Ornela Gaçe me përvojë në fushën e medias, gazetarisë dhe komunikimit publik prej disa vitesh është edhe drejtore e eventeve dhe panaireve në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Bashkisë Tiranë.
Ornela Gace ( foto personale)
Ajo ka krijuar qindra aktivitete dhe panaire, të cilat kanë ardhur më pranë qytetarëve dhe bizneseve. E apasionuar pas risive, Ornela ka gjetur përherë elementë të bukur për t’i sjellë këto aktivitete pranë publikut. Panairi ‘Tirana e fëmijëve’ ishte gjithashtu aktiviteti i organizuar prej datës 21-24 shtator në kryeqytet.
CMG: Panairi ‘Tirana e fëmijëve’, si u krijua dhe si u prit nga vetë fëmijët?
Ornela Gace: Nëpërmjet kësaj bisede unë do doja që të shkoja tek fëmijët dhe duke folur rreth eventeve për fëmijët, duke ju rikujtuar se ne i kemi ata në fokus për t’i kënaqur dhe për t’i përfshirë. Qëllimi kryesor ishte që fëmijët të kishin një skenë të vetme për të performuar talentet e tyre. Tirana ka shumë kurse dhe shumë mundësi, por një skenë të tërën për ta zotëruar nuk ofrohet lehtësisht. Ndaj, në këtë event fëmijët nga mosha 4-13 vjeç gjetën veten dhe shkëlyqyen në sytë e prindërve të afërmve, apo edhe njerëzve që rastësisht kalonin në Sheshin Skënderbej. Është shumë e rëndësishme të theksojmë evente të tilla për fëmijët pasi janë ata që argëtohen dhe kënaqen duke ju dhënë një lloj motivimi për të mos i lënë kurrë gjërat në gjysmë, por për të besuar në ëndrra.
Tirana është e fëmijëve dhe e të gjithë atyre që e kanë një talent. Ajo që bie në sy tek fëmijët është që e duan shumë traditën shqiptare dhe kanë elementë të theksuar të së kaluarës. Disa nga vallet më të bukura shqiptare fëmijët i performojnë dhe është bukur që të tjerët t’i shohin ato.
Ornela Gace dhe Klea Rrapi moderatore në skenën e Tirana e Fëmijëve ( foto facebook)
Foto nga Panairi Tirana Agro (ATSH)
CMG: A mjaftojnë skenat për fëmijët?
Ornela Gace: Skenat kurrë, fëmijët janë gjithnjë dhe në shtim kur flasim për potencial artistik, por jemi duke u përpjekur t’ua japim këtë mundësi.
Pra, fëmijët e kryeqytetit kanë aq shumë talente sa duhen me mijëra skena. Ndaj panairi ‘Tirana e fëmijëve’ është një panair që mezi pritet të vijë. Ndërsa vitin e ardhshëm, ne po mendojmë të sjellim edhe dhurata për fëmijën më të talentuar.
CMG: Si ndiheni ju që punoni me fëmijët?
Ornela Gace: Unë ndihem shumë mirë sepse më japin energjinë e duhur. Ne kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me Bashkinë Tiranë, kryetari i së cilës i do shumë fëmijët dhe i vlerëson si e ardhmja e vendit. Ky aktivitet do të vijojë në formë konstante sepse për fëmijët gjithçka që bëhet duket sikur është pak, jemi gjithmonë në borxh ndaj tyre.
CMG: Pse këto panaire janë të rëndësishme, sipas jush?
Ornela Gace: Panairi bashkon të gjithë elementet në një vend. Pra, nëse duam të prekim tokën së bashku me produktin apo shërbimin ne këtë gjë e gjejmë në një panair të vetëm. Panairi “Tirana Agro”, është një event i rëndësishëm për qytetin, pasi qytetarët orientohen drejt gjërave bio dhe të gjitha rrethinat e Tiranës zbresin me larminë e tyre prodhues ne Panair. Ajo që u vu re këtë vit ishte fakti që nëntoka dhe dora e njeriut ka prodhuar me shumë pasion verën, mjaltin dhe shumë produkte të tjera shqiptare. Më vjen mirë që në këto katër ditë të gjithë aktorët pjesëmarrës patën mundësi për t’u reklamuar dhe për të kuptuar rëndësinë e këtyre produkteve.
CMG: A patën mundësi bizneset të reklamoheshin si duhet?
Foto nga Panairi Tirana Agro (ATSH)
Ornela Gace ( foto facebook)
Ornela Gace: Absolutisht që e kishin këtë mundësi sepse vendi ku organizohen këto panaire është tejet i lakmuar, flasim këtu për Sheshin Skënderbej tek i cili kalojnë çdo ditë 5-mijë veta, pra një destinacion i lakmuar nga vendasit por edhe turistët, pasi këtë vit turizmi u rrit tepër dhe të huajt testonin me kënaqësi produktet. Qëllimi ynë prioritar është komoditeti dhe hapësira që marrin bizneset për të reklamuar gjithçka që ofrojnë.
CMG: A keni një mesazh për të rinjtë e Tiranës?
Ornela Gace: Rinia në Tiranë duhet të kuptojë që qyteti është i tyre dhe kaq aq shumë aktivitete sa ata mund ta gjejnë diku veten e tyre. Tirana duhet të rritet nga ana e aktiviteteve nëpërmjet tyre dhe të rinjtë duhet të rrinë larg veseve, duhet t’iu rikthehen eventeve, panaireve etj.
Intervistoi Megi Latifi