Foto nga CFP
Për sportisten e kanotazhit 21-vjeçare Zou Jiaqi, Hangzhou nuk është vetëm vendlindja e saj. Tani, mund të mbahet mend edhe si qyteti i saj i triumfit. Zou dhe partnerja e saj Qiu Xiuping siguruan medaljen e parë të artë të Lojërat Aziatike në Hangzhou, duke udhëhequr në kategorinë për çifte të peshave të lehta për femra.
“Jam rritur në ujërat e lumit Fuchun. Jam tepër e emocionuar për fitoren e kompeticionit pikërisht këtu”,- tha Zou.
E lindur në qarkun Tonglu në Hangzhou, ajo i kaloi vitet e para pranë lumit Fuchun. Shkathtësia e saj atletike u identifikua gjatë një ore trajnimi futbolli në klasën e katërt.
“Kanotazhi teston shpejtësinë, qëndrueshmërinë dhe fuqinë shpërthyese. Zou shkëlqeu në të gjitha këto drejtime”,- deklaroi Sun Haihua, mësuesja e shkollës fillore të Zou, duke shpjeguar pse ata i sugjeruan asaj të provonte kanotazhin kundrejt futbollit.
Ndërsa Zou ishte e etur për t'u bashkuar me ekipin e qytetit, prindërit e saj fillimisht ishin në mëdyshje për ta lënë vajzën e tyre 10-vjeçare të largohej nga shtëpia për stërvitje. Zou insistonte, edhe pse duart e saj bëheshin me kallo dhe plagë.
“Vragat nuk janë vetëm dëshmi e stërvitjes së vështirë, por edhe simbole të arritjeve të mia ndër vite”,- tha Zou.
Në vitin 2018, ajo iu bashkua ekipit provincial të kanotazhit të Zhejiang dhe siguroi vendin e dytë në një garë kombëtare. Tre vjet më vonë, ajo ishte në ekipin kombëtar, me partneren Qiu. Qiu, dy vjet më e madhe se Zou, vjen nga një familje në zonat rurale në Guangdong. Pas hyrjes në ekipin provincial në vitin 2014, ajo iu dedikua për gati një dekadë kanotazhit, për të fituar këtë medalje të artë aziatike. “Stërvitem shtatë orë çdo ditë. Nuk është e lehtë të arrish kaq larg”,- tha Qiu.
Foto nga CFP
Pavarësisht personaliteteve të ndryshme, dyshja ka një lidhje të fortë përtej sportit. Qiu e konsideron Zoun tepër të afërt për të. Madje ka shkruar dhe një poezi të shkurtër për të: “Qoftë atje dritë në errësirë, ombrellë në shi dhe njerëzit që na duan, në këtë udhëtim të gjatë”.
Bashkëpunimi i tyre dha rezultate, me një vend të gjashtë në Kampionatin Botëror 2023.
“Fitorja e tanishme është rezultati i çdo gare dhe çdo stërvitjeje në vitet e kaluara. E vetmja gjë që mund të bëja ishte të bëja më të mirën e mundshme”,- tha Qiu.
Me 2024-n në horizont, ambiciet e Qiu rriten edhe më shumë. “Ne jemi kualifikuar tashmë për Paris 2024 dhe dëshirojmë të ngjitemi në podiumin më të lartë atje”,- u tha ajo gazetarëve. Nga ana tjetër, Zou mendon edhe për premtimin mbi ushqimin që i ka bërë Qiu. Ajo i kishte premtuar se do ta çonte të provonte Yum Cha kantoneze pasi të fitonte dhe, sipas saj, tani ishte momenti i duhur.
“Përveç kësaj, do të doja ta çoja në shtëpinë time dhe të provonte peshkun e gatuar nga mamaja ime, që mendoj se është ushqimi më i shijshëm në botë”, tha ajo.
Përtej arritjeve të tyre, dy vajzat ndajnë edhe një ëndërr të përbashkët. “Dëshirojmë të shohim më shumë njerëz të interesuar për këtë sport dhe të përfshihen në të. Për të arritur këtë qëllim, ne do të bëjmë përpjekje edhe më të mëdha për të qenë frymëzuese”,- u shpreh Zou.