Përfundon edicioni i dytë i Festivalit “Violina e Paqes”
2023-10-06 15:02:36

Festivali “Violina e Paqes” (një produkt i “Life and Music Concept”) pas suksesit të edicionit të parë, erdhi këtë vit në edicionin e tij të dytë me dy koncerte kryesore në Tiranë, më 25 shtator në “Qendrën Kulturore pranë Katedrales Ortodokse” dhe 27 shtator në Hotel ‘Adriatik’ në Durrës. Aktivitete të tjera sociale dhe artistike e shoqëruan festivalin në ditët në vazhdim.

Violinisti Kledis Rexho me orkestren ( (Foto nga facebook)

Violinisti Kledis Rexho me orkestren ( (Foto nga facebook)

Drejtuesi dhe themeluesi i këtij festivali, Kledis Rexho, ka treguar për Radio Ejani se nuk ka munguar misioni pedagogjik në ndihmë të talenteve të reja të muzikës klasike. Festivali “Violina e Paqes” solli muzikantë shqiptarë dhe të huaj në këto koncerte, të cilat erdhën edhe si një dedikim. Në qytetin e Durrësit koncerti ishte një dedikim për kompozitorin historik dhe shpikësin e shkrimit muzikor bizantin, Jan Kukuzeli. Ndërsa në Tiranë koncerti erdhi si dedikim për ikonën e muzikës popullore të Tiranës, Muharrem Gurra.

Themeluesi i këtij festivali violinisti  Kledis Rexho, bashkë me një grup artistësh të huaj e shqiptarë, erdhën në këtë edicion të dytë në Shqipëri falë mbështetësve të këtij eventi, që për këtë vit ishin Shoqata ”Shoqnia – Tirona Autoktone”, Hotel Adriatik Durrës, etj. Festivali evidentoi artistë të talentuar ndërkombëtarë, por edhe shqiptarë, siç ndodhi  në edicionin e parë   kur u zbuluan dy talente, të cilët sot studiojnë në shkollën më të mirë të muzikës në Paris.

Solistët, orkestrantët, koordinatorët pedagogjikë si  Ami Flammer, profesor i violinës me eksperiencë prej 25 vitesh në Konservatorin Superior Nacional të Muzikës dhe të Dansit të Parisit i dha Master -classe nxënësve pjesëmarrës në këtë mision pedagogjik të Festivalit “Violina e Paqes”. Gjithashtu për këtë projekt  bashkëpunuan Vera Tego, Bujar Sykja, Elvina Gurra, Armand Broshka, ky i fundit  violinisti dhe orkestranti që ka bërë punën kërkimore dhe orkestrimet për këtë projekt.

Violinisti Albi Binjaku dhe nxënëset Marla dhe Elena (Foto nga facebook)

Violinisti Albi Binjaku dhe nxënëset Marla dhe Elena (Foto nga facebook)

“Life and Music Concept Orchestra”, është orkestra e parë ndërkombëtare, me bazë në Shqipëri, me muzikantë shqiptarë dhe të huaj, që do të vijojë të performojë, jo vetëm në këto koncerte  të Festivalit “Violina e Paqes”, por edhe në evente të tjera.  Në misionin pedagogjik në këtë edicion të dytë morën pjesë nxënëset Marla, Elena, Kaltrina e Pamela, që me dëshirën e madhe për të avancar në instrumentin e violinës ndoqën Mater-class dhe koncertin që u mbajt në Qendrën E Kulturës të Kishës Ortodokse në Tiranë.

Festivali “Violina e Paqes” u realizua me mbështetjen e Presidentes së nderit të Festivalit, Nevila Dudaj dhe të gjithë artdashësve që ndihmuan për t’u realizuar ky projekt. Për Radio Ejani themeluesit i këtij festivali Kledis Rexho, tregon për edicionin e dytë të tij festivali, por edhe planet  në vazhdim.

CMG: Si u krijua ky festival, i cili këtë vit ishte në edicionin e tij të dytë?

Kledis Rexho: Ky festival lindi pak nga pak, por fillimet i ka që kur kam shkuar në Francë përpara 15 vjetësh, duke i kaluar vetë vështirësitë jashtë vendit të një muzikanti që shkon në një vend të huaj, si integrimi, por dhe pjesa artistike. Mendoja se çfarë mund të bëja diçka modeste për muzikantët shqiptarë, për t'i dhënë muzikantëve të rinj një orientin artistik, por edhe për Master -class, duke parë edhe vështirësitë nëpër botë që Master-class-et, janë shumë të shtrenjtë dhe ndonjëherë profesorët nuk kanë as kohë për t’u dhënë mësim sepse bëjnë vetë një jetë artistike. Mendova që ta jap këtë kontribut ashtu si miqtë e mi. Kjo ishte gjëja e parë, më pas gjërat u kontretizuan kur bëra një bisedë me zonjën Nevila Dudaj, Presidente Nderi e projektit për Shqipërinë. Vjet realizuam edicionin e parë që shkoi shumë mirë dhe këtë vit edicionin e dytë. Ishte si një dëshirë kur shkova në Francë përpara 15 vitesh dhe kjo dëshirë u kontretizua, ku tashmë mbyllëm edicionin e dytë të Festivalit “Violina e Paqes”.

Kledis Rexho  (Foto nga facebook)

Kledis Rexho  (Foto nga facebook)

CMG: Çfarë të veçante ka ky festival?

