TEA: Aktivitetet Kulturore në Shqipëri në muajin tetor
2023-10-03 18:20:54

Foto nga aplikacioni  TEA

Foto nga aplikacioni  TEA

Aplikacioni TEA si një projekt është i ndarë në shumë kategori, duke sjellë Shqipërinë turistike të kulturës, agroturizmit dhe kulinarisë

ART FEST

Në rubrikën “Art Fest” muaji i veprimtarive të tetorit nis ditën e mërkurë më 4 tetor në orën 20.00 me  Albania Dance Meeting Festival (edicioni 18), i cili do të vijojë më datë 16 Tetor ora 17.00. Festivali dancit realizon edicionin e tij të 18-të, dhe ka për qëllim njohjen, aplikimin dhe përhapjen e dansit kontemporan në Shqipëri si një formë e artit bashkëkohor, njëkohësisht më i munguari në skenën tonë për arsye të njohura profesionale e historike.

Sërish në rubrikën ‘Art Fest’ më datë 7 tetor ora 19.00 mbahet eventi ‘Ditët e familjes Jorganxhi’ i cili zhvillohet në qytetin e Korçës në Teatrin Andon Zako Çajupi. Ky event do të realizohet me pjesëmarrjen e artistëve të njohur të skenës shqiptare si Gjergj Leka, Zef Çoba, Pandi Bello, Kori Akapela, etj. Aktivitetet e planifikuara janë shumëdimensionale, ku bëjnë pjesë ekspozitë fotografike dhe multimediale mbi familjen Jorganxhi, mbrëmje muzikore etj, në bashkëpunim me orkestrën simfonike si dhe Korin e forcave të armatosura, por dhe shumë bashkëpunëtorëve të tjerë.

 ‘Art Fest’ më 20-25 Tetor  njofton se do të mbahet  një ekspozitë me automjete të koleksionit retro në qytetin e Gjirokastrës.

TEATRI

Rubrika ‘Teatri’ nis me datat 8 dhe 9 tetor  me aktivitetin që mbahet në Tiranë, ‘Muzikal Callas and Onassis Opera & Ballet Theatre’.

Teatri i Operas dhe Baletit në bashkëpunim me Teatrin grek sjellin për herë parë në Tiranë muzikalin kushtuar divas greke me famë botërore, sopranos dramatike Maria Callas dhe historisë së dashurisë së jetës së saj, me manjatin dhe filantropin grek Aristotel Onassis.

Ndërsa nga 14 -19 tetor mbahet Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Elbasan.

KONCERTE

Rubrika ‘Koncerte’ nis më 26 tetor 2023 në orën 12.00 në Tiranë me Koncertin jubilar që do të zhvillohet për nder të 100 vjtorit të lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit Simon Gjoni, krijuesi i këngës së famshme "Luleborë", himnit të muzikës lirike shqiptare të kënduar në vite dhe kudo nga çdo shqiptar. Në koncert do të marrin pjesë këngëtarë të njohur operistikë dhe lirikë. Ky koncert do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e RTSH-së.

Foto  nga  aplikacioni  TEA

Foto  nga  aplikacioni  TEA

SPORT

Rubrika ‘Sport’ nis aktivitetin sportive ‘Marathon Skampa’. Ky aktivitet i fton të gjithë që të bëhen pjesë e eventit më të madh sportiv ‘Marathon Skampa’ që zhvillohet për herë të parë në qytetin e Elbasanit më datat 7 dhe 8 Tetor, ku marrin pjesë sportistë profesionistë dhe amatorë nga mbi 25 vende të botës, ku të interesuarit mund të regjistrohen në këtë event sportiv shumë energjik dhe që ndihmon për një shëndet më të mirë. Gara  është 5 KM - 10 KM, por edhe 21 KM.

Më 15 Tetor është ‘Dita e ecjes në natyrë’. Aktiviteti zhvillohet përgjatë parkur të liqenit të Paskuqanit.

Më 22 tetor, sipas  aplikacionit TEA zhvillohet ‘Maratona e Tiranës’.

