Malesorja - Foto nga Albanian Art
Kur vërejmë portretet e pikturuara nga Nexhmedin Zajmi, kuptojmë dhe ndiejmë se arti i tij është i krahasueshëm me atë të pikturës italiane. Njëlloj si në portretet e piktorëve të famshëm të Rilindjes Italiane, sytë e portreteve të pikturuara nga Zajmi shikojnë drejt e te publiku. Ngjyrat janë të pasura, atmosfera është grishëse. Ne i sodisim dhe nuk i heqim dot shikimin prej tyre. Kur jemi para portreteve të Zajmit, ne shohim personazhe që të ftojnë në bashkëbisedim, në dialog, në reflektim e në kënaqësi estetike. Shohim lojën ekspresive të ngjyrave dhe një ndjeshmëri të fortë ndaj së bukurës.
Ky piktor me origjinë nga periferia e Shqipërisë, Trebishti i Gollobordës, fshat i ftohtë, por i pasur me tradita, i tejngopur me shumëllojshmëri ngjyrash, është ndër piktorët me ndikimin më të madh në rrethin e piktorëve shqiptarë. Nexhmedin Zajmi është një piktor realist.
Refugjatet - foto nga Albanian Art
Interesant është fakti se fillimisht u diplomua për bujqësi në një shkollë të mesme teknike në Tiranë, ndërsa talenti i tij për vizatim dhe pikturë filloi të zbulohej në përgatitjen e dekorimeve të shkollës. Kjo gjë ndikoi që të ndryshonte degën dhe të regjsitrohej në shkollën e mesme të vizatimit. Pas këtij cikli, Nexhmedin Zajmi mbaron studimet në Romë për pikturë nga viti 1939 deri në vitin 1944.
Student i mjeshtrit Carlo Siverio, gjatë viteve të shkollës Zajmi realizon disa tablo që janë edhe veprat e para të tij, ku mund të veçohet ajo e “Punëtorit të vogël, “Pamje nga fusha e Romës”, “Brendija”. Vitet e studimit në Romë ishin një shkollë e madhe për artistin e ri që u formua në një nga shkollat më të mira të artit.
Zajmi solli në Shqipëri pas rikthimit nga Roma një teknikë piktorike jo vetëm të përparuar, por dhe frymën e artit realist, e cila kishte një përparësi të veçantë në studimin e pikturës nëpër akademitë e arteve të Italisë së asaj kohe. Bashkë me një grup piktorësh dhe artistësh që u diplomuan jashtë vendit, ata janë ndër mësuesit e parë të brezit më të ri të piktorëve, skulptorëve dhe artistëve shqiptarë. Vitet si pedagog në Akademinë e Arteve (asaj kohe Instituti i Lartë i Arteve), i shërbyen formimitë të brezave të piktorëve dhe mbetet sot e kësaj dite një kontribut me vlerë.
Nena labe- foto nga Albanian Art
Pas kthimit në atdhe emërohet pedagog në Gjimnazin e Shtetit të Tiranës dhe një vit më pas në Liceun Artistik Jordan Misja. Piktura tashmë për të nuk është thjesht profesion, por mbi të gjitha bëhet stil jetese. Piktori Nexhmedin Zajmi i kushtoi jetën pikturës, artit. Në çdo moment të jetës së tij ai ishte i lidhur thellësisht me artin figurativ. Ai ishte një artist i vërtetë, me një dhunti intuitive natyrale për artin. E jetonte, e dashuronte njeriun, miqtë, studion, kolegët, natyrën.
Zajmi ishte piktor i ngjyrave, i natyrës, jo i studios. Tre vitet në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, në vitet ‘70, ishin ndër më të rëndësishmet në krijimtarinë e piktorit. Ai ka pikturuar tablo, portrete, natyra të qeta e peizazhe. E gjithë karriera e tij artistike e gjen burimin në eksperiencat e tij jetësore, ku ai punoi. Ai e gjente veten sidomos në portretizmin e banorëve të zonave të Shqipërisë veriore, si dhe në peizazhe të ndryshme dhe natyrën e qetë, duke krijuar një vepër që për interesin dhe cilësinë e saj, të shihej dhe të vlerësohej jashtë vendit, në qytete si Vjena, Zagrebi apo Sofja, duke ndikuar në suksesin dhe përhapjen e saj ndërkombëtare.
