Shtimi rekord i investimeve të huaja direkte në Shqipëri
2023-09-29 15:25:37

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e investimeve të huaja arriti në 308 milionë euro vetëm në tremujorin e parë janar-mars 2023, në shtim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shifër përfaqëson vlerën më të lartë të investimeve të huaja të drejtpërdrejta, të regjistruar ndonjëherë në këtë periudhë të vitit.

Prof. Selami Xhepa (Foto CMG)

Prof. Selami Xhepa (Foto CMG)

Ndërkohë, po Banka e Shqipërisë bën të ditur se, për tremujorin e dytë prill-qershor 2023, vlera e Investimeve të Huaja të Drejtpërdrejta arriti në 379 milionë euro, në rritje me 12.5 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e të investimeve të huaja të drejtpërdrejta arriti në 687 milionë euro, me një rritje 7.9 përqind, krahasuar me janar-qershor 2022.

Sipas bankës qendrore, rritja e investimeve të huaja të drejtpërdrejta është mbështetur nga shtimi i flukseve të reja të kapitalit dhe nga rritja e fitimeve të riinvestuara të investitorëve ekzistues. 51 përqind e investimeve të huaja ishin fitime të riinvestuara, ndërsa 49 përqind e totalit ishin injektime të reja të kapitalit. ,

Sektori financiar dhe sidomos ai bankar përfaqëson në vijimësi një faktor me peshë në investimet e huaja direkte, falë nevojave periodike që kanë bankat për të shtuar kapitalin e tyre aksioner, duke ri-investuar.

Prof. Dr. Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës, ekspert i ekonomisë analizon rritjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në intervistë për CMG

CMG: Prof. Xhepa, vitin e kaluar, Investimet e Huaja Direkte arritën vlerën e 1.37 miliardë eurove, ose 33 përqind më shumë se sa gjatë vitit 2021. Ato shënuan rekord të ri edhe në dy tremujorët e parë të këtij viti. Pse ky impuls i shtuar i tyre, sipas jush?

Prof. Dr. Selami Xhepa: Nuk ka dyshim që performanca pozitive, ecuria pozitive e investimeve të huaja direkte është e lidhur kryesisht me zgjerimin e oportuniteteve të investimeve. Pra, për sa kohë ekonomia jonë zgjeron mundësitë për investuesit e huaj dhe ofron norma interesante të kthimit të kapitalit të investuar nga ata, kuptohet që vendi bëhet tërheqës për këto investime.

Kjo mendoj se shpjegon dinamikat e sotme. Po të shikojmë edhe tregjet në të cilat investimet e huaja direkte janë orientuar, ato reflektojnë pikërisht sektorët dhe tregjet që kanë njohur kohët e fundit një rritje goxha interesante dhe të fortë.

Kryesisht dy sektorët më të rëndësishëm kanë qenë: tregu i pasurive të paluajtshme, që kanë përbërë një alternativë të rëndësishme investimi jo vetëm për investitorët e huaj, por njëkohësisht edhe për investitorët vendas.

Investimet e huaja direkte (Foto A2CNN)

Investimet e huaja direkte (Foto A2CNN)

Së dyti, janë burimet natyrore. Eksplorimi i tyre dhe dinamikat e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare e bëjnë investimin e huaj një investim të përhershëm dhe fitimprurës.

Kështu që mendoj se kjo shpjegon dinamikat shumë të forta të shtimit të investimeve të huaja tek ne.      

CMG: Sipas UNCTAD, agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ekonominë dhe Tregtinë, Shqipëria renditet në vend të dytë në Ballkanin Perëndimor për nivelin në total të investimeve, duke lënë pas  vende si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina. Çfarë nënkupton kjo?

Prof. Dr. Selami Xhepa: Dinamikat e investimeve të huaja, sidomos stoku kumulativ i investimeve të huaja, i cili është një tregues shumë i rëndësishëm, e kanë përmirësuar ndjeshëm performancën e Shqipërisë.

Nëse do t’i referohemi trendeve historike të tyre, nuk ka diskutim se vendet e rajonit kanë përformuar më mirë se ne. Nga ana tjetër, duhet të shohim jo vetëm thjesht në aspektin sasior, por duhet të shikojmë edhe në cilësinë e investimeve.

Kjo, pasi, sa i takon produktivitetit të ardhshëm të ekonomisë dhe zgjerimit të produktivitetit në vitet e ardhshme, është cilësia e investimit ajo që ka shumë rëndësi.

Pra, në dallim nga vendet e rajonit, ku investimet janë orientuar kryesisht në industritë e manifakturës(prodhimit), duke bërë që këto tregje të jenë shumë më të integruara në zinxhirin global të prodhimit, në Shqipëri janë në sektorin e “non tradables”, pra të patregtueshmeve, kryesisht shërbime.

Për shembull, në tregun financiar, në energji, në ndërtim, në pronat e patundshme, e me rradhë. Kjo është diferenca cilësore e raportit dhe trendeve të investimeve të huaja në Shqipëri, në krahasim me vendet e rajonit.

 CMG: Këto ditë, agjencia ndërkombëtare vlerësuese e ekonomive të vendeve të ndryshme dhe e kompanive shumëkombëshe, “Standard&Poors” e rriti vlerësimin e Shqipërisë nga “B+” në “Pozitiv”. A ndikuan edhe investimet e huaja të drejtpërdrejta në këtë renditje më të lartë?

