Java e Kulturës Kineze nisi këtë vit në edicionin e saj të dytë me aktivitete të shumta në sheshin “Italia” në Tiranë, i zbukuruar me simbole kineze, për të paraqitur folklorin dhe kulinarinë kineze. Në një atmosferë festive, në stendat e vendosura u prezantua arti i prerjes së letrës si dhe festivali i gatimeve tradicionale kineze, ku qytetarë të ndryshëm dhe turistë të huaj shijuan ushqimet e shijshme. Me interes të madh u ndoq edhe koncerti me muzikë folklorike kineze në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë si dhe një spektakël akrobatik me numra të zgjedhur për të demonstruar artin kinez.
Aktivitete te javes kulturore kineze (CMG)
Art, muzikë dhe gatime tradicionale në Javën e Kulturës Kineze
Në Trianë u zhvillua Java Kulturore Kineze, ku për disa ditë u organizuan aktivitete të ndryshme kulturore me fokus prezantimin e kulturës kineze. Java Kulturore Kineze u hap me një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar kushtuar kryeqytetit Pekin, e cila qëndroi një javë e hapur për vizitorët. Ekspozita “Përshëndetje Pekin” përmbante fotografi të kryeqytetit të Kinës ndër shekuj, ku pasqyrohen ndryshimet dhe zhvillimet e këtij megaqyteti. Pjesë e ekspozitës ishin dhjetëra fotografi me tematika të ndryshme mbi jetën kulturore në Pekin, ndërtesat simbol dhe mbi trashëgiminë kulturore të tij. Në kuadër të Javës Kulturore Kineze u organizuan edhe aktivitete dedikuar muzikës dhe valleve kineze, si dhe prezantimi i gatimeve tradicionale të Kinës. Disa prej të pranishmëve sjellin përshtypjet e tyre për mikrofonin e Radio Ejani.
Ekspozita fotografike Pershendetje Pekin (CMG)
Për gazetarin Dash Frashëri këto aktivitete janë një ngajrje e shënuar.
“Për mua si dashamirës i hershëm i Kinës me një traditë shumëvjeçare, nisur dhe nga fakti i disa marrëdhënieve të veçanta, është një ngjarje e shënuar që organizohet java e kulturës së Kinës për vitin e dytë rresht, me aktivitete të shumta ditore dhe një dashamirësi njerëzish.
CMG: Provove nga gatimet tradicionale kineze?
Dash Frashëri: Kam provuar gatime kineze në rrethana private, por tani kam konsumuar disa gatime dhe është vërtetë një ushqim i shkëlqyer.
CMG: Çfarë do të veçoje nga kultura kineze?
Kengetarja Iris Bega duke shkruar emrin me shkronja kineze (CMG)
Dash Frashëri: Arti është brenda meje dhe këtu pashë mënyrën sesi bëhen skulpturat, piktura me sheqer, vepra arti të bëra me sheqer të nxehtë dhe kam disa nga këto në shtëpi.
Ledina e ka vizituar disa herë Kinën dhe për të kultura kineze është më e veçanta dhe unike në botë.
Ledina: Unë kulturën kineze do ta veçoja nga kulturat e gjithë botës dhe do ta konsideroja unike në llojin e saj sepse është vërtetë interesante për brezin tim që shumë gjëra i ka dëgjuar. Unë kam patur mundësi që të shkoj tre-katër herë në Kinë dhe i kam përjetuar nga afër ato që prindërit tanë për shumë gjëra na i kanë treguar, por është shumë interesante t’i shikosh atje në një formë të moderuar.
CMG: Çfarë do të veçoje nga gatimet tradicionale kineze?
Koncert i artisteve kineze dhe artisteve te ansamblit popullor (CMG)
Ledina: Kuzhina kineze për mendimin tim është shumë e shëndetshme. Mënyra e kombinimit, gatimit pa yndyrna për mua ka qenë shumë interesante dhe kanë ardhur në dimensione që nuk i kisha parë apo provuar herë tjetër në udhëtimet e mia në Europë.
Ndërsa Enida Mara ka studiuar në Kinë dhe këtë vit është e befasur që shikon shumë të rinj të interesuar për kulturën kineze.
