Adriana Koreta është këngëtare e muzikës popullore tradicionale, kryesisht e trevës së jugut. Disa prej viteve të jetës ajo i ka kaluar në emigrim, por aktualisht po e vijon pasionin për këngën në atdhe. Adriana merr pjesë në mjaft evente muzikore, kudo ku jetojnë shqiptarët. Krijimtaria e saj muzikore këto vite ka qenë e përqëndruar më shumë te këngët e reja, por së shpejti ajo premton të sjellë disa kolazhe këngësh popullore për publikun. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ajo tregon për fillimet me këngën popullore, aktivitetet dhe projektet muzikore në të ardhmen.
Adriana Koreta (Foto personale)
CMG: Si erdhi pasioni për këngën popullore dhe kur kanë qenë fillimet me këtë zhanër muzikor?
Adriana Koreta: Unë këngën e kam nisur që fëmijë dhe e kam trashëguar nga babai, pasi edhe ai ka kënduar në kohën e vet nëpër dasma dhe gëzime familjare. Kur isha e vogël kisha qejf dhe dëshirë të këndoja për vendin tim këngët e mia, që dëshiroj që t’i trashëgoj për brezin tjetër sepse më pëlqejnë.
CMG: Kur e ke realizuar këngën e parë dhe çfarë kujton nga dalja e parë në skenë?
Adriana Koreta: Këngën e parë e kam realizuar në Greqi, pasi atje jam rritur. Ajo titullohet “Ç’po qëndis moj Marigo” dhe jam pritur shumë mirë nga publiku. Emigrimi ka bërë punën e vet dhe për këtë arsye e kam lënë pak pas dore muzikën, por tani mendoj se do të qëndroj në Shqipëri, ku do të jap akoma më shumë për këngën popullore.
CMG: Gjatë këtyre viteve ke sjellë krijimtari të re popullore, duke e ruajtur traditën dhe folkun.
Adriana Koreta: Unë e gjej veten te këngët tradicionale dhe pse ne këngëtarët mundohemi të këndojmë zhanre të ndryshme muzikore. Mendoj se këngëtari e ka suksesin aty ku e gjen veten dhe unë e gjej veten te kënga popullore.
CMG: Ke ndonjë këngëtar idhull të trevës së jugut?
Adriana Koreta: Unë kam idhull këngëtaren Eli Fara, sepse ajo ka shumë gjëra të mira që nuk di se cilën të veçoj tek ajo këngëtare.
Adriana Koreta,(Foto personale)
CMG: Rikthimi në Shqipëri pas kaq vitesh do të sjellë dhe këngë të reja për publikun?
Adriana Koreta: Unë do të vij me realizime të reja dhe kam bërë dy këngë të fundit, por do të sjell projekte të reja, pasi e shoh që tregu muzkor tani kërkon që unë të qëndroj këtu. Mendoj se do të sjell akoma këngë popullore dhe kolazhe të ndryshme, që të jem sa më e pëlqyer nga publiku. Gjithashtu do të jem prezente në gëzimet familjare apo evente të ndryshme muzikore.
CMG: Si e shikon veten si këngëtare në mesin e kaq shumë këngëtarëve që kanë dalë në tregun muzikor?
Adriana Koreta: Unë jam një person që më pëlqen e vështira, por e shoh mirë veten sepse mendoj se një njeri që ka talent mund të mos vijë në kohën e duhur dhe prandaj jam kthyer, duke menduar se jam e gatshme. Në fillimet e mia mund të kisha dëshirë të këndoja, kurse sot nuk është vetëm dëshira, por është dhe talenti.
CMG: Kush i ka realizuar dy këngët e fundit dhe si janë pritur nga publiku?
Adriana Koreta: Kam ardhë me këngën “Aromë Shqipërie”, kompozuar nga Edi Balili, e cila është pritur mjaft mirë. Gjithashtu kam bërë dhe një këngë tjetër “Bija e nënës” të kompozuar nga Gramoz Kozeli dhe që të dyja janë këngë që mendoj se kanë sjellë rikthimin tim për publikun.
Adriana Koreta,(Foto personale)
CMG: Tekset e këngëve i shkruan vetë?
Adriana Koreta: Në përgjithësi punoj vetë me tekstet, por dhe në bashkëpunim me kompozitorët.
CMG: Sa e vështirë ka qenë për ty për t’u prezantuar në tregun muzikor me këngët tradicionale shqiptare?
Adriana Koreta: Unë besoj se tabani nuk do të shuhet kurrë sepse ne e kemi në gjak muzikën popullore. Çdo këngëtar duhet të mbajë dhe forcojë sa më fort atë që jep më bukur në popull dhe ky është suksesi i këngëtarit kur përpiqet dhe jep më të mirën.