Dardharja -foto nga Albanian art
Personazhet që pikturonte ai i ndeshte realisht në jetë dhe pastaj i pikturonte. Gjithë kohës ishte në kërkim të karaktereve të veçanta. Që nga çasti kur dilte në mëngjes nga shtëpia, rrugës, në kafe, biseda, kontakte, kudo ai ishte në kërkim. Ai kishte intuitën ta “godiste” njeriun, figurën artistike që i nevojitej. Pa harruar që në atë periudhë kishte një lloj krize për gjetje modelesh. Kjo ishte arsyeja që në shumë piktura të tij, kanë pozuar për të familjarë, të afërm, fëmijët, madje edhe mamaja etj. Të tilla vepra janë “Nëna labe”, “Zadrimorja”, “Dardharja”, etj. Zajmi nuk punonte me foto, donte natyrën dhe njeriun. Këto elemente e frymëzonin dhe ky frymëzim shpalosej menjëherë në tablo.
Portret malesori
Le të ndalojmë te portreti i “Nënës Labe” që i përket vitit 1955. Tablloja është punuar me vaj në kanavacë. Në këtë portret dallohet qartë prirja e piktorit për të zbuluar botën e brendshme të gruas labe duke bërë kërkime dhe zbulime në psikologjinë e karakterit të saj. E ritheksojmë që gruaja që ka pozuar për të ishte vetë nëna e piktorit.
Duhet shënuar se piktori Nexhmedin Zajmi ka trajtuar me shumë finesë dhe mjeshtëri zhanrin e tablove kompozicionale me tema të larmishme, ku në veprat “Tregim nga Lufta”, “Prita partizane”, “Diga e Drinit”, ai demonstron një aftësi të jashtëzakonshme si vizatues i përpiktë i figurës njerëzore, mbajtjes në harmoni tonale të të gjithë skenës narrative dhe për më tepër, duket sikur personazhet e pikturuara janë të gjalla.
Natyra për të ishte frymëzim. Realitetit të natyrës ai i vishte kostumin e mahnitshëm artistik. Kavaleti, tavaloca, penelat dhe ngjyrat e vajit të holluara me vajin e linit ishin të gjitha instrumentet me të cilat Zajmi pikturon realitetin si burim frymëzimi. Zajmi vërtet pikturon natyrën, por ai nuk shndërrohet asnjëherë në skllavin apo në shërbyesin e saj. Ai pikturon me sinqeritet dhe vërtetësi, duke mos anashkaluar poetikën e të treguarit realitetin me realizëm dhe në shërbim të së bukurës, duke e pasuruar atë me ndjenjat, emocionet dhe botën e tij. Gjurma realiste, e cila udhëhoqi në tërësi pikturën e tij dhe në veçanti gjininë e peizazhit, solli në pikturën shqiptare vlera artistike të pakrahasueshme.
Nayre e qete - foto nga Albanian art
Kush ishte Nexhmedin Zajmi
Nexhmedin Zajmi lindi në fshatin Trebisht të Gollobordës në vitin 1916 . Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes. Pasi mbaroi shkollën teknike në Tiranë regjistrohet në shkollën e vizatimit. Studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve në Itali. Në vitin 1944 emërohet pedagog në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë dhe një vit më vonë në Liceun Artistik "Jordan Misja". Në vitin 1955, ai punon si Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Po në këtë vit emërohet pedagog në atelienë e pikturës në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë , ku punoi deri në vitin 1969. Ka qenë pjesëmarrës nëpër ekspozita në Tiranë por edhe në ekspozita e konkurime ndërkombëtare ku përfaqësohej Shqipëria si Bienalet e Aleksandrisë, të Bukureshtit, në Sofje, në Vjenë, Petërburg, Kroaci, etj. Në vitin 1961 i jepet titulli "Piktor i Popullit". Në aktivitetin artistik rreth 40 -vjeçar, piktori Nexhmedin Zajmi është pjesëmarrës në 27 ekspozita kombëtare. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ndodhen 72 vepra të piktorit Zajmi, ndër të cilat edhe 2 tablotë e realizuara gjatë viteve '40 në Itali.
Ndërkohë familja e tij ruan disa dokumenta, penela, bojëra, veshje të tij. Si edhe dokumenta të jetës, sidomos dosjen e Akademisë së Romës, një dokument i rrallë me 33 faqe, që përfshin materiale që nga dëftesa, diploma, dita e parë kur u paraqit në Akademi si dhe katër vitet aty. Për gjithë karrierën e tij të çmuar, Zajmi, në vitin 1961 u nderua me titullin “Piktor i Popullit”. Piktori i madh u nda nga jeta në vitin 1991 në Tiranë.
Pasionin për pikturën e trashëgon vajza e artistit, piktorja Anila N. Zajmi. Prej vitesh ajo jeton dhe punon në Itali si piktore dhe restoratore e suksesshme.
Neritana Kraja