Kulmi për mujin gusht në ligatinën Tiaozini është ardhja e miliona zogjve shtegtarë. E shtrirë në gjysmë të rrugës përgjatë aksit fluturues Azi Lindore-Australazi, një rrugë e mbushur me rreth 50 milionë shpendë uji çdo vit, ligatina Tiaozini në Yancheng, provinca Jiangsu e Kinës lindore, është një vend i çudirave për zogjtë shtegtarë dhe adhuruesit e shpendëve.
Pamje nga Ligatina, Yancheng(Foto:VCG)
Prej korrikut, fotografi i kafshëve të egra Li Dongming ka bërë vizita të shpeshta në Tiaozini për të përshëndetur miqtë e tij të vjetër.
“Ata janë vonë këtë vit”,- tha Li, duke vrenjtur vetullat ndërsa skanonte cekëtinat me lentet e tij me fokus të gjatë.
“Të presësh për ta çdo vit është si të presësh që një fëmijë të mbërrijë në shtëpi për pushimet verore. Edhe vetëm një ditë vonesë rëndon në mendjen time”,- tha Li, i cili ka një përvojë 13-vjeçare në fotografimin e zogjve.
Më 1 gusht, vështrimi i tij kapi më në fund një krijesë të njohur, një zog me sqepin në formë luge. Ky zog i vogël këmbësor është një nga speciet më të rrezikuara në botë. Ndërsa popullsia e tij globale vlerësohet në rreth 600, më shumë se një e treta e këtij numri përdorin Yancheng si ndalesë.
Yancheng ka një vijë bregdetare prej 582 km dhe 769.700 hektarë ligatina. Gjatë dekadave të fundit, autoritetet lokale kanë bërë përpjekje të mëdha për të balancuar zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e biodiversitetit, duke ndërtuar një komunitet harmonik midis njeriut dhe kafshëve.
Pamje nga Ligatina, Yancheng(Foto:VCG)
Foletë e zogjve në dritat e rrugëve, shtyllat e telave dhe kullat e transmetimit, për shembull, dikur ishin një problem i madh. Kur Jiang Cheng sapo kishte filluar të punonte në degën e Yancheng të “State Grid”, mbi 10 vjet më parë, atij iu tha të shkatërronte foletë e zogjve pasi jashtëqitjet e tyre do të shkaktonin ndërprerje të energjisë.
Tani ai është anëtar i ekipit të mbrojtjes së shpendëve të kompanisë. “Nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të kushteve për shpendët, më shumë se 280 fole zogjsh prej kashte janë ndërtuar në vende të sigurta dhe shkalla e ndotjes prej shpendëve është ulur me 60 për qind në vitet e fundit”,- vuri në dukje Jiang.
Ndërsa po harton një plan ambicioz për të nxitur industrinë e energjisë së erës, Yancheng i jep përparësi minimizimit të ndikimit të këtij procesi te zogjtë shtegtarë. Në vitin 2019, strehët e shpendëve migratore përgjatë bregut të Detit të Verdhë dhe Gjirit Bohai në Yancheng u regjistruan në Listën e Trashëgimisë Botërore si një vend natyror nga UNESCO-ja. Transformimi i gjelbër i Yancheng u përshëndet nga të pranishmit nga e gjithë bota në Forumin Botëror Bregdetar (WCF).
Me temën “Brigjet tona: Harmonia midis njerëzve dhe natyrës”, forumi ka tërhequr rreth 1000 pjesëmarrës nga 34 vende, duke mbuluar çështje të tilla si adresimi i sfidave në ruajtjen e ligatinave bregdetare, sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm në rajonet bregdetare dhe rritja e ndërgjegjësimit për ruajtjen e ekosistemit bregdetar.
Duke qenë në Tiaozini gjashtë herë që nga viti 2014, Nicola Crockford, zyrtari kryesor i politikave të Shoqërisë Mbretërore për Mbrojtjen e Zogjve, është i impresionuar se si Yancheng arrin një ekuilibër të mirë midis rritjes ekonomike dhe mbrojtjes së mjedisit.
Pamje nga Ligatina, Yancheng(Foto:VCG)
“E di se ka pasur implikime të mëdha financiare dhe ka pasur sakrifica për mbrojtjen e natyrës. Por, tani ne mund të shohim se Yancheng po tërheq shumë turistë dhe të gjitha shërbimet e tjera të bazuara në ekosistemin e shëndetshëm në këtë zonë po tregojnë shumë premtime. Shpresoj që edhe vendet e tjera të mund të mësojnë se si Yancheng arrin të balancojë kushtet duke ruajtur natyrën e tij të rëndësishme globalisht”,- tha Crockford në WCF.
“Yancheng po eksperimenton vazhdimisht midis zhvillimit, ruajtjes së natyrës dhe rimarrjes së tokës nga deti. Mendoj se ka shumë njohuri për t’u përftuar këtu dhe ka shumë gjëra që Yancheng mund t'i ndajë me të tjerët, por edhe për të mësuar nga të tjerët”,- tha George Yeo, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Singaporit në fjalimin e tij në ceremoninë e hapjes.
Pavarësisht ndryshimit të stinëve, çdo vit, ndërsa speciet e ndryshme të zogjve zbresin në ligatinën piktoreske, ato dëshmojnë për përpjekjet e pandërprera të Yancheng për të mbrojtur habitatet e tyre. Kjo është gjithashtu ajo që Li Dongming, Jiang Cheng dhe banorët në Yancheng e shohin më të kënaqshme.
“Cicërima e zogjve është natyra brenda mundësive tona”,- tha Zhu Yuan, një nëpunës, i cili kohët e fundit ra në dashuri me vëzhgimin e zogjve.