Ylldrit Jakupaj është një artist i talentuar. Ai ka lindur në Gjakovë dhe ka filluar të merret me muzikë që në moshën 15 vjeçare. Kënga e tij e parë ka qenë "Unë po vij", ndërsa në vitin 2012 publikoi albumin "Intuitë". Gjatë kësaj kohe ai ka realizuar mbi 150 këngë, prej të cilave disa nuk janë publikuar ende. Ai vlerësohet si një tekstshkrues mjaft i mire dhe një ndër artistët mjaft të mirë të rrymës hip hop. Në tekstet e tij mund të gjesh veten, pasi artisti flet për problemet sociale të jetës së përditshme, duke prekur tema që jo të gjithë reperat e tjerë i prekin. Përveç muzikës të cilën e ka si pasion, Ylldrit Jakupaj në profesion është jurist. Në intervistë për Radio Ejani ai flet për bashkëpunimin me këngëtaren e mirënjohur Irma Libohova për këngën “Mam”, por dhe për krijimtarinë e tij.
Ylldrit Jakupaj (Foto nga instagrami )
CMG: Ke disa muaj që ke publikuar këngën "Mam", një bashkëpunim me artisten e mirënjohur Irma Libohova. Na trego si erdhi ky bashkëpunim?
Ylldrit Jakupaj: Për mua është privilegj, kënaqësi edhe nder të kem një këngë me pasurinë tonë kombëtare, Irma Libohova. Edhe pse kënga “Mam” ka disa muaj që është publikuar, ajo ë është realizuar që në vitin 2020. Këngën “Mam” kemi dashur që ta realizonim edhe me videoklip, por ditën që kishim caktuar për të realizuar xhirimet, u mbyll çdo gjë për shkak të pandemisë, kështu që videoklipi nuk arriti të bëhej dhe kënga u publikua vetëm në audio. Kënga është pëlqyer shumë nga të gjithë pasi kemi marrë komente pozitive.
CMG: Tekstin e këngës e ke shkruar vetë, për çfarë flet fabula këngës?
Ylldrit Jakupaj: Tekstet e këngëve i realizoj të gjitha vetë. Fabula e këngës flet për njeriun më të mirë, më të bukur, e cila e ka emrin “nënë”.
CMG: Si është të punosh me një artiste të madhe si Irma?
Ylldrit Jakupaj: Është privilegj, është kënaqësi, përgjegjësi, por edhe emocione njëkohësisht sepse Irma, ka një eksperiencë shumë të madhe dhe është mjaft profesionale në këtë drejtim dhe unë kam mësuar prej këtij projekti, këtij bashkëpunimi. Irma mbi të gjitha është edhe një njeri shumë i mirë, përcjell vetëm energji pozitive, është mjaft e kuptueshme. Jam krenar dhe falenderues për këtë bashkëpunim me Irmën.
Irma Libohova dhe Ylldrit Jakupaj ((Foto nga instagrami)
CMG: Çfarë kujton gjatë punës për këtë material muzikor?
Ylldrit Jakupaj: Momentin që më ka ardhur ftesa për këtë bashkëpunim, e kam pritur shumë mirë. Këtu dua të falenderoj edhe producentin e këngës Enis Mullaj. Për mua ishte hera e parë që kam bashkëpunuar me të dhe jam shumë i kënaqur se si ka ecur i gjithë procesi edhe pse nuk kam dyshuar asnjëherë në aftësitë e tij si producent.
CMG: Ti i realizon vetë tekstet e këngëve të tua dhe ke realizuar me qindra këngë edhe pse nuk janë publikuar të gjitha. Si lindi pasioni yt për të shkruar tekste këngësh, por edhe për t’u marrë me muzikë?
Ylldrit Jakupaj: Të gjitha tekstet e këngëve unë i kam realizuar vetë, por shumë këngë nuk i kam publikuar, për shumë arsye. Unë gjithë kohës kam shkruar poezi, që në periudhën e shkollës më pëlqente të bëja hartimet, tekste, etj. Në fillimet e mia nuk ka qenë në plan muzika, por gjatë rrugës muzika ka ardhur natyrshëm. Faktikisht unë kam pas dëgjuar shumë muzikë, përveçse kam shkruar. Ndoshta jo me vetëdije kam filluar t’i bashkoj këto të dyja tekstin dhe muzikën, si dhe kam filluar të sfidoj veten muzikalisht, tekstualisht, por edhe psiqikisht. Mendoj se është një hobi dhe terapi për mua, ku shumë njerëz gjejnë veten.
(Foto nga instagrami)
CMG: Ti vlerësohesh për tekstet ku shumë njerëz gjejnë veten. Si është të krijosh këngë për t'ju përshtatur të gjithëve?
Ylldrit Jakupaj: Unë nuk bëj këngë për t’ju përshtatur njerëzve, por realizoj këngë ashtu si unë ndjehem, ashtu si e konceptoj dhe e shoh botën që më rrethon. Për shembull, duke e nisur prej familjes, shoqërisë, vendit, njerëzve e shumë të tjera. Ato përshtypjet që më krijohen në përdishmëri, mundohem që t’i kthej në tekste. Më vjen mirë që ka shumë njerëz që i pëlqejnë tekstet e mia, madje gjej rastin t’i falenderoj e t’i përshëndes.
CMG: Cilën nga këngët e tua do të veçoje si më të arrirë profesionalisht?
Ylldrit Jakupaj: Secilën këngë që e bëj e marr me shumë seriozitet, pavarësisht se kam shumë këngë të cilat janë krijuar në kushte shumë të thjeshta. Ndoshta nuk janë krijuar me ndonjë teknologji të madhe, por unë gjithmonë jam munduar të jap maksimumin tim. Nëse patjetër duhet të zgjedh një, do kisha zgjedhur këngët “Mam” dhe “Pesimist”
CMG: A do të shohim me ndonjë bashkëpunim tjetër në vazhdim? Me cilin artist do të dëshiroje?
Ylldrit Jakupaj: Për momentin nuk kam një gjë konkrete se me cilin artist tjetër, por jam i hapur për bashkëpunime dhe rëndësi ka që projekti të jetë i duhuri për mua.
Ylldrit Jakupaj (Foto nga instagrami)
CMG: Me çfarë po merresh aktualisht?
Ylldrit Jakupaj: Për momentin po punoj në profesionin për të cilin kam studiuar, por gjithmonë unë shkruaj, jam në zonën e kreativitetit . Kam një jetë normale si gjithë të tjerët me probleme, sfida, me monotoni, lodhje, probleme financiare, etj si një pjesë e mirë e njerëzve, asgjë më ndryshe.
CMG: Cilat janë planet e tua në te ardhmen?
Ylldrit Jakupaj: Plan konkret nuk kam. Uroj të jemi mirë me shendet dhe çfarë të sjellë jeta, mirë se vjen.
Intervistoi Sava Lena