Indonezi, vihet në funksionim hekurudha me shpejtësi të lartë Xhakartë - Bandung
2023-10-03 12:23:48

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Hekurudha me shpejtësi të lartë Xhakartë –Bandung, e para e këtij lloji në Indonezi, është përuruar zyrtarisht me nisjen e një treni nga stacioni “Halim” në kryeqytetin indonezian në mëngjesin e së hënës.

 

Presidenti indonezian Joko Widodo shpalli emrin e hekurudhës “Whoosh”, që do të thotë e shpejtë, efikase dhe e besueshme, duke u shprehur që kjo shënon modernizimin e mënyrës së transportit të Indonezisë.

 

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Ministria e Transportit e Indonezisë dha një leje vënieje në funksionim më 29 shtator për kompaninë “PT Kereta Cepat Indonezi-Kinë” (KCIC), ndërtuesja dhe menaxhuesja e kësaj hekurudhe.

 

Kjo linjë 142.3 km e gjatë, që lidh kryeqytetin e Indonezisë Xhakartë me qytetin e 4-t më të madh të vendit Bandung, është një projekt simbolik që integron nismën “Një brez, një rrugë” të paraqitur nga Kina dhe strategjinë “Leva detare globale” të Indonezisë.

 

Ky është gjithashtu projekti i parë i ndërtimit jashtë vendit që përdor plotësisht sistemet hekurudhore, teknologjinë dhe përbërësit industrialë të Kinës.

 

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Ministri i Transportit i Indonezisë Budi Karya Sumadi i tha gazetarit të agjencisë “Xinhua” në një intervistë se, përveç shkurtimit të kohës së udhëtimit mes dy qyteteve nga mbi tre orë në rreth 40 minuta, linja Xhakartë – Bandung do të nxisë ndjeshëm shkëmbimet njerëzore rajonale dhe zhvillimin e sektorëve si turizmi e arsimi, si edhe punësimin.

 

Sipas kompanisë KCIC, nga 3 deri më 16 tetor, tetë trena me shpejtësi të lartë do të funksionojnë ndërmjet Xhakartës e Bandungut çdo ditë dhe publiku mund të gjejë bileta falas në internet. Shitja e biletave është planifikuar të fillojë më 17 tetor.

 

Ministri Koordinator i Çështjeve Detare dhe Investimeve i Indonezisë Luhut Binsar Panxhatan tha se udhëtimet falas të testimeve publike kishin vijuar për tre javë përpara vënies zyrtare në funksionim të hekurudhës të hënën dhe entuziazmi i njerëzve ishte i qartë, pasi ata favorizohen drejtpërdrejt.

 

Ahmad dhe familja e tij udhëtuan në testimin publik të së hënës së kaluar. “Ishte shumë i rehatshëm, i qëndrueshëm e i pastër dhe dukej shumë luksoz. Treni është i përshtatshëm edhe për fëmijët,” theksoi ai.

 

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Që kur filloi ndërtimi i hekurudhës në qershor 2018, ndërtuesit nga Indonezia dhe Kina kanë kapërcyer vështirësi të ndryshme, duke përfshirë ndikimet e pandemisë së COVID-19. Ata jo vetëm përdorën teknologjinë e përparuar kineze, por bënë gjithashtu përshtatje ndaj kushteve gjeologjike komplekse të Indonezisë. Si rezultat, hekurudha ka ura që përballojnë më mirë tronditjet dhe trase më të buta pa çakëll, ndërsa trenat kanë sistem kontrolli më funksional dhe pajisje të përparuara e të sigurta.

 

Ndërkohë, sipas statistikave të dhëna nga kompania KCIC, gjatë ndërtimit të kësaj hekurudhe, 45 mijë indonezianë janë trajnuar me teknologjinë e hekurudhës së shpejtë.

 

Budi Karya Sumadi tha që nga profesionalizmi dhe vullneti i ndërtuesve kinezë ia vlen që të mësohet, duke shtuar që pala indoneziane shpreson të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me palën kineze për menaxhimin dhe mirmbajtjen e kësaj hekurudhe me shpejtësi të lartë.

(Jiang Lei)