Greqia do të marrë 55 miliardë euro nga fondet e BE-së për rimëkëmbjen ekonomike
2023-09-28 14:51:23

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Greqia do të marrë mbështetje financiare prej rreth 55 miliardë eurosh (58.22 miliardë dollarë amerikanë) nga Bashkimi Evropian gjatë katër deri në gjashtë vitet e ardhshme, deklaroi zëvendësministri grek i Ekonomisë dhe Financave, Nikos Papathanasis.

Zyrtarët e ministrisë greke theksuan rolin jetik të fondeve evropiane, që përbëjnë mbi 80 për qind të investimeve publike të Greqisë, në nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike dhe perspektivat e rritjes së vendit, citon “Xinhua”.

Duke rishikuar efektin e financimit të BE-së në ekonominë greke në vitet e fundit, Papathanasis tha në një konferencë për shtyp se Programi i Kornizës Kombëtare të Referencës Strategjike (NSRF) për 2014-2020 luajti një rol kritik në rritjen e ekonomisë greke.

“Gjatë periudhës 2019-2023 trefishuam normat e përthithjes së fondeve në krahasim me katër vitet e mëparshme. Në vitin 2019, shkalla e përthithjes ishte 24.5 për qind dhe sot kemi arritur në 88 për qind dhe në fund të vitit pritet të jetë 100 për qind. Jemi në vendin e tretë në mesin e vendeve anëtare të BE-së për sa i përket normave të përthithjes së fondeve të BE-së”, - shtoi ai.

Në vazhdën e zjarreve dhe përmbytjeve të fundit shkatërruese, të cilat vlerësimet fillestare sugjerojnë se i kanë kushtuar Greqisë mbi 2 miliardë euro, projektet me vlerë të paktën 686 milionë euro do të zbatohen në javët dhe muajt e ardhshëm, tha Papathanasis. (Elona)