Nga 26 - 29 tetor, që i përkon nga dita e enjte  deri të dielë ora 10:00-22:00 do të zhvillohet ‘Automotive Fair Albania’ në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.  Automotive Fair Albania, edicioni i lI-të i panairit automotiv në Shqipëri, organizohet nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Bashkia Tiranë. Ky aktivitetit zhvillohet për promovimin e industrisë automotive drejt krijimit të një ekosistemi të shëndetshëm, të zhvilluar e të qëndrueshëm përmes qasjes bashkëpunuese nga qeveria, institucionet e  palët e interesuara në arritjen e këtij zhvillimi.

FESTA LOKALE

Më 20-21 tetor mbahet Festa e Verërave dhe Gështenjës në qytetin e Pogradecit. Festa e Verërave tashmë e ndërthurur dhe me gështenjën është kthyer në një traditë për qytetin e Pogradecit, ku vit pas viti identifikohet kultura dhe përkushtimi ndaj prodhimtarisë së tyre.

Në Tropojë  më 23 tetor mbahet ‘Festa e Gështenjës’ në Pedonalen e Bashkisë Tropojë. Aktivitetet për Festën e Gështenjës përfshijnë një panair gastronomie, ku do të demostrohen, gatime tradicionale me bazë gështenjën, si dhe gatime të tjera. Gjithashtu do të mbahet dhe koncert me kënge e valle.

Foto nga  aplikacioni TEA

Foto nga  aplikacioni TEA

AGROTURIZËM & KULINARI

Më 4 tetor  në orën 16.30 nis ‘Festivali i verës’ në Tiranë. Bashkia e Tiranës për të katërtin vit do të mbështesë dhe organizojë ‘Festivalin e Verës dhe Vreshtarisë’ në kryeqytet. Organizimi i kësaj feste lokale i shërben nxitjes së agroturizmit në territorin e Bashkisë Tiranë dhe promovimit të produkteve lokale bio siç është vera e prodhuar në këtë zonë. Kultivimi i vreshtave dhe prodhimi verës në këtë zonë tashmë është kthyer në një traditë.

Aktiviteti do të shoqërohet me një mini-panair me produktet e vreshtarisë dhe llojet e verërave. Do të perfshihen të gjitha produktet agroushqimore dhe të gjitha nënproduktet e rrushit. Restorantet me bujtinat e rrethinave dhe ato të kryeqytetit do të prezantojnë pjatat e tyre me ushqimin tradicional. Duke u kthyer në traditë ky event jo vetëm promovon produktet vendase por dhe të gjithë zonën si atraksion turistik.

Nga  13-15 tetor  ora 11.00 – 23.00 mbahet Festivali ‘Vine and Stories’, i cili rikthehet  në qytetin e Beratit. Ky do të jetë viti i dytë  i festës  që kombinon shijen  e verës me pasurinë  kulturore  të Beratit. Për tre ditë rradhazi  do mund të kaloni një përvojë të paharruar mes shisheve të verës, kulturës dhe muzikës.

ARTE PAMORE

Mbahet në Tiranë nga data 1-10 tetor ora 10.00-20.00, Porta e Ballkanit Rezidenca, Tiranë. Aktiviteti ka për qëllim të bashkojë të rinjtë të kinemasë dhe medias nga Shqipëria dhe nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Europës, nëpërmjet një rezidence. Të rinjtë do të trajnohen në bashkëpunim me njeri-tjetrin dhe do të filmojnë, montojnë dhe transmetojnë produkte me tema sociale të cilat kanë qëllim shpërndarjen në publik dhe më gjerë në rrjetet sociale dhe platforma të tjera dixhitale, si seminari Vizual Story.

Do mund të ndiqni më 20 tetor ‘Balkan Master of Photography’ në Tiranë nga ora 9:00 - 23:00.

Ekspozita synon realizimin e një konkursi fotografie, përmes të cilit mund të shprehen format e artit modern dhe do të pasqyrojë dimensionet e traditës, trashëgimisë, kulturës, jeta urbane etj. Konkursi do të bëjë bashkë artistë nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor me grupmosha 16 vjeç e lart të cilët do të paraqesin një larmishmëri temash me qëllim promovimin e fotografisë si një formë e shprehjes së artit bashkëkohor dhe zhvillimit të kulturës. Promovimi do të bëhet përmes ekspozitave të hapura për publikun.

