Foto nga CFP
Duke shkëmbyer karfica përkujtimore me atletët dhe duke përshëndetur vullnetarët, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, dukej po aq i lumtur sa të gjithë në Fshatin e Lojërave Aziatike. Pasi bëri një turne nëpër fshat përpara hapjes së Lojërave të 19-ta Aziatike të shtunën, Bach tha se nuk kishte asnjë dyshim se galaja sportive do të ishte një sukses i madh.
“Mezi presim të shohim Lojërat fantastike Aziatike në Hangzhou, të cilat do të vendosin standarde të reja në shumë aspekte të ndryshme”,- tha shefi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
“Po asistojmë në një numër të madh sportesh të reja. Shohim se ka një organizim të pametë duke përdorur të gjithë eksperiencën digjitale në Hangzhou”,- tha Bach.
Po ashtu, ai u shpreh se nuk kishte dyshime që Lojërat Aziatike do të organizohen në një mënyrë shumë të qëndrueshme me reduktimin e emetimeve të karbonit dhe me një sistem të gjerë të menaxhimit të mbetjeve.
Bach kaloi mjaft kohë duke vizituar fshatin, ku qëndrojnë rreth 12.500 atletë nga 45 komitete olimpike kombëtare dhe rajonale në Azi, të cilët do të qëndrojnë për rreth dy javë. Fillimisht, ai u ndal në qendrën e shërbimit për të shprehur personalisht mirënjohjen e tij për të gjithë vullnetarët, duke shkruar një mesazh fati në një prej uniformave të vullnetarëve, përpara se të shijonte një shfaqje kërcimi.
“Faleminderit për të gjithë punën që po bëni, për buzëqeshjet tuaja rrëzëllitëse që i bëjnë të gjithë të lumtur”, u tha ai vullnetarëve.
Bach më pas u takua me përfaqësuesit e atletëve dhe shefat e delegacioneve, duke i inkurajuar ata që të shfrytëzonin sa më mirë ambientet e klasit botëror në Hangzhou për të realizuar ëndrrat e tyre atletike.
“Mezi presim që atletët të shijojnë këto Lojëra. Ata janë jashtëzakonisht të kënaqur me kushtet këtu në fshat, sidomos me ushqimin. Dhe mezi presin të shkëlqejnë në këtë event sportiv, që është thjesht mahnitës”,- u shpreh shefi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Sipas tij, e gjithë kjo kombinohet me efikasitetin dhe mikpritjen kineze në organizim dhe buzëqeshjen e madhe të vullnetarëve. “Kështu që ne mund të presim vërtet një ngjarje të madhe”,- tha Bach.
Gjatë takimit me atletët, Bach gjithashtu ndau pritshmëritë e tij për Olimpiadën e Parisit të vitit të ardhshëm me yllin kinez të tenisit. Wu Yibing. Ai tha se rritja e talenteve të rinj si Wu do të ndihmonte që Olimpiada e tenisit në Paris të jetë më emocionuese.
“Jam i lumtur të shoh dhe dëgjoj se tenisi kinez po rritet dhe po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar.
Kështu që ju mund të jeni të lumtur për këtë dhe të prisni të ardhmen me besim”,- tha Bach duke iu drejtuar edhe Wu, i cili u bë kinezi i parë që ngriti një trofe të ATP-së në shkurt.
Wu, një vendas nga Hangzhou, i cili pretendon për medalje të artë në fushën e tij të shtëpisë, i bëri dhuratë Bach-ut një erashkë tradicionale kineze prej letre me kaligrafi.