Kinë, gjatë "javës së artë" udhëtimet e brendshme rriten 71.3 %
2023-10-07 17:35:48

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Sipas të dhënave të publikuara të premten nga Ministria e Kulturës e Turizmit e Kinës, gjithsej 826 milionë udhëtime të brendshme janë kyer në Kinë gjatë pushimeve për Festën e Mesvjeshtës dhe Festën Kombëtare të këtij viti. Këto udhëtime janë 71.3 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Pushimet e Festës Kombëtare quhen "java e artë" nga kinezët, të cilat zakonisht vazhdojnë për shtatë ditë. Por këtë vit, pushimet u lidhën me festën tradicionale kineze, Festën e Mesvjeshtës dhe zgjatën gjithsej tetë ditë, nga 29 shtatori deri më 6 tetor.     

Në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore, më shumë se 29 milionë udhëtime u bënë gjatë gjashtë ditëve të para të pushimeve, duke u rritur me 202 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njoftoi Agjencia e Lajmeve Xinhua.

Hangzhou, kryeqendra e provincës Zhejiang në Kinën Lindore, po organizon Lojërat e 19-të Aziatike dhe ka tërhequr shumë turistë për të vizituar pjesën piktoreske të Liqenit Perëndimor, por edhe për të ndjekur Lojërat Aziatike. Sipas Agjencisë Xinhua, deri të mërkurën, të ardhurat nga biletat e Lojërave i kishin kaluar shifrën 600 milionë juanë.

Lulëzimi i turizmit ka nxitur kërkesën e lartë për udhëtime ajrore, hekurudhore, hotele, furnizime me ushqim dhe shitje me pakicë. Të dhënat e fundit tregojnë se gjatë pushimeve, mbi 52 milionë udhëtime u bënë çdo ditë me hekurudha, autostrada, tragete dhe aviacion civil, duke shënuar një rritje prej 50 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Entuziazmi turistik gjatë "javës së artë" tregon qëndrueshmërinë e madhe ekonomike të Kinës, të shpërndarë në çdo skaj të vendit, duke shfrytëzuar pikat e saj të forta për të injektuar vitalitet në konsumin festiv.