CMG: Këndon këngë të trevave të tjera kur je e ftuar në gëzime familjare?
Adriana Koreta: Unë këndoj dhe këngë të trevave të tjera, aq sa mund të përshtatem. Kur këndoj live ndodh të këndoj dhe trevat e tjera sepse janë njerëz nga krahina të ndryshme dhe për të qenë sa më afër popullit, për t’i kënaqur sadopak mundohemi që t’i përshtatemi deri diku çdo dashamirësi.
CMG: Preferon ta veshësh kostumin popullor tradicional kur këndon?
Adriana Koreta: Më pëlqen shumë kostumi popullor sepse tregon një karakter të fortë të këngës. Do ju tregoj një sekret të vogël, që kur kam nisur të këndoj për herë të parë kam kënduar në gjuhën vllahe. Kur kam qenë në Rumani për herë të parë jam prezantuar me kostumin kombëtar.
CMG: Ke interpretuar këngë popullore në gjuhën vllahe?
Adriana Koreta: Kam kënduar sepse unë marr pjesë edhe në eventet familjare të vllehëve dhe aty duhet të kesh repertor të këngëve tona.
Kengetarja e muzikes popullore Adriana Koreta (Foto personale)
CMG: Ke mbajtur koncerte dhe në vende të ndrsyhme për emigrantët. Si je pritur nga bashkëatdhetarët tanë në këto koncerte?
Adriana Koreta: Jam pritur mire nga publiku dhe pritja e tij më ka bërë që të kthehem prapë në Shqipëri, për të vazhduar aty ku e lashë dhe më e fortë se kurrë.
CMG: Mendon të realizosh së afërmi ndonjë kolazh me këngë qytetare vlonjate?
Adriana Koreta: Mendoj që të sjell shumë shpejt kolazhe të ndryshme popullore, por dhe këngë të reja.
CMG: Ke bashkëpunuar gjithmonë me kompozitorë profesionistë, duke e ngritur nivelin e këngëve.
Adriana Koreta: Mendoj se me tekstin e bukur dhe kompozitorin e mirë arrin atje ku dëshiron të shkosh. Suksesi vjen me njerëzit e duhur dhe profesionistë.
CMG: Cilat kanë qenë angazhimet tuaja këtë vit?
Adriana Koreta: Unë kam pak kohë që jam kthyer në Shqipëri, por kam qenë mjaft e angazhuar dhe shoh një të ardhme të mirë këtu përsa i përket karrierës muzikore.
CMG: E ndan jetën tuaj artistike mes Anglisë dhe Shqipërisë. Do të vazhdosh kështu edhe në të ardhmen?
Adriana Koreta: Kjo gjë do të vijojë pasi është një pjesë e madhe e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe është gjë e mirë të performosh edhe për ata. Unë jam rritur vetë në emigrim dhe e di shumë mirë çfarë të thotë një event me muzikë shqiptare. Ka shumë emocione gjatë atyre orëve që ne jemi me muzikën tonë popullore.
Kengetarja Adriana Koreta (Foto personale)
CMG: Të kënduarit live para publikut çfarë emocioni të jep?
Adriana Koreta: Është një emocon që nuk di ta përshkruaj dhe kur e sheh që njerëzit të shikojnë në sy, qeshin dhe këndojnë me ty, ndonjëherë harroj se ku jam. Të kënduarit live para publikut ka një emocion të pakufizuar.
CMG: Do të realizoni ndonjë bashkëpunim me këngëtarë të muzikës popullore?
Adriana Koreta: Kam dëshirë të bëj ndonjë bashkëpunim, sepse kur bëhen dy këngëtarë arrin një gjë më tepër, por këtë gjë do ja lemë kohës. Bashkëpunimet janë në planet dhe dëshirat e mia në të ardhmen.
CMG: Mendon se kohët e fundit brezi i ri është rikthyer te muzika popullore tradicionale?
Adriana Koreta: Unë e shikoj që brezi i ri është rikthyer te muzika popullore sepse muzika tradicionale është gjithçka e jotja.
CMG: Ke provuar të këndosh këngë polifonike?
Adriana Koreta: Këngën labe e adhuroj dhe ndonjëherë kur ulem me muzikantë ose kolegët e mi dhe flasim për këngët labet them se këto këngë kam qejf t’i dëgjoj aty ku e kanë bazën, aty ku njerëzit dinë ta këndojnë dhe sjellin kaq bukur.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Adriana Koreta: Unë i përshëndes të gjithë kudo që ndodhen dhe i dua fort.
Intervistoi: Gazmend Agaj