Ekspertët: Derdhja e ujërave të zeza në lumin Buna dëmton ekosistemin
2023-09-29 15:37:33

 

Ende nuk ka marrë zgjidhje çështja e derdhjes së ujërave të zeza në lumin Buna në Shkodër. Me situatën e krijuar aktualisht, një sipërfaqe e konsiderueshme është kthyer në një moçal të vërtetë. Biologia Aurora Piroviç thotë se shkarkimi i ujërave të zeza të qytetit përveçse është duke dëmtuar ekosistemin, por po ndikon dhe në zhdukjen e florës dhe faunës në liqen, citon “RTSH”.

“Përbën një problem të madh mjedisor, që ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në florën, faunën e vetë lumit Buna si zonë e mbrojtur, por edhe në shëndetin e banorëve që jetojnë përreth brigjeve të lumit”,- shprehet ajo.

Por ndërsa është folur shumë për zbatimin e një projekti që do të ndalonte këtë katastrofë, gjendja në Bunë është përkeqësuar. Sipas biologes është e nevojshme në mënyrë urgjente ngritja një impianti për përpunimin e ujërave të zeza. Ajo thekson se nëse nuk merren masa, atëherë do të përballemi me pasoja të rënda ekologjike.

Ujërat e zeza të qytetit shkarkohen vetëm pak metra larg urës së vjetër të Bunës, duke ndotur gjithë bregun e fshatrave të Nënshkodrës, që shtrihen në të dy anët e lumit, në një gjatësi prej rreth 40 kilometrash. (Elona)