Jorida Agolli ( foto personale)
Doktore e Shkencave Ekonomike Jorida Kocibelli ka përfunduar studimet bachelor për Financë-Kontabilitet dhe Master Shkencor Financë në Universitetin “Fan S.Noli” Korçë. Pas një përvoje si pedagoge e jashtme në këtë universitet që nga viti 2014 ajo punon si pedagoge e brendshme dhe drejtuese e projektit kërkimor shkencor me temë: “Analiza e riskut ekonomik për bizneset e vogla, qarku Korçë dhe roli i dixhitalizimit në fuqizimin e tyre gjatë dhe pas periudhës së pandemisë COVID-19”.
CMG: Si pedagoge e sukseshme prej shumë vitesh, a mund të na rrëfeni çfarë shihni përpara pasqyrës, kur duhet të flisni për veten tuaj?
Jorida Koçibelli: Nëse un e shoh veten në pasqyrë para meje qëndron një grua shumë e forte, që pavarësisht sfidave, ka ditur të mbijetojë. Sot e shoh veten në pasqyrë dhe qeshem, jam e lumtur që kam arritur këtu ku jam falë besimit në vete. Pasqyrën shpesh e përdor që të rris besimin tek vetja dhe të kthjellohem për të mirat që kam në jetën e përditshme. Shpesh e detyroj veten duke i thënë se çdo lloj problemi apo sfide e ka një zgjidhje dhe mënyra më e mirë për t’i zgjidhur ato është t’i flasim vetes.
CMG: A keni bërë zgjedhjet e duhura në jetën tuaj?
Jorida Koçibelli: Një zgjedhje bëhet atëherë kur ka një interes mes ‘Kostos dhe lumturisë’. Pra, nëse unë e shoh veten si konsumator dhe bëj zgjedhjet e mia sigurisht bëj një balancë mes asaj që humbas dhe fitoj. Të besh zgjedhjet e duhura duhet të ndihesh optimal. Pika më e mirë është të kuptojmë anët tona të forta dhe të kemi një balancë mes asaj që fitojmë dhe humbasim. Zgjedhja ime e karrierës ka qenë duke parë dhe duke u frymëzuar nga shembuj pozitivë që më kanë rrethuar dhe mendoj që kam bërë të duhurën, pasi në përditshmëri ne duhet të rrethohemi nga shembuj pozitivë ne jetë.
Jorida Agolli ( foto personale)
CMG: Jeni nënë e një vazje, a mund të bëni një krahasim të jetës suaj dikur dhe vajzës suaj sot?
Jorida Koçibelli: Absolutisht që ndryshon shumë. Rrjedha e jetës sime dhe më të së voglës sime nuk është njësoj. Do flas nga gjykimi personal dhe nga ajo që unë vetë kam jetuar dhe përjetuar në të kaluarën time. Kam pasur një fëmijëri plot ngjyra për të cilën askush nuk përpiqej, por ne fëmijët të gjithë ndiheshim të lumtur. Kam pasur një familje të ngrohtë, e cila është përpjekur të mos na mungonte asgjë në jetë. Unë kam edhe dy motra, të cilat kur mungonin shoqet më qëndronin pranë çdo ditë dhe kjo ma shtonte lumturinë time në jetë.
CMG: Çfarë do të thotë për ju lumturi ?
Jorida Koçibelli: Fillimisht unë do doja të citoja shprehjen e famshme që nuk ka lumturi, por ka thjesht pika lumturie në jetë. Kjo është një shprehje që thuhet shpesh, por tepër e qëndrueshme për gjithçka që bëjmë. Çdo ditë arrijmë të kuptojmë që gjërat nuk zgjaisn përgjithmonë. Vlera e mirënjohjes është një nga vlerat më të larta që çdo njeri duhet ta ketë dhe që duhet të jetë prezent në jetën e tyre, sepse duke qenë mirënjohës mund të bëhesh edhe një njeri më i mirë.
Jorida Agolli me familjen ( foto personale)
CMG: A shquheni ju si grua në karrierë për ambicie të lartë?
Jorida Koçibelli: Ambicja kërkon shumë sakrificë dhe unë shpesh i vendos vetes ambicje për të arritur pika të forta në jetë. Një ndër ambiciet më të forta që kam pasur ka qenë të punoj në një ambient, i cili më jep lumturi. Sot jam lektore në univeristetin e Korçës, në një vend ku unë marr shumë dashuri dhe shumë qetësi. Unë e realizova qëllimin tim kryesor dhe më pas një nga ambicjet e tjera ishte doktoratura, një ambicje shumë e madhe. Unë vijoj të kem dëshirën për të marrë edhe më tepër grada. I përkas auditorit dhe kjo është ambicja më e bukur që kam realizuar.
CMG: Si nis dita juaj?
Jorida Koçibelli: Është një cikël i bukur të cilin unë e dua, zgjohem herët dhe kaloj disa orë në natyrë, më pas kthehem në shtëpi dhe bëj vajzën gati për në shkollë, bëhem gati edhe vetë për në punë. Pas punës kohën më cilësore e ndaj me vajzën. Të kesh një vajzë është njësoj si të kesh një shoqe jete.
Jorida Agolli me vajzen e saj ( foto personale)
CMG: Si u ndjetë kur u bëtë nënë për hërë të parë?
Jorida Koçibelli: Nuk e di nëse do t’i gjej plotësisht fjalët e duhura për të përshkruar se si jam ndier sepse dashuria për vajzën time është më e madhja dhe më sublimja. Vajza ime është gjëjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë, jam përpjekur që të jem prezente në çdo hap të jetës së saj. Shoh në sytë e saj një pranverë të përjetshme, e cila uroj të jetë gjithmonë tek ndritçimi i syve të saj. Unë punoj çdo ditë për lumturinë e vajzës sime.
CMG: A keni një mesazh për gratë e tjera të cilat e duan lirinë, profesionin dhe mëmësinë?
Jorida Koçibelli: Indipendenca nuk është e lehtë për t’u fituar, por nëse fitohet jeta juaj merr gjallërinë të cilën e keni kërkuar gjithmonë. Do i frymëzoja gratë të mos heqin dorë nga ëndrrat pasi çdo gjë në këtë jetë është e mundur nëse ke vullnet
Intervistoi Megi Latifi