Denardo Neziri gjate xhirimeve te filmit Luna Park
Aktori shqiptar Denardo Neziri ka përfunduar studimet për regji teatri dhe aktrim dhe ka marrë pjesë në disa shfaqje në teatër dhe kinema. Ai e ndan jetën artistike mes Shqipërisë dhe Italisë, ku pret që së shpejti të jetë pjesë e një projekti artistik në Romë. Këtë vit Denardo ka qenë pjesë e një komedie gazmore si dhe një filmi shqiptar që pritet të shfaqet së shpejti. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për projektet e tij të fundit artistike si dhe planet për të ardhmen.
CMG: Cilat kanë qenë projektet tuaja artistike kohët e fundit?
Denardo Neziri: Projekti im i fundit ka qenë një komedi muzikore, bazuar në këngët dhe filmin e grupit “ABBA”. Kjo shfaqje është dhënë në Amfiteatrin e Liqenit të Tiranës në muajt e verës në vetëm dy ditë premierë. Kjo shfaqje ishte një teatër musikal dhe ndryshe nga shfaqjet e teatrit, ku zakonisht na ka parë spektatori vetëm në interpretimin e rolit të personazhit figurë. Kjo ishte një sfidë më vete dhe një profesion sepse bënte bashkë disa elementë, ku përfshinte këngën dhe kërcimin. Unë i them një opera e bukur, sepse opera i përfshin të tre këto komponentë.
CMG: Si erdhi ftesa për të luajtur në këtë komedi muzikore dhe si u përshtate me rolin?
Denardo Neziri: Unë kam vajtur në audicion dhe të gjithë rolet e mia në teatër dhe kinema i kam fituar me audicion. Mua më pëlqen pak sporti dhe një ditë kisha dalë për vrap te liqeni. Kisha dëgjuar për audicionet e këtij spektakli muzikor “Mamma Mia”, por e kisha me mëdyshje sepse nuk e mbaj veten për këngëtar.. Këtë gjë e shikoja si një sfidë, por jam një person që eksploroj me gjërat dhe më pëlqejnë sfidat. Kështu që vendosa të shkoja në audicion dhe ta provoja me shpresën për ta fituar dhe pse nuk kisha besim të plotë te vetja. Përsa i përket anës koreografike unë kisha besim të plotë, duke njohur elementët e kërcimit në trupin tim. Shkova në audicion dhe fatmirësisht e fitova me një këngë italiane.
Aktori Denardo Neziri
CMG: Si u prit shfaqja nga publiku dhe veçanërisht performanca juaj?
Denardo Neziri: Shfaqja është pritur në mënyrë të shkëlqyer nga spektatori sepse është bërë një punë kolosale dhe profesionale përfshirë gjithë stafin. Kjo si shfaqje kishte një lloj ndryshimi, ku aktorët bënin këngëtarët dhe aktorin dhe këngëtarët që bënin këngën dhe aktorin. Pra ishte një lloj miksimi midis fushave të ndryshme, por të gjithë interpretuesit shkrinë në mënyrë të shkëqyer muzikën me aktrimin dhe koreografinë. Është bërë një punë shumë profesionale dhe e mirë, që është pritur në mënyrë të shkëlqyer nga publiku vendas. Dua të falenderoj stafin e spektaklit musikal “Mamma Mia”, ku është hera e dytë që ky produksion realizon shfaqje të këtij formati, me regjisor Altin Bashën, i cili është shumë bashkëpunues, drejtorin e orkestrës Erald Sizmixhiu, Linda Sizmixhiun si producente dhe muzikante e spektaklit. Dua t’i përgëzoj për iniciativën, për këmbënguljen dhe disiplinën në tërësinë e saj.
Denardo dhe aktore te tjere ne komedine Mamma Mia
CMG: Flasim për një angazhim tjetër tuajin, ku keni luajtur dhe në një film shqiptar së fundi.
Denardo Neziri: Përsa i përket pjesëmarrjes time në kinema ishte te filmi “Luna Park” që së shpejti do të dalë premiera. Ky film në thelb trajton ngjarjet e vitit 1997 për firmat piramidale. Ka qenë një film shumë i arrirë si nga ana teknike ashtu dhe nga ajo profesionale, ku kishte një masivitet aktorësh. Një pjesë e xhirimeve janë bërë në Elbasan dhe ka qenë një lagje e qytetit me figurantë. Këtu e kuptoj sfidën që ka patur produksioni sepse kanë qenë gati 500 figurantë pjesëmarrës në skenat e filmit. Duhet theksuar që dhe ne realizojmë filma aksion me ngjarje reale, por ajo që më bën përshtypje është sfida dhe përballimi në mënyrë profesionale i regjisorit. Unë në këtë film kisha dhe kolegë të tjerë që dua t’i falenderoj, si Adriana Matoshi, Nik Xhelilaj, Milto Kutali dhe shumë të tjerë, një kast shumë i mirë aktorësh.
Denardo Neziri gjate komedise muzikore
CMG: Jetën artistike kohët e fundit e keni ndarë mes Italisë dhe Shqipërisë. Si e menaxhoni kohën për të qenë prezent në të dyja vendet?
Denardo Neziri: Kjo gjë është pak e vështirë, sepse unë hartoj një program të punëve të mia dhe deri sot më ka rezultuar që më tepër kam marrë punë në Shqipëri sesa në Itali. Sigurisht që është e vështirë, sepse të ecësh në një ritëm në një shtet të huaj midis vendit tënd është një sfidë e madhe për çdo artist. Deri tani po mundohem të jem prezent në të dyja vendet, por është e vështirë. Gjithashtu po përpiqem të angazhohem dhe në Itali, por nuk e di kohën e realizimit të projektit që pres për t’u bërë këtu në teatër. Së shpejti po pres realizimin e një projekti tjetër në Romë.
Denardo Neziri ne komedine Mamma Mia
CMG: Do preferoje që jetën artistike ta bëje në vendin tend, apo në Itali?
Denardo Neziri: Të jem i sinqertë më shumë doja që jetën artistike ta fokusoja në Itali, por kjo nuk do të thotë që nuk do shkoj në Shqipëri. Problemi është që në Shqipëri është një treg shumë i vogël, ku gjërat funksionojnë në mënyrë të atillë që duhet të jesh prezent atje.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese.
Denardo Neziri: Faleminderit për intervistën. Është kënaqësi për mua të jem pjesë e Radio Ejani për të treguar të rejat e projekteve të mia artistike.
Intervistoi: Gazmend Agaj