Siguria në Shkolla, ministri Balla: Nuk lejojmë askënd të bëjë biznes me shëndetin e nxënësve
2023-09-29 15:45:04

Taulant Balla (Foto RTSH)

Ministri Taulant Balla (Foto RTSH)

Nga Elbasani, në kuadër të takimeve për të prezantuar Paketën e Sigurisë në Shkolla, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, kërkoi krijimin e atij që e konsideroi si koalicion kombëtar për të fituar betejën kundër përdorimit të lëndëve narkotike nga nxënësit e të rinjtë, citon “RTSH”. 

Në një takim me nxënës e mësues të një shkolle të mesme në Elbasan, ministri Balla tha se nuk do të lejohet askush që të bëjë biznes me shëndetin e nxënësve.

“Ne do të bëjmë ç’është e mundur që brenda këtij perimetri të mos ketë shpërndarës, por kjo mund të na ndodhë në lagjen ku ju jetoni. Unë doja t’ju ftoja që të jeni misionarë të një fushate kundër përdorimit të lëndëve narkotike te fëmijët. Pjesa tjetër janë fenomene si bullizmi apo fenomene që duhet t'i luftojmë të gjithë së bashku. Kjo luftë nuk mund të fitohet pa mbështetjen e nxënësve, stafit arsimor, që edhe më kanë shkruar duke e përqafuar këtë paketë. Suksesi i saj varet shumë nga krijimi i një koalicioni kombëtar pa asnjë dallim për ta çuar para. Policia ka përgjegjësinë kryesore, por nuk ia del dot e vetme. Ky front kundër përdorimit të lëndëve narkotike do të jetë ndër frontet kryesore”,- tha ministri Balla.

Ministri bëri thirrje që nxënësit të tregohen të kujdesshëm ndaj çdo individi jashtë shkollës që i fton të bëhen pjesë e rrjetit të shpërndarjes së lëndëve narkotike. (Elona)