Rritet interesi i të rinjve kinezë për zbulimet arkeologjike
2023-10-06 13:31:14

Vetëm disa vite përpara, zgjedhja e Zeng Chuyu për degën e studimeve do të kishte hasur në rezistencën e familjes së saj, që mund ta konsideronin një zgjedhje jokonvencionale për dikë me nota të larta.

Studentja nga Pekini kishte arritur një rezultat mbresëlënës në provimin e pranimit të këtij viti dhe mund të kishte ndjekur lehtësisht një drejtim në shkenca kompjuterike, financë ose çdo fushë tjetër me kërkesë të lartë tregu.

Foto nga Hxinhua

Foto nga Hxinhua

Megjithatë, ajo zgjodhi një rrugë tjetër, duke u regjistruar në Universitetin prestigjioz të Pekinit për të studiuar arkeologjinë, një degë që shpesh anashkalohet nga shumë njerëz.

Zgjedhja e Zeng  mund të mos jetë surprizë, pasi vitet e fundit është parë një rritje e dukshme e interesit publik për historinë dhe kulturën tradicionale në Kinë, thanë ekspertët. Dokumentarët mbi riparimin e antikave dhe shfaqjet televizive që paraqesin konkurse të poezisë klasike janë bërë virale në mesin e audiencës, ndërsa më shumë njerëz vizitojnë muzetë ose eksperimentojnë me kostumet tradicionale në kohën e tyre të lirë.

Të rinjtë janë veçanërisht të magjepsur nga përmbajtjet e pasura të kulturës tradicionale kineze dhe Zeng nuk bën përjashtim.

Ajo vizitoi një vend reliktesh hekuri në Quanzhou, provincën Fujian të Kinës Juglindore, nëpërmjet një kampi veror të organizuar nga Universiteti i Pekinit, që zgjoi më tej interesin e saj në këtë fushë.

Zeng e vendosi. "Ndërsa shikoja rrënojat dhe reliktet historike, nuk mund të mos pyesja veten se çfarë bënin paraardhësit tanë ose çfarë historish mbajnë reliktet", - tha ajo,

Ashtu si Zeng, një numër në rritje i studentëve kinezë kanë zgjedhur të ndjekin arkeologjinë të nxitur nga pasioni i tyre vitet e fundit, ndërsa prindërit janë bërë më të hapur ndaj idesë për t'i lejuar fëmijët e tyre të eksplorojnë fushën e "gërmimit të tokës".

Duke konfirmuar popullaritetin në rritje të arkeologjisë si degë studimi, Qin Ling, një profesore e asociuar në shkollën e arkeologjisë dhe muzeologjisë në Universitetin e Pekinit, tha se numri i studentëve që ndjekin arkeologjinë si drejtimin e tyre është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

“Ata vijnë nga drejtime të ndryshme universitare, duke përfshirë historinë, matematikën dhe psikologjinë”, tha Qin.

Foto nga Hxinhua

Foto nga Hxinhua

Në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore, 555 studentë aplikuan për programe në arkeologji në Universitetin Sichuan në vitin 2022, një rritje prej 46 për qind nga viti 2020.

Fu Jie, një kandidat për doktoraturë nga Universiteti Sichuan, po studion  reliktet kulturore nga Prefektura Autonome Dali Bai në provincën Yunnan të Kinës Jugperëndimore.

Ai tha se ishte i magjepsur nga përvoja e ndarë mes studimit, punës në terren dhe laboratorëve për të zgjidhur një problem akademik.

"Duke ekzaminuar dokumentet historike dhe duke marrë pjesë në gërmimet arkeologjike, unë mund të kuptoj jetën jo vetëm të figurave kryesore historike, por edhe të shumë njerëzve të zakonshëm që kanë jetuar dikur",- tha Fu.

"Si profesionistë arkeologjikë, është përgjegjësia dhe misioni ynë që të ndajmë me publikun të dhënat që zbulojmë nga historia",- shtoi Fu.

Duke vënë në dukje se një pjesë e konsiderueshme e studentëve në arkeologji në brezin e tij kishin qenë pasivë përpara se të fillonin studimet e tyre akademike, Li Yingfu, profesor në degën e historisë dhe kulturës, tha se kishte pasur ndryshime të mëdha në themelet shoqërore të arkeologjisë.

