Për lehtësim të mëtejshëm të tregtisë dhe nxitje të investimeve në rajon
2023-10-03 15:32:02

Shkëmbimet tregtare (Foto Shqiptarja. com)

Shkëmbimet tregtare (Foto Shqiptarja. com)

Më 26 shtator  u mbajt në Tiranë Forumi i Biznesit me titull “Duke u përshtatur me Tregun e Përbashkët të BE-së, si një potencial për rritje për Ballkanin Perëndimor”, me përfaqësues të mbi 70 sipërmarrjeve nga gjashtë vendet rajonale të Procesit të Berlinit: Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë.

Përfaqësuesit e biznesit të rajonit i bëri bashkë domosdoshmëria për të mbështetur më shumë në të ardhmen nisma si reduktimi i barrierave tregtare, përmirësimi i konektivitetit dhe lehtësimi në lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve në të gjithë rajonin, Korsitë Blu, Korsitë e Gjelbëra, pikat e kalimit kufitar me një ndalesë me shtetet anëtare të BE-së apo Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar, etj.

Goditjet e jashtme të viteve të fundit kanë ngadalësuar zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, duke penguar bizneset të arrijnë potencialin e tyre të plotë në këto tregje. Kur Plani i Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal u miratua në nëntor 2020, u ra dakord që një integrim i zgjeruar mund të sillte një rritje shtesë prej 6,7% të prodhimit kombëtar të të gjashtë vendeve në rajon. Agjenda e Tregut të Përbashkët Rajonal u pa si shans që do të gjeneronte mundësi të reja për qytetarët dhe komunitetet e biznesit nga rajoni.

Një integrim i përshpejtuar dhe përfshirje në tregun e BE-së dhe programet e BE-së, synon zgjerimin e të drejtave që rrjedhin nga traktatet e BE-së për vendet kandidate. Kalimi në Tregun e Përbashkët evropian synon të nxisë konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e bizneseve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke rritur njëkohësisht investimet në rajon.

 

 

Ministrat e ekonomisë së rajonit në Forum (Foto Shqiptarja.com)

Ministrat e ekonomisë së rajonit në Forum (Foto Shqiptarja.com)

Menjëherë pas mbajtjes së Forumit të Biznesit, Ministeriali i Ministrave të Ekonomisë së vendeve të rajonit që u mbajt në të njëjtën ditë po në Tiranë, diskutoi politikat, instrumentet dhe mekanizmat konkretë për të cilat rajoni është aktualisht i përgatitur për të marrë pjesë aktive në Tregun e Përbashkët evropian, si dhe opsione të tjera që janë në dispozicion, të kushtëzuara me veprime dhe reforma specifike.

Për momentin, përafrimi me Tregun e Përbashkët të BE-së realizohet përmes marrëveshjeve tregtare ndërmjet BE-së dhe vendeve kandidate të Stabilizim Asociimit, si dhe përmes marrëveshjes tregtare CEFTA ndërmjet vetë vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor. Këto nisma kanë qenë të dobishme për të mundësuar një nivel të parë të shtrirjes ekonomike dhe një zonë të tregtisë së lirë, por pritet më shumë.

Për bizneset rajonale, integrimi i përshpejtuar do të thotë akses në një treg me më shumë se 450 milionë konsumatorë, ku 85% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor besojnë se produktet, mallrat dhe shërbimet e tyre jo vetëm që mund të mbijetojnë, por edhe të konkurrojnë me atë që 27 vendet e BE-së kanë aktualisht për të ofruar.

Megjithatë, përfaqësuesit e bizneseve të rajonit u shprehën se nuk janë ende në këtë stad. Anketa e Barometrit Ballkanik 2023 tregoi se tregtia brenda Ballkanit Perëndimor është pothuajse e bllokuar nga pikëpamja rajonale dhe e fokusuar vetëm në tregjet e brendshme, ndërkohë që ka ende një potencial të lartë tregtar të pashfrytëzuar.

Forumi i Biznesit Rajonal theksoi se inkurajimi i eksporteve në Tregun e Përbashkët të BE-së mund t’i pozicionojë të gjitha bizneset ballkanike si partnere të vlefshme në këtë treg të përbashkët evropian. Ndërkohë që ekzistojnë sfida që lidhen me përafrimin rregullator, barrën administrative dhe infrastrukturën, pjesëmarrësit shprehën bindjen se avantazhet i tejkalojnë pengesat. Hyrja në Tregun e Përbashkët të BE-së do të lehtësonte aksesin në ngritjen e një biznesi, procedura të thjeshtuara për të investuar dhe akses në mundësitë e prokurimit të BE-së. Në këtë drejtim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë mbështeti idenë për fazën e dytë të projektit të Bankës Botërore për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit.

Procesi i Berlinit në Tiranë (Foto Gazeta Express)

Procesi i Berlinit në Tiranë (Foto Gazeta Express)

Ky propozim kërkon rritjen e tregtisë ndërkufitare në Ballkanin Perëndimor, reduktimin e barrierave tregtare, përmirësime të konektivitetit dhe lehtësim në lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve në të gjithë rajonin dhe, më e rëndësishmja, midis rajonit dhe BE-së. Përfaqësuesit e Shqipërisë në Forum u bënë thirrje edhe përfaqësuesve të vendeve të tjera të rajonit që të punojnë në këtë drejtim.

 

Forumi theksoi se iniciativa të tjera me rëndësi, si Korsitë Blu, Korsitë e Gjelbëra, pikat e kalimit kufitar me një ndalesë me shtetet anëtare të BE-së apo Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar ndërmjet vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të lobohen më fort dhe të avancohen.

 

Fatos Çoçoli