Koncerti “Homeriada” i kompozitores, pianistes, studiueses dhe poetes Blerina Shalari solli për publikun kryeqytetas në fund të shtatorit një gërshetim i muzikës së dhomës me melodramën. E diplomuar në Universitetin e Arteve për Kompozicion, Blerina ka talent dhe në letërsi. Ada Shalari, motra e saj pianiste dhe muzikologe, nisi koncertin duke interpretuar tre miniatura pianistike, njëra prej tyre i dedikohej artistit Tonin Harapi, për të vijuar me interpretimin e artistëve të TKOB të cilët luajtën në piano, violinë, violinçel dhe flaut krijimet e kompozitores Blerina Shalari.
Blerina Shalari Kompozitore (Foto nga facebook)
Te “Homeriada” pianistja Ingrid Pulizo, profesoresha e Blerinës mbajti një peshë të madhe në këtë koncert, si pianiste, si koncertmaestre, por duke dhënë ndihmesën e saj edhe në organizimin e “Homeriadës”, flet për Radio Ejani rreth këtij koncerti.
Ingrid Pulizo: Personalisht ndjehem shumë e emocionuar të flas dy fjalë për Blerinën. Pas 'Homeriadës' siç e quajti ajo, fshihen orë të tëra pune, bisedimi, mundi i saj personal, sepse specifikisht për Blerinën të hidheshin materialet në letër ishte një sfidë më vete. Sa bukur shkruan ajo, tregoi koncerti, sa origjinale është në lëvrimin e temave, në përdorjen e timbrikës, në gjentjen e elementeve shprehës, në zhanre të ndryshme të muzikës duke filluar nga romancat qoftë për instrument, për vokal tek veprat ciklike,tek poemat që ajo aq bukur e ilustronte me melodinë e vet në piano, tek miniaturat që ja kushtonte Tonin Harapit, që aq bukur e luajti motra e saj Ada. Kënaqësi e dyfishtë për mua, sepse unë dhe Blerina jemi pjesë e rrugëtimit të njëra -tjetrës, që ditën e parë që ajo ka hyrë nxënëse e Liceut Artistik dhe në përfundim të studimeve kur ajo e përmbylli me një koncert recital me veprat e saj, sepse 'Homeriada' nuk është i pari.
Rapsodi i mbrëmjes ishte Homeri, që u interpretua nga aktori i mirënjohur i Teatrit Kombëtar Dritan Boriçi. Boriçi flet për Radio Ejani në lidhje me koncertin ‘Homeriada’ të kompozitores Blerina Shalari.
Foto nga koncerti Homeriada (Foto nga facebook)
CMG: Cilat janë përshtypjet tuaja për koncertin “Homeriada” të kompozitores Blerina Shalari?
Dritan Boriçi: “Homeriada” më shumë sesa një koncert recital, ishte një udhëtim artistik i vetë Blerinës. Pjesëmarrja në këtë eveniment i profesionistëve të jashtëzakonshëm të skenës shqiptare, në veçanti asaj muzikore, tregon që vlerat artistike të materialit që na u servir, ishin të një niveli të lartë. Ajo çfarë të bën përshtypje në gjithë këtë material, apo që ishte risi, ishte sensi poetik i Blerinës, e cila u materializua shumë bukur tek 300 vargjet e Hemeriadës.
Është punuar shumë për shkak se ishte një krijimtari e menduar jashtëzakonisht shumë mirë. Ajo çfarë do të veçoja është mesazhi i madh që sollën vargjet e Homeriadës. Mesazhi i paqes, i dashurisë së njerëzve, mesazhi për t’i thënë ‘Stop’ luftës. U ndjeva jashtëzakonisht mirë, një muzikë sipërore, po aq edhe një thurrje vargjesh e mrekullueshme. Nuk janë të shumtë ata poetë të cilët arrijnë të shkruajnë për aktorin. Jo çdo varg mund të interpretohet sepse poeti shkruan në rradhë të parë për veten e vet. Lasgushi thotë për poetët "Për kë këndon zogu", në rradhë të parë për veten e vet, e pastaj për të tjerët që ta shijojnë. E në këtë rast poema dramatike “Homeriada”, është një rast i rrallë e i veçantë, për të gjithë ata të cilët e njohin traditën skenike.
Foto nga koncerti (Foto nga facebook)
Mendoj që në këtë Tiranën tonë të mbushur shpeshherë me ardhjen e tallavasë, ky koncert ose ngjarje kulturore ishte vërtetë një rast për të bërë një reflektim nga shumë artistë, të cilët duhet patjetër që t’i përkushtohen artit dhe jo biznesit në art. Padiskutim që i uroj gjithë të mirat kompozitores, poetes, mikeshës time, motrës së saj, familjes. Ajo ka shumë miq të cilët e vlerësojnë shumë artin e saj. Besoj se thashë më shumë kur interpretova “Homeriadën” e Blerinës. Ishte kënaqësi!
-Për Radio Ejani nuk kishte si të mungonte dhe protagonistja e koncertit Blerina Shalari, e cila me talentin, këmbënguljen, dhe punën e saj të palodhur solli koncertin “Homeriada”, të realizuar aq bukur dhe me mjaft profesionalizëm.
CMG: Përshëndetje Blerina dhe urime për koncertin!
Blerina Shalari: Përshëndetje dhe faleminderit për intervistën dhe për urimin! Uroj që Radio Ejani të ketë sa më shumë prani të artistëve dhe të bëhet promotor i aktiviteteve të tyre.
CMG: Na trego më tepër rreth koncertit “Homeriada” dhe sa kohë u desh për tu përgatitur?