Kledis Rexho: E veçanta e këtij festivali është që ky projekt,  shpresoj mos të mbetet vetëm tek festivali, por të vazhdojë gjatë gjithë vitit. E veçanta tjetër është që ndahet në tre drejtime. Në drejtimin e pedagogjisë kemi bërë të mundur të japim Master -Class pa pagesë për muzikantë të rinj shqiptarë, ku falë këtij projekti, dy prej tyre arritën të studionin në shkollën më të mirë të muzikës në  Francë dhe sot janë aty  e po përgatiten me profesorë francezë. Ata fituan një konkurs ku prej 80 kantidatëve hynë vetëm 5-6 studentë për kategori. Është një pjesë e projektit shumë e rëndësishme në misionin pedagogjik. Pjesa e dytë është pjesa artistike, ku kemi krijuar orkestrën e parë ndërkombëtare me bazë në Shqipëri me muzikantë shqiptarë, francezë , nga Londra Simfoni Orkestra, disa nga muzikantët më të mirë dhe këtë orkestër shpresoj t’i nxjerrim jashtë kufijve të Shqipërisë, si e ftuar në festivalet më të mira, që të kemi një orkestër ekselente në Shqipëri.

Në këtë orkestër kam shumë dëshirë që të ftoj një nga miqtë e mi, një nga muzikantët më të mirë në Evropë Haoxing Liang, që është spalë e Orkestrës Filarmonike të Luxemburgut dhe është me origjinë nga Kina. Shpresoj që të kem mbështetjen e duhur që ta kem në projektet e mia të ardhshme, si dhe shumë muzikantë të tjerë nga Japonia, Gjermania, etj. Besoj se do bëjmë një gjë shumë të bukur edhe me misionin artistik.

Armand Broshka Dirigjenti kryesor i Life and Music Concept Orchestra (Foto nga facebook)

Armand Broshka Dirigjenti kryesor i Life and Music Concept Orchestra (Foto nga facebook)

E së fundi është pjesa sociale që nuk ngel mbrapa si objektiv. Të treja kanë të njëjtin drejtim, të njëjtin avancim dhe jemi të lumtur të luajmë për Qendrat Sociale, madje në Shkozë  na pritën shumë mirë ku dhamë aty një moment muzikal shumë të bukur. Takimi me punonjësit e qendrës, gjithashtu takuam të moshuarit e qendrës në Tiranë, etj. Duam ta zhvillojmë sa më shumë pjesën sociale, të shkojmë edhe në shtëpinë e fëmijëve dhe plane të tjera.  Është një punë që kërkon mjaft mbështjetje dhe shpresoj që të kemi mbështetjen nga autoritet publike dhe private sepse me gjithë dëshirën tonë të mirë, nëse nuk kemi mbështetjen e duhur, nuk mund të jemi të gjithë si grup në këto tre drejtime dhe objektivat nuk do të jetë të plotësuara totalisht. Ky projekt synon të kthehet në një sezon artistik në vazhdimësi.

CMG: Si shkoi edicioni i dytë dhe çfarë mendoni për vitin e ardhshëm?

Kledis Rexho:  Edicioni i dytë shkoi shumë mirë. Luajtëm në Tiranë pranë Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse, ku ishte një koncert dedikuar Muharrem Gurrës, i cili u sporsonizua bashkë me festivalin si sponsor gjeneral nga Shoqata "Shoqnia Tirona Autoktone". Ishte një ndihmë e pa shpresuar që na erdhi momentet e fundit. Kemi fatin të kemi ndihmën shumë të vlefshme të zonjës Nevila Dudaj, e cila është Presidente Nderi e Festivalit, por edhe shumë miq të tjerë. E ndjemë shumë vështirësinë e mbështetjes nga institucione të ndryshme, por shpresoj që në të ardhmen të kemi më shumë mbështetje sepse është një projekt që ja vlen si për studentët, por edhe për artdashësit në Shqipëri.

Shpresoj që të jetë një projekt që të ketë një të ardhme të bukur dhe mund t’i kalojë kufijtë e Shqipërisë. Ne realizuam koncerte në Durrës, në Elbasan, ishim të ftuar nderi aty dhe muzikantët reaguan shumë mire. Kemi bërë programe shumë të vështira dhe me shumë pak prova  sipas mundësive që kishim, nxorrëm një rezultat shumë të mirë. Me edicionin e dytë besoj se kemi vendosur një bazë solide për zhvillimin e këtij festivali.

Artisti francez Ami Flammer në Master Clase me nxënësen Elena

Artisti francez Ami Flammer në Master Clase me nxënësen Elena

Festivali “Violina e Paqes” është një projekt i nisur nga violinisti shqiptar Kledis Rexho projekt të cilin e ka ideuar që kur u largua nga Shqipëria. Ai jeton e punon në Francë dhe përmes kësaj nisme synon që të ndërthurë kulturat, si dhe të promovojë artistët e rinj. Ideja e këtij projekti nisi në Francë, e cila u mbështetet nga një shoqatë franceze që ka karakter artistik, pedagogjik dhe sensibilizues. Ai është në partneritet zyrtar me konservatorin më të mirë të muzikës në Francë dhe një nga më të mirët në Europë “Konservatori Kombëtar Superior i Muzikës dhe Dansit të Parisit”. Një mënyrë kjo për të krijuar ura ndërmjet Francës dhe Shqipërisë, e duke bërë të mundur një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Arteve në Tiranë dhe Konservatorit të Parisit.

 Programi është i përbërë nga Master- class, këshilla profesionale për jetën artistike në Europë dhe kryesisht në Francë, duke u dhënë një ndihmë edhe studentëve të rinj, për një të ardhme drejt suksesit ndërkombëtar.  

Intervistoi Sava Lena