Melodi me temën e Lojërave Aziatike të interpretuara me zheng të pesë vendeve aziatike
2023-10-02 14:57:14

Zheng ose guzheng është një instrument muzikor tradicional kinez. Gjatë dinastive kineze Han dhe Tang, ai u përhap në shumë vende të tjera nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit. Pas ndryshimeve të kohës, vende të ndryshme krijuan zheng me karakteristikat e tyre kombëtare. Gjatë Lojërave Aziatike të Hangzhou-t, melodia e intepretuar me zheng me temën e Lojërave Aziatike “Zemër për zemër”, e prodhuar nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG), mblodhi për herë të parë instrumentet zheng kineze, japoneze, koreane, mongole dhe vietnameze, me interpretim në këtë vegël nga të pesë vendet.

Melodia jo vetëm inkurajon sportistët në fushën e garave, por edhe shpreh aspiratën e përbashkët të popujve nga mbarë Azia për paqen dhe miqësinë. 

Kjo është hera e parë që veglat zheng nga pesë vende aziatike interpretojnë të njëjtën melodi, e cila bazohet në meloditë kombëtare kineze me karakteristika të provincës Zhejiang, duke integruar dhe demonstruar karakteristikat e timbrit dhe aftësitë të luajtjes së instrumenteve zheng të çdo vendi. Orkestrimi muzikor tregon joshën e zonave jugore të lumit Jance të Kinës dhe ritmi rinor mishëron ritmin e epokës së re, duke shfaqur pamjen e gjallë të qytetit Hangzhou me ndërthurjen e përsosur të qytetërimit të lashtë dhe qytetërimit modern. 

foto/CMG

foto/CMG

foto/CMG

foto/CMG

Duke folur për idetë e tij krijuese, kompozitori Li Lei tha: “Ne duam të përdorim interpretimin me zheng kineze për të lëshuar një thirrje për të bashkuar veglat zheng nga e gjithë Azia së bashku, në mënyrë që të gjithë të komunikojnë, dialogojnë dhe këndojnë së bashku në kontekstin e muzikës”. Li Lei tha se vepra “Zemër për zemër” sjell tre stile dhe paraqitje të ndryshme përmes tre pjesëve: forca tërheqëse e zonave jugore të lumit Jance, Hangzhou dinamik dhe “shtëpia e ëndrrave”. Ajo jo vetëm tregon grishën e rrugëve në qytetet jugore të lumit Jance, por paraqet gjithashtu qytetin modern teknologjik dhe dinamik të Hangzhou-t, si dhe hapjen, përfshirjen dhe begatinë e Kinës bashkëkohore.

foto/CMG

foto/CMG

Liu Le, një interpretues kinez i zheng-ut, tha se instrumentistë të shquar nga shumë vende janë bashkuar në këtë vepër, duke përdorur veglat e tyre muzikore për të shprehur gjuhën muzikore dhe duke i ndërthurur ato në të njëjtën vepër, duke e bërë melodinë “Zemër për zemër” të arrijë integrimin e vërtetë mes muzikës dhe kulturës. “Në të njëjtën kohë, kjo është edhe një përpjekje e re për bashkëpunim me instrumentistët aziatikë dhe shpresojmë që kjo lëvizje inovative të hapë një derë të re bashkëpunimi,” vuri në dukje ai.

foto/CMG

foto/CMG

Instrumentistja japoneze Ishimoto Kaori tha: “ ‘Zemër për zemër’ bashkon vegla zheng nga vende të ndryshme të Azisë. Kjo është muzika që bashkon Azinë. Melodia e mrekullueshme përfshin epërsitë dhe karakteristikat e çdo vendi, prandaj më pëlqen shumë. Lojërat Aziatike kanë një joshë të veçantë dhe unë brohoras për sportistët!”

foto/CMG

foto/CMG

Interpretuesja jugkoreane e zheng-ut Lee Ji Hye tha se ajo shpreson ta shfrytëzojë këtë bashkëpunim si një mundësi për shkëmbime më aktive lidhur me muzikën tradicionale mes vendeve, përfshirë Kinën dhe Korenë e Jugut, duke mirëpritur mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejt me interpretues nga vende të ndryshme dhe për të interpretuar në të njëjtën skenë. “Uroj që sportistët pjesëmarrës në Lojërat e 19-ta Aziatike të Hangzhou-t të kenë guximin të luftojnë, të tejkalojnë vetveten dhe të shijojnë momentet e Lojërave Aziatike”, shtoi ajo. 

foto/CMG

foto/CMG

Interpretuesja mongole Solongo Gankhuyag tha se ishte shumë e lumtur që mund të luante melodinë e bukur “Zemër për zemër” së bashku me interpretues nga vende të ndryshme, duke u uruar suksese sportistëve të Lojërave Aziatike. 

foto/CMG

foto/CMG

Interpretuesja vietnameze Nguyen Thi Thanh Huyen tha: “Ashtu si kuptimi që mbart slogani ‘Zemër për zemër’, jam shumë krenare që jam një përfaqësuese e artistëve vietnamezë dhe bashkëpunoj me shumë artistë prej vendeve aziatike. Artistët interpretojnë, ndajnë dhe paraqesin bukurinë kulturore të vendeve të tyre për miqtë e huaj. Shpresoj sinqerisht që sportistët nga të gjitha vendet pjesëmarrëse në Lojërat e 19-ta Aziatike të ndezin zjarrin në zemrat e tyre, të krijojnë mrekulli së bashku dhe të lënë gjurmët e vendeve të tyre në Lojërat Aziatike të Hangzhou-t.”   (Fang Xiaoyu/Artan)