Shegët e Karavastasë në tregun europian
2023-10-05 14:06:06


Sipërmarrësi Shpëtim Oseku (Foto Agro Iliria)

Sezoni i shegës duket se nuk ka qënë më i miri për prodhuesit shqiptarë, por gjithësesi mbetet në nivele të kënaqshme.  Shpëtim Oseku, administrator dhe bashkëpronar i “Agro Iliria” fermës më të madhe në Karavasta me shegë thotë në një intervistë për Radio Ejani se sezoni i shegës ka nisur vjeljen në muajin  shtator me  varietetin izraelit. E pozicionuar në plantacionet e Karavastasë, çdo shegë e kultivuar nga kjo shoqëri dallon në shije për shkak të kultivimit në toka të kripura. Oseku thotë se ky investim është i vetmi i këtij lloji jo vetëm në historinë e bujqësisë në Shqipëri, por më gjerë.

“Sezoni i shegës fillon në shtator me shegën e hershme, variteti që kemi ne është një varietet izraelit. Pastaj kemi një muaj pushim, fillon sezoni i Wonderful edhe ky një varietet izraelit që nis nga  fillimi i tetorit dhe zgjat deri në fund të nëntorit. Prodhimet sivjet nuk ishin shumë të kënaqshme, kjo ndodhi në të gjithë Mesdheun, sepse kishim një pranverë të ftohtë, të gjatë dhe shumë të lagësht dhe pema pati shumë  aborte gjatë periudhës së lulëzimit, por megjithatë nuk është shumë keq. Ne pretendojmë në kapacitetet rreth 1 mijë ton këtë vit. “- shprehet Oseku.

Në parcelat e Agro Iliria (Foto e Agro Iliria)

Duket e pamundur të kthesh në tokë pjellore, një tokë aq të kripur sa Lugina e Karavastasë, por dy ortakët e shoqërisë këtë e kanë arritur më së miri. Fermerët shqiptarë, duke dalë në treg të ndarë, nuk janë shumë konkurrues.

“Produkti është më i pakët, por ka një shije të veçantë  sepse toka e shoqërisë “Agro Iliria” është shumë e kripur, ish kënetë dhe ka një shije shumë të mirë në sajë të kripërave dhe mbetjeve që ka kjo tokë. Pra i shkon ëmbëlsia deri në 19 sikur të ishte rrush. Në tregun shqiptar fermerët shqiptarë janë konkurrues, por është një vend i vogël dhe fermerët shqiptarë janë fermerë të vegjël me dynym. Përveç shoqërisë “Agro Iliria” të tjerët janë fermerë shumë të vegjël.”

“Agro Iliria” Group është themeluar si shoqëri në vitin 2015, bazuar në lagunën e Karavastasë nëpërmjet një plani fillestar investimesh prej 6.6 milion euro dhe sipërfaqe prej 1100 ha, me synim që të vërë në shfrytëzim mjaft terrene të kripura të kësaj zone. Në vitin 2018, Këshilli i Investimeve Strategjike i dha “Agro Iliria” Group statusin e investitorit strategjik dhe një koncesion prej 800 hektarësh me kosto 1 euro për 99 vjet përdorim. Synohet mbjellja dhe futja në përdorim e prodhim e 600 ha me kulturën e shegës dhe 170 ha për agroturizëm.

Ambicjet janë për ndërtimin në Shqipëri të një kompanie që prodhon lëngun e shegës dhe të gjithë nënprodukteve të saj.

“Kuptohet që ambiciet e shoqërisë “Agro-Iliria” janë serioze, afatgjata. Agro Iliria është një shoqëri investitorësh strategjikë që synon të mbillen 600 ha, deri tani janë mbjellë 120 ha. Kuptohet kemi probleme të ndryshme. Pra do ndërtojmë një fabrikë për prodhimin e lëngjeve dhe gjithë nënprodukteve të shegës, nga çajrat e ndryshme kozmetika etj. Kjo ishte si më kryesorja pastaj do shohim mundësitë.”

Ferma më e madhe  e shegëve në Karavasta vetëm 30 përqind të prodhimit e tregton në Shqipëri. Janë edhe vendet baltike që kanë mjaft interes për shegët e prodhuara në Karavasta. Kërkesat sipas prodhuesve janë të larta për shegët në Shqipëri, por duhet cilësi dhe prodhim që mbulon kërkesat.

“Shoqëria Agro Iliria rreth 70% të prodhimit e eksporton në Europë, përvec vendeve ballkanike pjesën më të madhe e kemi në Londër, pastaj dërgojmë në gjithë shtetet ku ka takime nëpër panaire dhe janë shtuar shumë klientë. Përvec Italisë, Anglisë dhe Gjermanisë, sot edhe shumë vende Baltike janë ofruar për të tërhequr produktin tonë, që nga Polonia, Ukraina, Estonia, Lituania etj. Pra duhet të prodhojmë produkt të mirë sepse mundësia dhe ofertat janë, pasi  Europa nuk e prodhon këtë shegë. Është frut i Mesdheut. “

Foto nga VCG

Aktualisht nga shegët e Karavastasë po prodhohet lëng në mënyrë manuale dhe ende nuk ka një fabrikë të mirëfilltë.

“ Veçoria e lëngut të shegës jo vetëm mënyra klasike e prodhimit të lëngut të shegës, por edhe shega dallon nga gjitha llojet  që prodhohen edhe në Mesdhe. Shoqëria Agro Iliria akoma nuk ka ndërtuar impiantet e prodhimit të lëngut në forma të ndryshme industriale. Tani ne prodhojmë lëng shege vetëm me porosi dhe me forma klasike të shtrydhjes, siç bëhet në familje. Ne kemi tentuar dy herë të prodhojmë lëng nëpërmjet të tretëve, por në Shqipëri nuk ka fabrikë lëngu, janë fabrika që prodhojnë lëngje nga mollët nga frutat njëtrupëshe dhe nuk arrijnë dot ta bëjnë lëngun e shegës, kështu që nuk kemi qenë shumë të suksesshëm duke prodhuar nga fabrikat e tjera. Format e prodhimit të lëngut të shegës tek ne janë klasike, lëngu nuk është i pasterizuar dhe nuk ka kimikate, por ruhet në frigorifer, në ngrirje dhe është lëng shege klasik.”

Grupi “Agro Iliria” si aktivitet kryesor ka eksport – importin e të gjitha produkteve dhe nënprodukteve bujqësore, blegtorale, ushqimore, të hortikultures, alkoolike dhe joalkoolike të prodhuara nga këto produkte, lëndëve të para, agroinputeve dhe materialeve biologjike që shërbejnë për këta sektorë dhe agroindustrinë etj. Aksionerët janë me nga 50% Shpëtim Orseku dhe Ilir Trebicka. Dikur me mijëra  në lagunën e Karavastasë gjendeshin mijëra hektarë tokë djerrë, sepse kripësia nuk toleron rritjen e bimëve, por një sistem i ri i konsultuar me izraelitët dhe i çuar në fund nga sipërmarrësit shqiptarë e ktheu këtë tokë në “ar”, teksa po lulëzojnë parcelat me shegë dhe goji berry.