Joli Agolli Paparisto, pasioni për baletin është i përjetshëm
2023-10-05 13:58:28


Joli Paparisto

Joli Agolli Paparisto ka qenë një nga vajzat e bukura të Tiranës, e cila ka studiuar për koreografi në Akademinë e Arteve dhe dikur ishte shumë aktive në skenë. Madje, ka interpretuar edhe në filmin artistik “Edhe kështu edhe ashtu”. Pas viteve 90-të Joli emigroi me bashkëshortin Gjergj Paparisto në Itali, aty ku lindi edhe vajzën e saj Giorgia. Më pas çifti Paparisto u zhvendosën në SHBA, ku lindi djali i tyre  Mark. Gjatë jetës së saj në SHBA, Joli  nuk ka lënë pas dore dashurinë për artet. Prej 20 vitesh ajo drejton në Michigan një shkollë baleti .

Joli Paparisto aktore ne filmin shqiptar Edhe kështu, edhe ashtu

CMG:  Ju keni një lidhje të ngushtë me Shqipërinë. Si ndiheni që i kaloni pushimet këtu?

Joli Paparisto: Unë kam një dashuri shumë të madhe për vendin dhe është një dashuri e cila nuk mund të tregohet thjesht me fjalë. Sapo  jam larguar nga Shqipëria dhe ndjej një boshllëk në zemër. Ajo çfarë më kënaq më tepër nga vendi im është fakti që unë marr energji për të rifilluar punën me një motiv të madh. Tani jam shumë e motivuar për të bërë projektet e mia të reja.  CMG: Ju keni qenë dhe vijoni të jeni një balerinë e suksesshme. Si ka kaluar fëmijëria juaj?

Joli Paparisto: Ishte një fëmijëri që shpesh lutem sikur qoftë dhe një ditë të kthehem në ato ditë. Ishim fëmijë me një dashuri të madhe nga ana e prindërve. Kam luajtur dhe e kam shijuar  fëmijërinë dhe isha një fëmijë i lumtur dhe për orë të tëra luaja me shoqet  dhe dëshiroja që ato orë mos të iknin kurrë dhe ne të rrinim me njëri-tjetrin. Jeta është shumë e çuditshme për mënyrën se si kohët ndryshojnë, ndaj unë shijoj tani moshën time të rritur me kujtimet e bukura të një fëmijërie të shtrenjtë.

Joli Paparisto

CMG: Si e definoni sot lumturinë tuaj?

Joli Paparisto: Unë jam një grua ambicioze dhe për mua lumturia është kur ti realizohesh në anën profesionale dhe ky është vetëm fillimi sepse realizmi më i madh është kur ti e sheh veten një prind të lumtur. Kur ke rritur fëmijët dhe ke kontribuar shumë për ta, ti ndihesh rehat dhe e lumtur kur çdo sakrificë ja ka vlejtur. Krijesat e mija më japin një motiv për ta parë jetën me sytë e dashurisë. Lumturia për mua është një realizim profesional dhe në familje, por mbi të gjitha edhe shpirtëror.

CMG: Cilat janë ambiciet tuaja më të larta?

Joli Paparisto: Unë kam emigruar që herët dhe në emigracion askush nuk merr vendin e parë menjëherë. Kur shkova në  SHBA u ndjeva shumë e vogël dhe e kisha këtë gjë gjithë kohës, ndaj doja ta mposhtja. Sot, unë jam rritur dhe në këtë komunitet të madh shqiptarësh unë jam një emër i njohur, që i referohen kur flasim për Shqipërinë, për kulturën dhe traditën. Unë e kisha qëllim në vetvete që ta dërgoja një copë të Shqipërisë atje. Shqipëria e madhe dhe e bukur duhet të jetë kudo tek shtëpia e çdo shqiptari. Ambicia më e madhe e imja tani është të kthehem në Shqipëri, mezi pres të vij aty dhe të jap kontributin tim. Kam ikur në një moshë kur vendi kishte nevojë për mua, por asnjëherë nuk është vonë. Unë do kthehem në atdhe dhe do e rindërtoj jetën time.

Joli Paparisto aktore ne filmin shqiptar Edhe kështu, edhe ashtu

CMG:Si e keni ndërtuar jetën tuaj çdo ditë?

Joli Paparisto: Më pëlqen të çohem herët dhe ditën unë e vendos përpara. Jam prind i fëmijëve, për momentin jetoj me djalin pasi vajza më ka ikur në Angli. Kam një pasion të madh që të merrem me shtëpinë ta pastroj dhe ta lë atë në rregull . Dashuroj shumë veten dhe bëj shumë palestër. Më pas unë jap mësim për valle popullore tek shkollat shqiptare në SHBA. Të punosh me fëmijët është një kënaqësi e madhe. Ditën e kaloj më fëmijët dhe kjo më jep energji pozitive që kur ta mbyll ditën të jem e lumtur.

CMG: Si është marrëdhënia që ke vendosur me artin?

Joli Paparisto: Artisti i vërtetë nuk e njeh moshën  dhe nuk pushon kurrë së bëri art. Unë jam rritur në familje arti dhe them që artist lind nuk bëhesh. Këtë e them për të gjithë artistët që kanë një bagazh të madh. Artisti e do shumë jetën dhe nuk e njeh moshën. Artist i vërtet me kalimin e kohës rritet dhe bëhet më i mirë.  Unë jam rritur në familjen e artistëvë, dhe prindërit e mij e duan ende edhe sot shumë artin.

Joli Paparisto e ftuar ne Tv Klan

CMG:  Ju keni spikatur si aktore dhe më pas artiste e lirë, ja njihni këtë pikë vetes?

Joli Paparisto: Unë gjithmonë i kam bërë gjërat siç kam dashur dhe kjo gjë më ka dhënë mua shumë liri. E dua shumë lirinë dhe një grua duhet ta ketë lirinë si fuqi në dorën e saj. Që e vogël familja ime e njihte këtë tipar timin. Njeriu duhet të jetë zot i vetes dhe duhet t’i dalë përballë mendimeve dhe veprimeve. Gruaja vetë është një forcë e madhe.

CMG: A keni një mesazh për ata që na ndjekin?

Joli Paparisto: Për të gjitha ato gra që nuk kanë arritur t’i bëjnë gjërat në kohë, gjërat arrihen me vullnet. Ka shumë figura femërore që e kanë arritur suksesin edhe në karrierë dhe në familje. Njeriu gjen fuqinë për t’i bërë të gjitha. Kur kam arritur unë të bëj diçka në emigrim, imagjino një grua në vendin e saj. Sot jap mësim në balet klasik në një vend të huaj, por nëse do isha në Shqipëri çdo gjë do ishte ndryshe dhe më e thjeshtë.

CMG: Cili është projekti juaj i tanishëm?

Joli Paparisto: E vetmja gjë që dua tani është të kthehem në Shqipëri dhe mësimin rreth valleve shqiptare dhe baletit klasik ta jap aty

Intervistoi Megi Latifi