Prof. Dr. Selami Xhepa: Në rradhë të parë, indikatorët kryesorë që përdor “Standard&Poors”  në renditjen dhe për gjykimin e besueshmërisë së kreditorëve në raport me një vend të caktuar që analizon, lidhen kryesisht me treguesit buxhetorë.

E vërteta është që kemi një rënie të defiçitit, ose më mirë të themi të borxhit publik të Shqipërisë. Pra, kemi një lloj përmirësimi në financat publike të vendit, kur bëhet fjalë për indikatorët e borxhit. Kjo jep më shumë besim tek investuesit. Nga ana tjetër, indikatorët janë të lidhur. Vetë rritja e besimit që përcjell ky vlerësim dhe mesazh i “Standard&Poors”, ndikon që investimet e huaja të jenë më aktive në vend. Kështu që përforcojnë njera-tjetrën, si tregues.   

CMG: Mund të presim, me këtë logjikë, që në të ardhmen, duke qenë se jemi tashmë të rankuar më lart tek “Standard&Poors”, edhe vetë investuesit e huaj të jenë më të inkurajuar, që të vijnë dhe të riskojnë kapitalin e tyre në Shqipëri?

Foto:VCG

Foto:VCG

Prof. Dr. Selami Xhepa: Nuk ka diskutim që, për sa kohë mundësitë e tregut dhe normat e kthimit të investimit në tregun tonë të brendshëm do të vazhdojnë që të jenë pozitive, që edhe dinamikat e investimeve të huaja në periudhat në vazhdim priten që të jenë pozitive.

Dua edhe njëherë të nënvizoj, se ajo që është më me interes për ekonominë shqiptare, është që të shikojë zgjerimin e mundësive të tregjeve, atje ku ato janë të munguara dhe shumë të nevojshme. Kjo, kryesisht në sektorë të industrisë, të prodhimit. Në sektorë që industrializojnë bazën ekonomike të vendit dhe na integrojnë me tregun ndërkombëtar. Këta sektorë na bëjnë të jemi të rëndësishëm në zinxhirin global të prodhimit dhe të furnizimit.

Duke parë zhvillimet që kanë ndodhur, qoftë edhe ato gjeopolitike gjatë viteve të fundit, si dhe atë “near shoring”, pra alokimin e kapitalit të huaj në vende që janë më afër dhe janë më miqësorë, Shqipëria paraqet një mundësi goxha të artë, për të qenë pjesë e përzgjedhjes së këtij procesi të investimeve.   

CMG: Brenda kësaj mundësie të artë që ju përmendët Profesor Xhepa, pse  fitimet e riinvestuara kanë qenë faktori më përcaktues në shifrat rekord të investimeve të huaja edhe për këtë vit?

Prof. Dr. Selami Xhepa: Kjo është një gjë shumë e mirë dhe pozitive, që tregon se investitorët e huaj, të cilët kanë hyrë në Shqipëri, kanë investuar dhe kanë fituar. Dhe këtë fitim, pra dividendin, e ri-investojnë këtu tek ne dhe nuk e kthejnë mbrapsht në vendin e tyre. Në rast se do t’i nxirrnin jashtë këto fitime, kuptohet që kjo do të ushtronte një presion akoma dhe më të fortë në tregun valutor të vendit.

Kjo është një gjë pozitive, edhe pse tregon një besim më afatgjatë të investitorëve të huaj tek Shqipëria, kur kompanitë e tyre këtu i ri-investojnë fitimet e tyre. Tek e fundit, do të thotë se qëllimet dhe planet e tyre janë për qëndrimin afatgjatë në tregun shqiptar. Ky është një indikator shumë i mirë i klimës së besimit që ata kanë tek zhvillimet e tregut tonë të brendshëm.

CMG: Edhe pse jemi ende jo në fund të vitit(na ndajnë tre muaj prej tij), duke parë edhe punët që po bëhen këtu me kapital të huaj, si për shembull aeroporti ndërkombëtar i Vlorës në ndërtim e sipër, apo edhe shumë kontrata të lidhura që do të hyjnë në zbatim së shpejti, a jeni optimist për trendin në rritje të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri, për këtë fundvit dhe gjatë vitit të ardhshëm?

Prof. Selami Xhepa në intervistë për CMG

Prof. Selami Xhepa në intervistë për CMG

Prof. Dr. Selami Xhepa: Nëse shikojmë në trajektoren e tyre historike, me përjashtim të episodeve, të tronditjeve të mëdha, pra të krizave globale, ose të krizave që mund të ndodhin në sektorë të caktuar, në përgjithësi trendet kanë qenë pozitive, për të pritur dhe për të pretenduar që edhe në pjesën e mbetur të këtij viti do të ketë rritje të IHD-ve.

Ne kemi parë që turizmi ka qenë në një bum të madh. Pra, ka një lloj perceptimi mjaft pozitiv nga ana e komunitetit të investitorëve të huaj. Urojmë shumë që ky perceptim të vazhdojë dhe shifrat e investimeve të huaja gjatë këtij viti të vazhdojnë që të mbeten më të larta, se sa në periudhat e viteve të kaluara.

Intervistoi Fatos Çoçoli