Ambasadori kinez në ShBA Xie Feng tha të mërkurën se megjithëse kohët e fundit marrëdhëniet Kinë-ShBA kanë parë disa shenja pozitive stabilizimi, ato ende përballen me vështirësi serioze dhe sfida të rënda.
Foto nga ambasada e Kinës në ShBA
"Ka ende një rrugë të gjatë për të stabilizuar dhe përmirësuar marrëdhëniet." - tha ambasadori kinez në një pritje me rastin e 74-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës në Uashington D.C.
Xie theksoi se ndërkohë që shumëçka ka ndryshuar në marrëdhëniet mes Kinës dhe ShBA-së, fakti që të dy vendet janë të ndërvarura, nuk ka ndryshuar. Gjithashtu nuk ka ndryshuar as entuziazmi i dy popujve për shkëmbime dhe bashkëpunim më të madh dhe as pritshmëria e komunitetit ndërkombëtar për marrëdhënie të qëndrueshme midis të dy vendeve.
"Çelësi është që t'i përmbahemi tre parimeve të përshkruara nga presidenti Xi Jinping, duke përfshirë respektin reciprok, bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella, duke gjetur rrugën e duhur që Kina dhe Shtetet e Bashkuara të bashkohen në epokën e re." - theksoi ambasadori.
Foto nga ambasada e Kinës në ShBA
Respekti reciprok është parakusht për ndërveprimet mes dy vendeve, shtoi Xie. Ambasadori kinez i bëri thirrje ShBA-së të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, të trajtojë siç duhet çështjet e rëndësishme dhe të ndjeshme si ajo e Tajvanit, në përputhje me parimet e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane dhe të respektojë zgjedhjen e popullit kinez për rrugën e zhvillimit dhe sistemin politik si dhe e drejta për të kërkuar një jetë më të mirë.
"Bashkëjetesa paqësore është vija e kuqe që të dy vendet duhet të mbajnë. Çdo luftë, e ftohtë apo e nxehtë, tregtare apo teknologjike, duhet të shmanget." - vuri në dukje Xie. Ambasadori gjithashtu i kërkoi ShBA-së të ndalojë sanksionet kundër subjekteve dhe individëve kinezë, duke shtuar se bashkëpunimi me përfitime të ndërsjella është qëllimi që duhet të synojnë të dyja vendet. “Palët duhet të ndërmarrin veprime pozitive pa vonesë, duke filluar me hapa konkretë dhe të vegjël, për të përfituar popujt e tyre dhe ndihmuar në kthimin e marrëdhënieve Kinë-ShBA në rrugën e duhur.” - tha Xie.
foto: VCG
"Shpresohet që Shtetet e Bashkuara të punojnë me Kinën në të njëjtin drejtim, të pastrojnë pengesat dhe të menaxhojnë dallimet me veprime konkrete, duke përmirësuar dialogun dhe zgjeruar bashkëpunimin në mirëbesim, në mënyrë që të stabilizohen dhe përmirësohen marrëdhëniet Kinë-ShBA." – përfundoi ambasadori kinez. (Li Huailiang/Edmond)