Gjatë verës, një sërë seanash joge në masë u mbajtën në të gjithë vendin, ku mund të shiheshin njerëz nga të gjitha sferat e jetës duke ushtruar jo vetëm trupin, por edhe mendjen e tyre.
Këto seanca janë një tregues i numrit në rritje të praktikuesve të jogës në Kinë, të tërhequr nga praktika e lashtë fizike, mendore dhe shpirtërore, rrënjët e të cilave janë rreth 5000 vjet më parë.
foto: VCG
Sipas një raporti mbi industrinë e jogës në Kinë, nga viti 2017 deri në vitin 2021 numri i studiove të jogës në vend u trefishua në 42.000 dhe vlerësohet se të paktën disa milionë njerëz në vend praktikojnë joga rregullisht, ndërsa më shumë njerëz e bëjnë këtë herë pas here, sidomos gratë.
Tregu i veshjeve të jogës në Kinë, i dominuar nga markat si “Lululemon”, u rrit nga 2.6 miliardë juanë (355.8 milionë dollarë) në vitin 2013 në 14.1 miliardë në 2021-shin, sipas një raporti të konsumit nga kompania kineze e tregtisë elektronike “JD”.
Rritja e numrit të njerëzve që kanë filluar të praktikojnë jogën, në format e saj të shumta, gjatë viteve të fundit është e lidhur ngushtë me nismën e vendit “Kina e shëndetshme 2030”, e paraqitur për herë të parë në 2016.
foto: VCG
Misioni kryesor i kësaj nisme është promovimi i stileve të jetesës së shëndetshme dhe ofrimi i aksesit më të mirë në kujdesin shëndetësor për të gjithë.
Sipas Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, nga viti 2012 deri në vitin 2019, niveli i kujdesnit shëndetësor në mesin e kinezëve u rrit nga 8.8 për qind në 19 për qind dhe përqindja vazhdon të rritet.
Aftësia për ta praktikuar jogën lehtësisht në shtëpi ka funksionuar gjithashtu në favor të saj, sidomos gjatë periudhës së pandemisë, kur njerëzve u kërkohej të qëndronin në shtëpi.
Video të panumërta dhe klasa digjitale ishin të disponueshme në internet dhe ofruan një aktivitet ideal të shëndetshëm për të mbyllurit përkohësisht në shtëpi.
Për shumë njerëz që jetojnë në qytete të mëdha dhe që kanë orare të ngarkuara pune, joga është gjithashtu një aktivitet ideal, pasi jo vetëm që ofron ushtrime fizike, por gjithashtu bën të mundur dhe angazhimin e njerëzve të stresuar nga rutina e vrullshme e qytetit.
Përveç stileve tradicionale si Hatha Yoga, Iyengar Yoga dhe Ashtanga Yoga, vitet e fundit janë bërë të njohura dhe sistemet moderne të jogës, si Rocket Yoga, Yin Yoga dhe Universal Yoga.
Një formë e jogës moderne e quajtur Inside Flow është një formë popullore, me muzikë, lëvizje dhe vëmendje.
Ge Ruhua, themeluesi i zinxhirit të jogës Moksa, tha se kur Moksa mbajti ngjarjen e saj të parë vjetore kombëtare të trajnimit për Inside Flow në Xiamen, në provincën Fujian, në vitin 2018, u paraqitën vetëm rreth 40 persona. Por këtë vit, vetëm në gusht, ngjarje masive trajnimi Inside Flow janë mbajtur në të gjithë vendin, si dhe në pjesë të tjera të Azisë, duke tërhequr mijëra njerëz për të marrë pjesë.
foto: VCG
“Receta e jogës Inside Flow është unike. Është një përzierje e muzikës, lëvizjes së jogës, frymëmarrjes dhe emocioneve. Kjo është arsyeja pse krijon varësi”,- tha themeluesja e saj Kim Young-ho, një gjermane me origjinë koreane.
Christine Cheng, një instruktore joga nga Tajvani, tha: “Në vend që të shihet si një formë ushtrimi, është më shumë si një çlirim emocional. Në ditët e sotme, njerëzit në qytete kanë një jetë pune me ritme të shpejta dhe përballen me shumë presion.
Është e vështirë për ta lehtësuar këtë presion vetëm në një periudhë të shkurtër stërvitjeje. Megjithatë, me përfshirjen e këtyre elementeve, secili nga nxënësit e mi, pavarësisht se hyn në klasë në një sërë gjendjesh, largohet duke u ndjerë shumë i lumtur. Lumturia është universale. Në praktikë, nuk jam nëna apo gruaja e dikujt, jam vetëm vetvetja. Shpresoj që më shumë njerëz ta gjejnë këtë ndjenjë të të qenit vetvetja dhe jeta do të jetë më kuptimplote”,- tha ajo.
Cheng thotë se kur hyhet në një studio joge duhet qenë të relaksuar. Ajo tha se studentët e saj të jogës vijnë nga të gjitha sferat e jetës, nga studentët e kolegjit dhe biznesmenët te nënat që qëndrojnë në shtëpi dhe të moshuarit në pension.
Pensionistja 67-vjeçare nga Pekini, Li Chunru, tha se joga është gjëja më e rëndësishme që ajo bën në jetën e saj të përditshme. Ajo shkon në një studio jote pranë shtëpisë së saj çdo mesditë dhe mbrëmje për t’u praktikuar.
Fiziku i Li nuk e tregon moshën e saj dhe ajo thotë se ka pasur një ecuri të mirë shëndetësore gjatë viteve të fundit.
Pavarësisht tërheqjes në rritje në mbarë vendin, epiqendra e lëvizjes së jogës në Kinë mbeten në qytetet e mëdha si Shangai dhe Pekini, ku ndodhen pothuajse një e treta e të gjithë praktikuesve të jogës në vend, sipas “Dao Insights”.
Rritja e popullaritetit të jogës ka tërhequr një numër në rritje të praktikuesve të rinj në të gjithë globin.