Enida Mara: Faktikisht është viti i dytë që Kina organizon javën kulturore në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës dhe organizimet duken çdo vit e më mirë. Vitin e kaluar ka qenë pak më ndryshe, por këtë vit duket se edhe njerëzit janë më të interesuar. Shikoj shumë të rinj të interesuar për Javën e Kulturës Kineze, për kulturën, ushqimin, për studimet në Kinë.
CMG: Cili është ushqimi yt i preferuar nga gatimet tradicionale kineze?
Enida Mara: Unë do të veçoja një gjellë që bëhet me domate dhe vezë, që mua më pëlqen dhe është shumë e njohur në Kinë. Gjithashtu më pëlqen dhe një gjellë tjetër me gatime të pulës dhe kikirika. Këto janë gatime tipike tradicionale dhe pavarësisht se unë i konsumoj të gjitha, por këto gatime ishin të parat që unë kam provuar kur kam shkuar atje dhe më kanë mbetur në mendje.
Koncert me muzike tradicionale kineze (CMG)
CMG: Ndër aktivitetet e shumta të organizuara për Javën Kulturore Kineze është edhe koncerti me folklor shqiptar dhe kinez.
Enida Mara: Unë kam shkuar në shumë koncerte në Kinë, sidomos kur i organizonte shkolla. Do të veçoja shumë luajtjen e instrumentave, performancën e tyre, qetësia që ata kanë në skenë.
Dajan Shatraj shprehet se këto aktivitete janë një mundësi e mirë për të njohur kulturën kineze.
Dajan Shatraj: Unë mora disa dhurata që në fakt janë shumë interesante. Është një libër për të mësuar gjuhën kineze, që unë e kam marrë për mbesën time dhe ky libër shoqërohet me një CD. Janë dhurata shumë të bukura dhe më vjen mirë që organizohen këto koncerte, që na jepet mundësia për të njohur këtë kulturë kaq të veçantë. Gjithashtu është dhe emri im i shkruar në gjuhën kineze dhe do ta vendos në një kornizë sepse është shumë e bukur.
Performance e artisteve nga Kina (CMG)
CMG: Çfarë provove nga gatimet tradicionale kineze?
Dajan Shatraj: Ushqimet kineze janë gjithmonë më të mirat sepse kanë një kulturë shumë të veçantë. Gatimet e shumta të pulës që i kanë traditë, patatinat me shije deti që ishin shumë interesante dhe rakia që ishte shumë e mirë.
Pjesë e aktiviteteve ishte dhe koncerti i përbashkët me artistë kinezë në bashkëpunim me artistët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve popullore. Solistja e ansamblit Iris Bega ndan me Radio Ejani opinionin e saj për këtë koncert të përbashkët
Iris Bega: Për mua është bashkëpunimi i dytë dhe është shumë kënaqësi sepse ata janë shumë të mirë, janë dashamirës dhe e duan muzikën tone, por dhe ne e ndjekim muzikën e tyre. Në këtë koncert kemi një bashkëpunim të vogël. Kemi një këngë popullore tonën, që e luajnë instrumentistët kinezë bashkë me orkestrën tonë, pra të dyja orkestrat së bashku dhe kështu po bëhemi një Kinë-Shqipëri.
Qytetare duke pare artin e prerjes se letres (CMG)
Solisti i ansamblit popullor Jani Çekiçi shprehet se këto bashkëpunime duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen sepse janë përvoja shumë të mira.
Jani Çekiçi: Jemi shumë të nderuar që marrim pjesë në këtë bashkëpunim të muzikës shqiptare dhe asaj kineze. Kjo do të jetë një përvojë shumë e mirë për ne dhe kemi ngelur të befasuar nga artistët kinezë dhe jemi shumë të kënaqur. Besoj se bashkëpunimet tona do të vazhdojnë dhe në të ardhmen dhe shpresojmë të marrim pjesë në një koncert të ditës shqiptare në Kinë.
CMG: Ku ndryshon folklori ynë me atë të Kinës?
Jani Çekiçi: Ka pentatone të përbashkëta, janë pentatonet e jugut që shkojnë shumë bukur me pentatonet e muzikës kineze dhe këtë e them me siguri të plotë.
Java e Kulturës Kineze u organizua në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, nismë e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, mbështetur edhe nga institucione të tjera kulturore.
Gazmend Agaj