FOLKLOR

Më 6 tetor mbahet  Festë Folk Klosi. Festivali folklorik promovon vlerat artistike- kulturore të grupeve folklorike vendase.

Mbahet në Dibër më 13 - 14 tetor ora 16:00 Festivali Folklorik "Oda Dibrane" edicioni 29-të. Festivali folklorik Oda Dibrane është ndër festivalet unike në Shqipëri ku interpretohet kënga, vallja humoristike, lojrat popullore, ritet dhe alegorite. Në të marrin pjesë shoqata kulturore nga trevat shqipfolëse. Ky aktivitet shërben prej shumë vitesh si një urë lidhëse kulturore mes shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës.

Foto nga  aplikacioni TEA

Foto nga  aplikacioni TEA

TRASHËGIMI KULTURORE

Nga 4 - 6 Tetor ora 10:30  në  sallën "Unesco", Muzeu Historik Kombëtar mbahet  Festivali Ndërkombëtar letrar i të rinjve "Tirana Gate" 2023, me pjesëmarrjen e autorëve më në zë shqiptare dhe europiane. Festivali Ndërkombëtar Letrar i të Rinjve "Tirana Gate 2023" është tashmë një vendtakim i përvitshëm, i rëndësishëm me pjesëmarren e autorëve më në zë bashkëkohore, nga Shqipëria, Ballkani, Europa. Festivali e kthen Tiranën në një portë të hapur mikpritëse, vizioni dhe

emocioni, jo vetëm për autorët e të gjitha moshave, por edhe për të gjithë pasionantët e rinj që bëhen pjesë e këtij aktiviteti ndërkombëtar, që ka meritën, jo thjeshtë të një festivali, por të krijimit të një atmosfere artistike për të gjitha moshat.

Më 30 tetor  zhvillohet Guida Turistike për njohjen e burimeve natyrore Prezë, Vorë. Guida ka për qëllim njohjen dhe promovimin e burimeve natyrore të zonës së Prezës.

FESTIVALE

 ‘Dance Festival’ mbahet më 12-13 tetor që  vjen në bashkëpunim me platformën e artit ‘Harabel’ dhe Teatrin Kombëtar të Operas dhë Baletit që zhvillojnë një festival të dancit artistik.

Ndërsa më 15 tetor ora 17.00 në Tiranë zhvillohet  ‘Different trains festival’. Festivali Different Trains, është në edicionin e tij të 12-të. Festivali muzikor i kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, ka si objektiv të sjellë pranë publikut vendas, artistët më të mirë të muzikës klasike në bashkëpunim me artistë ndërkombëtar, duke interpretuar para publikut programe artistike cilësore muzikore. Gjithashtu synon përmirësimin e njohurive dhe aftësive të studentëve muzikantë, përmes master-classeve që zhvillohen nga profesorë të mirënjohur të univeristeteve europiane.

Aplikacioni TEA është kalendari digjital, i cili ofrohet përmes një aplikacioni për çdo përdorues brenda Shqipërisë dhe anembanë botës duke ju dhënë mundësinë të gjithëve që për të parën herë të krijojmë paketa të turizmit kulturor dhe të udhëtojmë nëpër kulturën, trashëgiminë, artet, sportet dhe kulinarinë e pasur të Shqipërisë.

Me TEA-n, vizitorët shqiptarë, por dhe turistët e huaj do mund të  eksplorojnë Kalendarin Kombëtar të Eventeve të Turizmit, si dhe të shënojnë aktivitetet e preferuara, sipas grupmoshës apo vendndodhjes, duke u bërë pjesë aktiviteteve kulturore në Shqipëri. Aplikacionin  TEA mund ta shkarkoni falas në telefonin tuaj celular dhe të  nisni udhëtimin tuaj nëpër Shqipëri. Gjithashtu Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u ka  kërkuar edhe operatorëve të telefonisë mobile që ta përfshijnë si njoftim në mesazhin SMS, e tu dërgohet si njoftim vizitorëve të huaj kur ata hyjnë në territorin e Shqipërisë.      

Sava Lena