Biden: Lëvizja ekstremiste e ish-Presidentit Trump kërcënim ndaj demokracisë
2023-09-29 16:44:44

Presidenti amerikan Joe Biden lëshoi një nga paralajmërimet e tij më të forta deri më tani, duke thënë se Donald Trump dhe aleatët e tij janë një kërcënim për demokracinë amerikane. Ai deklaroi të enjten se ish-presidenti republikan është më i interesuar për pushtet personal sesa për të mbështetur vlerat thelbësore të vendit, duke sugjeruar se edhe republikanët janë bashkëfajtorë.

Foto:VCG

Presidenti amerikan Joe Biden(Foto:VCG)

"Heshtja është shurdhuese", tha ai.

Gjatë një fjalimi në Arizona, ku po ndërtohet një bibliotekë për nder të mikut të tij dhe kritikut të ashpër të zotit Trump, senatorit republikan të ndjerë John McCain, Presidenti Biden përsëriti një nga temat kryesore të fushatës së tij, duke e quajtur lëvizjen "Ta Bëjmë Amerikën Sërish të Madhe" si një kërcënim ekzistencial për sistemin politik të vendit.

"Ne të gjithë duhet të kujtojmë se demokracitë nuk mund të vdesin vetëm nën trysninë e një arme", tha zoti Biden. "Ato mund të vdesin edhe kur njerëzit heshtin, kur ata nuk arrijnë të ngrihen ose të dënojnë kërcënimet ndaj demokracisë, kur njerëzit janë të gatshëm të heqin dorë nga ajo që është më e çmuar, sepse ndihen të zhgënjyer, të lodhur, të tjetërsuar.”

Presidenti amerikan tha se “nuk ka dyshim se Partia Republikane e sotme drejtohet dhe frikësohet nga ekstremistët e lëvizjes së udhëhequr nga zoti Trump.

Ai vuri në dukje sugjerimin e fundit të zotit Trump që Gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, i cili do të largohet nga posti të premten, duhet të ekzekutohet për gjoja tradhti ndaj tij ish-Presidentit republikan.

“Edhe pse nuk besoj se shumica e republikanëve e ndajnë këtë mendim, heshtja është shurdhuese”, shtoi Presidenti Biden.

Rivalët republikanë të zotit Trumpin, që po garojnë për të marrë emërimin si kandidat i partisë së tyre për president, kanë shmangur në masë të madhe sfidimin e pretendimeve të rreme për zgjedhjet dhe Presidenti Biden tha të enjten se votuesit nuk mund ta falin heshtjen e tyre.