Në një kohë kur inteligjenca artificiale tejkalon kufijtë e industrisë teknologjike, puna për qeniet njerëzore mund të bëhet më e drejtë ose më shtypëse, në varësi të mënyrës si kjo inteligjencë përdoret. Inteligjenca artificiale po zhvendoset nga industria teknologjike drejt biznesit. Firma të të gjitha llojeve po përdorin këtë inteligjencë për të parashikuar kërkesën, për të punësuar punëtorët dhe për t’u marrë me klientët. Por a është kjo një kërcënim apo mundësi? Në një intervistë për Revistën Monitor sipërmarrësi Dritan Mezini thotë se kjo duhet parë si element pozitiv.
“Kjo është një pyetje që ne, është një pyetje shumë interesante dhe shumë e gjerë, dhe ndoshta është një temë me të cilën ne do të ndeshemi shumë shpesh edhe në vazhdimësi. Çështja e inteligjencës artificiale është bërë një nga temat më të nxehta dhe më të rëndësishme sot në nivel global dhe një nga elementet ku trajtohet inteligjenca artificiale është punësimi dhe e ardhmja e tij. mundësitë dhe kërcënimet, jo më larg se para një apo dy javësh ne si komunitet organizuam dhe një aktivitet që pikërisht adresonte këtë çështje që është inteligjenca artificiale është një kërcënim apo mundësi, si duhet ta shikojmë? Ta shikojmë si një aleat si partner, apo armik i cili po na kërcënon. Ajo që ne arritën në konkluzion si komunitet profesionistësh në fakt ishte që ne duhet ti japim një element pozitiv çështjes së inteligjencës artificiale. “
Duket se ky është realiteti i ri që do të na shoqërojë në vijim dhe duhen parë benefitetet më shumë se sa kërcënimi.
“Është një realitet që ka kohë që flitet që do të vinte sepse tashmë kemi vite që dëgjojmë që inteligjenca artificiale po vjen, kemi pasur shfaqje të saj, kemi pasur elemente nga më të ndryshmet, Siri si dhe Amazon janë disa nga elementet të inteligjencës artificiale që tashmë ishin bërë pjesë e jetës së përditshme të shumë njerëzve, por ajo që e transformohet dhe e bëri pakëz më globale këtë bisedë, ishte lancimi i Chat GPT. Jo më larg se në nëntor të vitit të kaluar, unë e mbaj mend për herë të parë kur bëra disa pyetje naive dhe mora disa përgjigje shumë interesante. Për të thënë të vërtetën mu bë mishi kokërr dhe vetë reagimi i menjëhershëm thashë që ky është një miku im në punë. Pse e them këtë gjë? Është shumë e vërtetë që diskutimet janë masive, disa e shikojnë si kërcënim, disa si një mundësi. Ajo që unë do thosha që unë duhet ta shohim si një partner si një mundësi që të na përmirësojë në punën tonë, është një mundësi shumë e fuqishme që të na bëjë ne të besojmë që proceset e transformimeve teknologjike janë një pjesë e rëndësishme e jetës profesionale të gjithsecilit.”-shprehet Mezini.
Është qenia njerëzore ajo që duhet të përshtatet tashmë përballë këtyre ndryshimeve.
“Ne nuk mund të jetojmë me frikë, por duhet që të mendojmë se si mundet të përshtatim mënyrën tonë të të punuarit karshi këtyre ndryshimeve të reja teknologjike dhe për më tepër që është inteligjenca artificiale. Janë inteligjenca artificiale, automatizimi, motorizimi sepse ka ende shumë gjera me të cilat shoqëria do të përballet. Ne nuk mundet që në çdo gjë që ofrohet të trembemi. Duhet ta shikojmë ata që jemi prodhues të saj. Madje duhet të jemi ne që të jemi përdorues, jemi ne ata të cilët në një moment jemi të paaftë për ta përdorur por që duhet të jemi po prap ne që me një riaftësim dhe të jemi ne ata që marrim më të mirën e tyre. “- thotë Mezini.
Dritan Mezini
Gjithësesi sipas ekspertëve koha do të tregojë që ka një grup profesionistësh që nuk do ti mbijetojnë zhvillimit teknologjik.
“Patjetër që do të ketë. Inteligjenca artificiale do ta thjeshtëzoj shumë është që ti përdor atë që quhet gjuha natyrale e përpunimi i ngjyrës natyrale të të të folurit. Ti kërkon diçka në gjuhën tendë të të folurit dhe ti merr përsëri përgjigje në atë gjuhë që ti e njeh më mirë, që quhen pak a shumë NLP-të. Pra ti shkruan një fjali të caktuar dhe merr një përgjigje. Ti bën një përshkrim të caktuar dhe merr një fotografi, ti bën një përshkrim të caktuar dhe ti merr një video dhe po të shikosh këto që quhet dhe pjesa gjenerative e inteligjencës artificiale i jep një mundësi shumë të madhe tregu dhe profesioneve të ndryshme për tu fuqizuar, përveç pasurisë ose pasurimit të shumë profesioneve që inteligjenca artificiale mund të bëjë, ka dhe shumë profesione të tjera të cilat mendohen që nuk do të ekzistojnë në vitet në vazhdim. Janë disa profesione të cilat janë të ndërtuara dhe të bazuara në aktivitete rutinë, rutinore dhe nuk kërkojnë shumë aftësi të të menduarit. Ato janë futur në një cikël po themi automatizimi të cilat më vonë mund të zëvendësohen pikërisht nga proceset e automatizimit që gjenerohen nga inteligjenca artificiale dhe nga ajo që quhet dhe nga të mësuarit si makinë, ose machine learning, apo forma të saj “
Kujtojmë se në 2017, kompanitë shpenzuan afro 22 miliardë dollarë në shkrirje dhe blerje të lidhur me inteligjencën artificiale.Instituti Global i hulumtimit McKinsey madje vlerëson se zbatimi i kësaj inteligjence për marketingun, shitjet dhe zinxhirët e furnizimit mund të krijojë një vlerë ekonomike prej 2.7 trilionë dollarësh në 20 vitet e ardhshme. Parashikime të tilla ngjallin ankth sa edhe shpresë, pasi inteligjenca artificiale mund të transformojë edhe vendet tona të punës. Si pozitive, përfshirja e kësaj inteligjence do të rrisë produktivitetin në punë, do të rrisë sigurinë e punonjësve, do të shpërblejë ose punësojë ata të cilët vërtetë e meritojnë, dhe do të zbusin hendekun mes gjinive dhe racave.Por në krahun tjetër qëndrojnë disavantazhet, pasi algoritmet e inteligjencës artificiale nuk mund të jenë tërësisht të shkëputura nga paragjykimet e programuesve të tyre, të cilat mund të dëmtojnë apo favorizojnë punonjësit në mënyrë të padrejtë.Një staf më i vjetër në moshë ka rrezik të humbasë vendin e punës nëse gjithçka që inteligjenca artificiale kërkon është produktiviteti. Sipas një studimi të ri Inteligjenca artificiale (AI) mund të zhvillojë metoda të shpërndarjes së pasurisë më të njohura sesa sistemet e projektuara nga njeriu.