeshin me këngën “Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola” dhe mbylleshin me këngën “Për liri s’të fal shqiptari”. Detyra që ne kishim në atë periudhë dhe vazhdojmë të kemi edhe sot mbetet gjithomnë e njëjtë, për të vetmen arsye se trashëgimia kulturore folklorike vjen nga një lashtësi mijëravjeçare nga trojet tona dhe është detyra jonë që kudo të jemi brenda dhe jashtë vendit të jemi punëtorët më të zellshëm të kësaj trashëgimie, për ta ruajtur atë dhe për ta transmetuar në breza.
CMG: Si jeni ndjerë nga vlerësimet dhe titujt e marrë për kontributin tuaj në ruajtjen e vlerave të folklorit?
Mark Gjoka: Jam i nderuar nga Presidenti i Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i Madh” , titujt Naim Frashëri i argjentë dhe i artë, si dhe vlerësime nga Bashkitë e Lezhës dhe Mirditës, por dhe nga vendlindja ime Komuna Orosh. Kështu që ndjehem i motivuar, duke u mbështetur në këto vlerësime sepse njeriu nuk punon për t’u vlerësuar, por punon për të dhënë. Kur kjo punë e jashtëzakonshme merr dhe vlerësimin e meritur, ndjehesh dyfish i përkushtuar dhe i obliguar për të punuar akoma më shumë.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në të ardhmen?
Mark Gjoka: Me kënaqësi mund të them se studio ime sot është plot, sepse unë nuk punoj vetëm për vete, por mrekullisht kam krijuar një kast këngëtarësh me të cilët bashkëpunoj dhe të cilët kanë besim tek krijimtaria ime, kanë pasur sukses me krijimtarinë time dhe unë vazhdoj të krijoj përsëri së bashku me ta vlera të mëdha, që sot në tregun shqiptar janë shumë të pëlqyera. Unë ndjej kënaqësi personale kur krijimtarinë time e dëgjoj të kënduar nga fëmijët në qytet.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese në vazhdim.
Mark Gjoka: Unë ju falenderoj si një dritare e jashtëzakonshme e realizimit të një imazhi, por dhe të një sensibilizimi, sepse e kemi për detyrë të gjithë t’i bëjmë artit, kulturës dhe në mënyrë të veçantë trashëgimisë sonë folklorike dhe atij arti bio që ju me shumë emocion e përcillni.
Intervistoi: Gazmend Agaj