
Foto:VCG
Në tetë muajt e parë të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar drejt Italisë 5200 tonë vaj ulliri ose 50 herë më shumë se një vit më parë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndërsa ka ndarë shifrat në rrjete sociale, ka vlerësuar se kjo është shprehje e bashkëpunimit të shkëlqyer mes bizneseve në sektorin e bujqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë, citon “RTSH”.
Ministrja shqiptare falënderoi për mbështetjen në këtë rezultat homologun italian, ministrin Francesco Lollobrigida, dhe u shpreh besimplotë se platforma e diskutuar e bashkëpunimit do të ndihmojë në zhvillimin e sektorit agroushqimor dhe të peshkimit për të rritur cilësinë dhe për të hapur mundësi për tregje të reja.


Foto:VCG
Ministrja Denaj ishte pjesë e delegacionit të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, në takimin e Komitetit të Përbashkët për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale, Shqipëri-Itali, drejtuar nga zv. kryeministri i Italisë, Antonio Tajani, ku u diskutuan mundësitë e investimit që ofron Shqipëria në sektorët e energjisë, transportit, bujqësisë, për të zhvilluar më tej potencialet ekonomike. (Elona)
