Foto nga ATSH
Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan planin e bashkëpunimit në fushën e shëndetit dhe mjekësisë për vitet 2024-2026. Plani i ri i bashkëpunimit u nënshkrua nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, dhe ministri i Shëndetësisë i Kroacisë, Vili Beros.
Shqipëria dhe Kroacia do të thellojnë bashkëpunimin dypalësh në fushën e shëndetësisë në disa aspekte me interes reciprok, kryesisht në fushat si: kujdesi shëndetësor parësor, edukimi dhe kërkimi shëndetësor, shëndetësia elektronike dhe siguria kibernetike, turizmi shëndetësor dhe shërbimi i urgjencës mjekësore, shkruan “ATSH”.
Ministrat e Shëndetësisë të Shqipërisë dhe Kroacisë janë të vendosur për thelluar bashkëpunimin edhe për programin e transplantit, si dhe për produktet medicinale dhe pajisjet mjekësore.
Koçiu dhe Beros u dakordësuan që të shtrijnë bashkëpunimin edhe në fushat e tjera, si: shkëmbimi i informacioneve për programet shëndetësore, shkëmbimi i botimeve dhe literaturës edukative për shëndetin në përputhje me nevojat dhe aftësitë e palëve, shkëmbimin e ekspertëve dhe grupeve të studimit, programet afatshkurtra të bashkëpunimit; trajnime të specializuara për punonjësit shëndetësorë dhe akordimin e bursave për specializantë nga Shqipëria në Kroaci. (Elona)