“Ndërsa ekonomia zhvillohet dhe standardet e jetesës përmirësohen, kinezët kanë një dëshirë të fortë për të eksploruar kulturën dhe historinë e tyre”, tha Li.

Kina regjistroi 382 muze të tjerë në vitin 2022, duke e çuar numrin total të muzeve në mbarë vendin në 6,565, sipas Administratës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Muzetë pritën 34,000 ekspozita dhe afro 230,000 aktivitete edukative gjatë vitit 2022, me 578 milionë vizitorë.

Foto nga Hxinhua

Foto nga Hxinhua

Në shtator 2023, Kina përuroi një muze kombëtar arkeologjik. Muzeu ekspozon më shumë se 6,000 pjesë reliktesh në një stil unik dhe ofron një përvojë gjithëpërfshirëse për vizitorët.

"Të jesh këtu është si të rijetosh historinë",- tha Dai Yihua, një nga vizitorët e parë të muzeut.

Duke i bërë jehonë rritjes së vëmendjes publike ndaj historisë dhe kulturës tradicionale, Kina ka formuluar një plan arkeologjik ambicioz që shtrihet deri në vitin 2025.

Hulumtimet janë duke u zhvilluar, veç të tjerash, mbi origjinën dhe zhvillimin e hershëm të qytetërimit kinez, origjinën dhe evolucionin e popullsive të Azisë Lindore.

Vendi planifikon gjithashtu të ngrejë laboratorë kombëtarë arkeologjikë me ndikim dhe konkurrencë ndërkombëtare, 8 deri në 10 laboratorë rajonalë dhe 20 magazina kombëtare të ekzemplarëve arkeologjikë në rajone kyçe.

Deri në vitin 2025, Kina do të kultivojë dhe përzgjedhë 100 drejtues akademikë, 100 liderë të rinj dhe 500 studiues kryesorë në fushën e arkeologjisë dhe numri i studiuesve arkeologjikë në vend pritet të kalojë 10,000, sipas planit.

Universitetet dhe kolegjet po përmirësojnë ndërkohë programet e tyre arkeologjike.

Kolegji i historisë dhe kulturës (turizmit), Universiteti Sichuan, po diversifikon drejtimet e tij akademike për të përmbushur interesat e studentëve, sipas Lyu Hongliang, dekan i kolegjit.

“Ne kemi programe me një sërë fokusesh, duke përfshirë arkeologjinë historike, arkeometrinë, punën laboratorike dhe ruajtjen e relikteve kulturore",- tha Lyu, duke shtuar se bashkëpunimi me institucionet lokale ka qenë më i ngushtë vitet e fundit për të nxitur përpjekjet për të ndërtuar më shumë baza të punës në terren për studentët dhe të diplomuarit.

Ndërsa Kina përpiqet të bëhet një vend lider në aspektin kulturor, arkeologjia si lëndë është bërë më e domosdoshme se kurrë, thanë ekspertët.

Sipas Qin, arkeologjia luan një rol të rëndësishëm në rritjen e besimit kulturor. "Arkeologjia na ofron dëshmi të prekshme se si traditat tona u përcollën nëpër breza dhe arritjet e paraardhësve tanë",- tha ajo, duke shtuar se ajo mund të rrisë ndjenjën e solidaritetit në shoqërinë kineze si asnjë subjekt tjetër.

Në mënyrë të ngjashme, historia është gjithashtu një burim i rëndësishëm frymëzimi kur njerëzit kërkojnë zgjidhje për problemet në ditët e sotme. "Kur shikojmë prapa në historinë tonë, ne mund të zbulojmë këndvështrime të ndryshme nga të cilat mund të analizojmë shumë nga enigmat me të cilat përballemi sot dhe kjo mund të na ndihmojë t'i trajtojmë problemet me besim dhe qetësi",- tha Qin.

Zeng është optimiste për zhvillimin e arkeologjisë në Kinë dhe tashmë ka nxjerrë një plan për studimet e saj të ardhshme. "Shpresoj të studioj arkeometrinë dhe të jap një kontribut më të madh në arkeologjinë e vendit", - tha ajo.