Foto nga CFP
Prokurorët në Spanjë kanë paraqitur një ankesë gjyqësore kundër yllit kolumbian të popit Shakira për mashtrimin e supozuar me taksa prej më shumë se 6.68 milionë euro.
Ky është rasti i dytë i ngritjes së akuzave për mashtrim me taksa ndaj këngëtares, e cila do të përballet me gjyqin më 20 nëntor të këtij viti, pasi akuzohet për shmangie të pagesës së 14.5 milionë eurove taksa për periudhën 2012-2014.
Shakira i mohon akuzat, por prokurorët kanë kërkuar që ajo të dënohet me tetë vjet burg, nëse shpallet fajtore, shkruan “Xinhua”. Këtë herë, prokurori pretendoi se në vitin 2018, ndërsa ishte rezidente në Spanjë, Shakira përdorte një kornizë korporative, duke devijuar të ardhurat drejt kompanive në vende me taksa të ulëta dhe me paqartësi të lartë, për të shmangur pagimin e tatimit mbi të ardhurat e saj. Kompanitë që dyshohet se përdorte Shakira ishin me bazë në Luksemburg, Holandë, Maltë, Panama, Bahamas, Shtetet e Bashkuara dhe Lihtenshtajn. Prokurori tha se këtyre të ashtuquajturave kompani u mungonin mjetet materiale dhe personale për të kryer çdo aktivitet dhe shpenzimet që gjeneronin ishin thjesht administrative, të lidhura me sjelljen dhe menaxhimin e vetë kompanive dhe subjekteve.
Akuza bëri të ditur se Shakira e bëri këtë për të shmangur pagesën e detyrimeve dhe ajo parashtroi me vetëdije dhe vullnetarisht deklarata false të tatimit mbi të ardhurat personale.
Këngëtarja thuhet se është njoftuar për akuzat në Majemi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku jeton aktualisht. (Elona)