Blerina Shalari: Është e vërtetë që “Homeriada” është një koncert shumë i vështirë sepse është kompleks. Ky koncert është ideuar përpara 7-8 muajve në mendjen time. Si koncept koncertin “Homeriada”, mendova ta bëja edhe me përmbajtje letrare dhe jo thjesht muzikore . Koncerti ka një përbërje të dyfishtë, pra ka muzikë dhe dramë dhe është në vetvete një akumulim krijimtarie prej rreth 8 vjetësh, që nga viti 2015-2016 e deri më sot, sa kulmoi me melodramën “Homeriada” që është edhe sigla e tij.
CMG: Homeri, ka qenë frymëzim për shumë artistë që nga kohërat antike dhe koncerti yt mbante titullin "Homeriada" Na trego për lidhjen tënde të ngushtë me këtë autor legjendar?
Blerina Shalari: Është e vërtetë që Homeri është një poet i gjithkohshëm, një poet universal. Kam patur lidhje me të që në fëmijërinë time, e kam ndjekur në Radio Tirana, e kam ndjekur tek ‘Lufta e Trojës’, ‘Iliada’, ‘Odiseu’, etj. Në shkollë e kemi studiuar, gjithmonë e kemi përmendur dhe mendoj se ka qenë një bashkëudhëtar. Çdo artist duhet të jetë frymësuar, apo qoftë për të bërë një peisazh të gjithkohshëm të jetës, të pasqyrimit të realitetit, të drejtësisë që të jep Homeri si një mendimtar i madh. Në këtë aspekt e kam parë edhe koncertin tim dhe kam menduar që, të jetë ky koncert një gur themeli në krijimtarinë time, por le të vijë edhe si një kontribut i vyer në kulturën kombëtare. Me modesti e them edhe në kulturën ndërkombëtare, sepse Homeri dihet që është i përjetshëm dhe universal, në këtë mënyrë Shqipëria të tentojë t’i qaset kulturës ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e saj, duke trajtuar personazhe të saj, duke marrë nga tharmi i tyre, sepse siç ka thënë edhe Eskili; ‘Të gjithë artistët, apo të gjithë njerëzit të marrin dhe kanë çfarë të marrin nga tryeza e pasur e Homerit”.
Ingrid Pulizo Pianiste (Foto nga facebook)
CMG: Ky projekt do ketë vazhdimësi apo shtrirje më të gjerë?
Blerina Shalari: Dëshira ime është që “Homeriada” të ketë një jetëgjatësi si vepër, si melodramë në përgjithësi, por edhe koncerti do ishte mirë që të bashkërenditej me këtë. Kjo për arsye se ka mesazhe të rëndësishme, ka mesazhe aktuale, ofron një edukim si shfaqje edhe për publikun e gjerë ofroi një katarsis që njerëzit kanë nevojë sot të dëgjojnë artin e pastër, artin që jep e nxit idealin,që nxit të bukurën. Arti që edukon të vërtetën mendoj që, o të edukon me vërtetësi Homeri, o nuk të edukon asgjë tjetër. E në këtë aspekt e kam pare dhe unë. Mundësitë janë, gjithashtu edhe dëshirat janë, por e vërteta është pak e vështirë në Shqipëri. Të bësh shfaqje kaq komplekse, është e vështirë t’i përsëritësh ato, sepse janë shumë të kushtueshme. Shpresoj që shteti të jetë më i ndjehëm ndaj këtyre gjerave.
CMG: Faleminderit Blerina dhe suksese me projekte të tjera në vazhdim!
Blerina Shalari: Ju falenderoj shumë për vëmendjen që treguat ndaj koncertit “Homeriada” dhe ju mirëpres në aktivitete të tjera. Më keni bërë një dhuratë fantastike, i kam sytë plot me lot.
-Në koncertin “Homeriada” morën pjesë 13 artistë ndër të cilët Ingrid Pulizo në piano dhe koncertmaestre, Ardita Bufaj në piano, Oneila Llanaj në piano, Sara Luka në piano, Ada Shalari në piano, Gëzim Bulçari në violinë, Alban Tahiri në violinë, Alkena Shuteriqi në violë, Jona Çegrani në violonçel, Flobens Zyma në kontrabas, Enalda Gjoni në flaut, Marina Kurti soprano, si dhe i ftuar special aktori i mirënjohur i Teatrit kombëtar shqiptar Dritan Boriçi, moderuar nga Genti Minga. Përveç interpretimeve të artistëve pjesëmarrës, kompozimet për piano “Lundrim në det” dhe “Muzika e gjetheve kur bien”, ishin dy krijimet të cilat u interpretuan nga vetë kompozitorja Blerina, të cilat erdhën për publikun me mjaft teknikë dhe emocion.
Artistja Blerina Shalari ka studiuar për piano në Liceun Artistik “Jordan Misja”, më pas është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë për Kompozicion dhe së fundi, ajo ka mbrojtur titullin Doktore e Shkencave, me një temë në folklor mbi iso-polifoninë shqiptare. Ky koncerti i saj si kompozitore, do të mbetet si një kujtim shumë i bukur jo vetëm për Blerinën, por sigurisht për të gjithë ata që e shijuan dhe i morën emocionet e tij nga afër. Për Blerinën “Homeriada”, është një tronditje shpirtërore, është një katarsis për çdo njeri që e ndjen, sepse arti nuk përzgjedh, arti i do të gjithë shpirtrat, pavarësisht sesi janë…. Dhe siç thotë edhe vetë Blerina “veshi është syri im”, por sytë e shpirtit dhe mendjes së saj, janë sytë më të bukur.
Intervistoi: Sava Lena