Xi: Besimi, “më i vyer se ari” në marshimin drejt rilindjes kombëtare
2023-09-29 13:33:45

Presidenti kinez Xi Jinping i bëri thirrje vendit të enjten të forcojë besimin dhe të përpiqet për unitet në përpjekjen e palëkundur për ndërtimin e një Kine të fortë dhe realizimin e rilindjes kombëtare.

Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalim në pritjen për të festuar 74-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës(Foto:Xinhua)

"Forca jonë vjen nga uniteti dhe besimi është më i vyer se ari," tha ai në një pritje të mbajtur në Pekin për të festuar 74-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës.

Xi dhe udhëheqës të tjerë kinezë morën pjesë në këtë veprimtari së bashku me rreth 800 të ftuar kinezë dhe të huaj.

Presidenti kinez u përcolli respektin e vet të lartë dhe përshëndetje të ngrohta njerëzve nga të gjitha sferat e jetës në mbarë vendin, si  edhe shprehu vlerësim të përzemërt për vendet mike dhe miqtë e huaj që mbështesin përpjekjen e Kinës për modernizim.

Xi vuri në dukje se, ndër të tjera, Kina këtë vit ka koordinuar përgjigjen ndaj COVID-19 me zhvillimin ekonomik e shoqëror, ka punuar për të garantuar zhvillimin e sigurinë dhe ka promovuar në mënyrë aktive rimëkëmbjen e qëndrueshme ekonomike.

Ai përmendi gjithashtu disa nga sukseset e tjera "të arritura me mund dhe inkurajuese" të këtij viti, si ekonomia që ka një prirje të përgjithshme rimëkëmbjeje, korrjet e mbara të drithit që priten, përmirësimi i jetës së njerëzve dhe ruajtja e qëndrueshmërisë shoqërore.

Duke vënë në dukje se ka ende shumë rreziqe dhe sfida në rrugëtimin përpara, Xi theksoi se duhet të bëhen përpjekje më të mëdha për të forcuar rregullimin makroekonomik, për të shtuar kërkesën e brendshme efektive, për të stimuluar gjallërinë e subjekteve të biznesit, për të vazhduar promovimin e rimëkëmbjes së qëndrueshme ekonomike, për të vijuar punën për të përmirësuar pritshmëritë shoqërore dhe për të parandaluar rreziqet kryesore.

Presidenti kinez deklaroi se vazhdimi i hapjes së nivelit të lartë, thellimi i reformave, zgjerimi i hapjes institucionale dhe promovimi i bashkëpunimit me cilësi të lartë në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" do shtojnë elasticitetin dhe dinamizmin ekonomik.

Xi theksoi gjithashtu rëndësinë e plotësimit të nevojave të popullit për një jetë më të mirë, duke forcuar masat e mirëqenies shoqërore, duke nxitur punësimin, duke trajtuar vështirësitë, duke rritur ndihmën për grupet e pafavorizuara, duke konsoliduar e zgjeruar arritjet në zbutjen e varfërisë dhe duke promovuar rigjallërimin rural.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Ai përsëriti angazhimin për të zbatuar plotësisht dhe me besnikëri politikën "Një vend, dy sisteme" dhe për të realizuar parimin që "patriotët të administrojnë Hong-Kongun" dhe "patriotët të administrojnë Makaon", duke u zotuar për mbështetje për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetesës së banorëve të këtyre dy rajoneve të posaçme administrative, si edhe për pjesëmarrjen aktive në ndërtimin e Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao.

Xi bëri thirrje për përpjekje për t'iu përmbajtur parimit të “Një Kine” dhe Konsensusit të vitit 1992 dhe për të çuar përpara zhvillimin paqësor të marrëdhënieve ndërmjet dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit, duke thënë se ribashkimi i plotë i atdheut është aspirata e të gjithë popullit kinez, si edhe një valë e një prirje historike që nuk mund të ndalet nga asnjë individ apo forcë.

Presidenti kinez theksoi se vendi i tij do të ndjekë një zhvillim paqësor e një strategji të hapjes me dobi të ndërsjellë, duke shtuar se Kina do të mbështesë drejtësinë ndërkombëtare, do të praktikojë multilateralizmin e vërtetë dhe do të promovojë zbatimin e Nismës së Zhvillimit Global, Nismës së Sigurisë Globale dhe Nismës së Qytetërimit Global. .

Ai nxiti gjithashtu përpjekjet për të promovuar ndërtimin e një bashkësie globale me fate të përbashkëta dhe për të punuar krah për krah me popujt e të gjitha vendeve për të trajtuar së bashku sfidat e ndryshme globale dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për njerëzimin.